Pse është BNK i rëndësishëm?

  • BNK është i rëndësishëm për përmirësimin e punës në kryerjen e të gjitha funksioneve që i janë dhënë me ligj komunës;
  • BNK ka rëndësi të veçantë në kontekst të administratës publike të decentralizuar ku një numër i madh i funksioneve janë bartur nga pushteti qendror në komuna;
  • BNK është me rëndësi për të gjitha komunat pavarësisht madhësisë së tyre por është veçanërisht me rëndësi për komunat e vogla, sepse sa më e vogël komuna aq më e lartë është kostoja për njësi dhe/ose aq më i vogël është efikasiteti në kryerjen e funksioneve komunale.

Historia dhe mjedisi politik kanë pasur ndikim të fuqishëm në zhvillimin e BNK-së në secilin shtet. Numri i niveleve administrative në vend, shpërndarja e përgjegjësive ndërmjet niveleve të ndryshme të pushtetit, fushëveprimi dhe autonomia e qeverisë lokale dhe numri dhe madhësia e komunave, në masë të madhe e përcaktojnë nevojën dhe përparësitë e mundshme të BNK-së. Kërkesa për BNK është veçanërisht e lartë në vendet që kanë numër të madh të komunave shumë të vogla. Në Evropën perëndimore, e që nuk është për tu befasuar, BNK është dukuri shumë e zakonshme në vendet si Spanja e cila ka mbi 8,000 komuna (të cilat kanë mesatarisht nga 5,500 banorë), Italia e cila ka përafërsisht të njëjtin numër të komunave (që mesatarisht kanë nga 7,000 banorë) dhe Zvicra me 2,700 komunat e saj shumë të vogla (me mesatarisht 2,800 banorë).

Shpesh BNK-ja duket si një alternativë për konsolidimin territorial. Nganjëherë promovimi i BNK-së është i vetmi opsion real për përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit në kryerjen e funksioneve komunale pasi që ekziston rezistencë politike ndaj konsolidimit të territorit. Nganjëherë BNK-ja është politikë e qëllimshme e autoriteteve e cila synon të përmirësojë besimin ndërmjet palëve të përfshira dhe është një hap drejt bashkimit të ardhshëm të komunave. Franca për shembull ka përvojë të gjatë dhe të pasur në BNK pasi që ndjenja e fortë e autonomisë komunale e ka penguar politikën e bashkimit dhe e ka lënë vendin me 36,682 komuna (21,000 prej të cilave kanë më pak se 500 banorë) dhe rreth 19,000 tërësi të BNK-ve. Në Spanjë, për shembull, 72% e 8,000 komunave të vendit marrin pjesë në të paktën një prej 953 mancomunidades të vendit, struktura të BNK-së sipas të drejtës publike spanjolle.