Kuvendi

I Kuvendi i Komunës
Neni  26 
1. Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës  i komunës, i cili ushtron funksionin e pushtetit lokal të përcaktuar me dispozitat ligjore, aktet nënligjore të Nivelit Qendror, me këtë statut dhe rregulloren e punës së kuvendit.
2. Kuvendi ka  41 (dyzet e një) anëtarë.
3. Pushteti dhe detyrat e komunës ushtrohen nga kuvendi, organet ekzekutive dhe administrative të komunës,
4. Të gjithë anëtarët e kuvendit, kanë të drejta të njëjta dhe të barabarta dhe mundësi për të marrë plotësisht pjesë në proceset e kuvendit. Kuvendi kujdeset që këto të drejta dhe mundësi të përfshihen në statut dhe rregulloren e punës së kuvendit.
 
Neni 27
 Funksionet e Kuvendit
1. Kuvendi e miraton statutin dhe e ndryshon atë nëse konsideron se një ndryshim i tillë është i nevojshëm. Miraton rregulloren e punës, rregulloret komunale dhe çdo akt tjetër të nevojshëm apo të duhur për funksionim efikas të komunës.
2. Çdo vendim për miratimin apo për ndryshimin e statutit, merret me 2/3 (dy të tretat) e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të kuvendit.
3. Kuvendi  e miraton rregulloren e punës të kuvendit dhe mund ta ndryshoj atë nëse konsideron se një gjë e tillë është e nevojshme. Vendimi për miratimin apo ndryshimin e rregullores së punës të kuvendit, merret me votimin e shumicës së anëtarëve Kuvendit të Komunës. (50% + 1).

Neni 28
Kuvendi nuk i delegon përgjegjësitë e tij lidhur me marrjen e vendimeve për: 
(1) Statutin dhe rregulloren e punës, rregulloret komunale dhe miratimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e tyre;
(2)  miratimin e buxhetit dhe planeve investuese;
(3) miratimin e çështjeve të tjera financiare, të cilat janë të rezervuara për kuvendin, sipas statutit apo rregullores së punës;
(4)  planin vjetor të punës dhe raportin vjetor;
(5)  ngritjen komiteteve dhe komisioneve të parapara me dispozita ligjore;
(6)  zgjedhjen e kryesuesit  dhe zëvendëskryesuesit të kuvendit;
(7)  nivelin e tarifave dhe ngarkesave;
(8) krijimin dhe përdorimin e simboleve, dekoratave dhe titujve të nderit të komunës, në pajtim me ligjin në fuqi;
(9)  emërimin dhe riemërimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike;
(10)  arritjen e marrëveshjeve ndërkomunale dhe brenda komunale;
(11) marrjen e vendimeve për t’u bashkuar me asociacione përfaqësuese të komunave të Republikës së Kosovës; dhe
(12)   përgjegjësive të tjera të përcaktuara me dispozita ligjore.

Neni 29
1. Kuvendi mund të delegojë përgjegjësitë për të marrë vendime  një komiteti të kuvendit.
2. Përgjegjësitë e deleguara, kuvendi mund t’i revokoj në çdo kohë.
3. Një përgjegjësi e deleguar mund të delegohet edhe më tej brenda autoritetit të caktuar me këtë statut.                                    

Neni 30
Përgjegjësitë që nuk delegohen sipas nenit 28 të këtij statuti, nuk mund t`i nënshtrohen asnjë ndryshimi, plotësimi ose modifikimi, deri sa nuk ndryshohet Ligji për Vetëqeverisjen Lokale.