Nevoja për BNK në Evropën qendrore dhe lindore

Pas ndarjes së bllokut socialist, Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, shumë shtete të Evropës lindore dhe ish-republika sovjetike ndërmorën politika që kishin për qëllim krijimin e organeve të vetëqeverisjes lokale (në rastin e shteteve që ishin pjesë e ish-Jugosllavisë bëhet fjalë për rikrijim). Këto politika përcilleshin nga një proces i riorganizimit territorial që rezultoi me themelimin e një numri të madh të njësive të vetëqeverisjes lokale.

Përderisa gjatë periudhës komuniste numri i komunave në Hungari ishte zbritur në 1,300, i njëjti numër u ngrit përmes reformave postkomuniste në 3,100. Në Republikën Çeke vërehet një rritje prej afro 50% e numrit të komunave pas reformave demokratike (nga 4,100 në rreth 6,000). Armenia, që ka popullatë prej rreth 3.2 milionë banorë, në kohën sovjetike kishte rreth 300 komuna. Ky numër është trefishuar me zbatimin e sistemit të ri të vetëqeverisjes. Aktualisht Shqipëria, me popullatë prej mbi 4 milionë banorë, ka 65 bashki dhe 309 komuna. Këto të fundit mesatarisht kanë nga 5,200 banorë.

Ky nivel i lartë i fragmentimit territorial përbënte një sfidë të madhe për kryerje efektive dhe efikase të funksioneve komunale, veçanërisht në kontekst të inicimit të reformave të decentralizimit. Kjo është arsyeja përse shumë shtete post-socialiste kanë ndërmarrë një proces të konsolidimit territorial (Lituania në vitin 1996, Gjeorgjia në 2006). Por në vendet tjera, kjo reformë u konsiderua si politikisht tejet e ndjeshme dhe nuk u zbatua fare (Armenia) apo u zbatua vetëm pjesërisht (IRJ e Maqedonisë në vitin 2004). Rubrika 5 paraqet një ilustrim të ndikimit të fragmentimit komunal në zhvillimin lokal të Armenisë.

 

Kushtetuta e Armenisë e vitit 1995 përcaktonte bazën ligjore për reformë të vetëqeverisjes lokale në Armeni. Në përmbledhje, Armenia ka 10 njësi të juridiksionit në nivel rajonal dhe 915 komuna të vetëqeverisura: 866 rurale dhe 49 urbane. Ekzistojnë rreth 36 komuna me më pak se 100 banorë; 163 komuna kanë popullatë më të vogël se 300 banorë ndërsa 176 me më pak se 500. Më se 93 për qind të komunave kanë popullatë të gjithmbarshme më të vogël se 5,000 banorë. Duke qenë se shkallët ekonomike kanë tendencë të jenë relevante për njësi lokale të madhësive të tilla, fragmentimi i tepërt i Armenisë ka rezultuar në pabarazi sa i përket zhvillimit dhe në mungesë të kapaciteteve administrative dhe fiskale. Për këtë arsye, ai është shndërruar në një pengesë të madhe për zhvillimin e mekanizmave për ofrimin e shërbimeve lokale, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për decentralizimin e mëtejmë.

 

Burimi: UNDP (2006)

BNK aktualisht zë vend të shquar në listën e prioriteteve të shumë qeverive qendrore të EQL-së ngase fragmentimi komunal çdo herë e më shumë po konsiderohet si një nga faktorët që bëjnë që decentralizimi të mos u sjell qytetarëve shërbime më të lira dhe më të mira publike. Përveç kësaj, të gjitha vendet e EQL-së përballen me sfida serioze sa i përket zhvillimit, të cilat kërkojnë investime të mëdha në infrastrukturë, promovim të biznesit apo mbrojtje të mjedisit. Këto sfida shpesh duhet trajtuar me qasje rajonale/nënrajonale. Në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi, të cilat përfitojnë nga përkrahja financiare e para anëtarësimit në BE, BNK konsiderohet si aspekt kyç për qasje në fondet e BE-së për zhvillim lokal, në veçanti në fondet e parapara për shërbime publike dhe infrastrukturë (shih Rubrikën 6).

 

Për shembull, në Poloni janë formuar unione të grupeve të komunave për të adresuar çështjet e absorbimit të fondeve të BE-së. Unioni i Komuniteteve të Rabës së Epërme dhe Krakovit ishte krijuar për të trajtuar çështjen e degradimit të ujërave në shtratin e lumit Raba përmes ndërtimit të impianteve për trajtim të ujit të kanalizimit dhe ndërtimit të gypave sanitarë; kjo ka mundësuar që ato të përfitojnë nga fondet e para anëtarësimit të cilat do të ishin tepër të mëdha për tu siguruar nga komunat ndaras.

 


Burimi: UNDP (2006)