Lajmet   Miratohet buxheti për vitin 2014

Miratohet buxheti për vitin 2014 - 30 shtator 2013

Me 29 vota pro dhe 9 kundër, këtë të hënë është miratuar buxheti i Komunës së Ferizajt.

Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës, para asamblistëve është paraqitur, Kryetari I Komunës së Ferizajt, Agim Aliu,i cili ka thënë se sot  po shqyrtojmë  për të miratuar dokumentin më përmbajtjesor dhe më të rëndësishëm në sferën e angazhimeve tona institucionale, dokumentin e projekt-buxhetit për vitin 2014, si dhe vlerësimet e hershme buxhetore për vitet 2015-2016.

“E vlerësojmë si të veçantë këtë ditë për faktin se sot po miratojmë buxhetin e komunës sonë për vitin 2014, i cili përmbajtjen e tij karakterizohet me : rritje të vlerës buxhetore për 10.84 për qind krahas vlerës buxhetore të vitit 2013, nga 21 050 262 euro në 23 256 296 euro, me rritje të vlerës për investimet kapitale për 28.64 për qind nga 7 milion në mbi 9 milion euro, me rritje të vlerës së kategorisë së subvencioneve  për 7.58 për qind, rritje të subvencioneve në bujqësi për 25 për qind, zvogëlim të kategorisë së mallrave dhe shërbimeve për -4.64 për qind, zvogëlim të planifikimit të shpenzimeve në nënkategorinë e drekave zyrtare për -7.35 për qind, të shpenzimeve telefonike për -4.23 për qind si dhe të shpenzimeve të derivateve të veturave për -6.44 për qind”, ka thënë Aliu.

Numri një i Ferizajt, Aliu, ka thënë se i tërë procesi i hartimit të projekt buxhetit, e ka realizuar duke respektuar në plotni instruksionet e qarkoreve buxhetore 2014/01 dhe 2014/02, të cilat përmbanin limitet buxhetore të kategorive ekonomike si dhe vlerësimet e hershme buxhetore për vitin 2015-2016.

“Gjatë këtij procesi realizuam dëgjimet buxhetore me qytetarët tanë duke tejkaluar edhe obligimet ligjore që buronin nga qarkoret buxhetore, pra realizuam edhe shumë takime tjera, përfshirë fshatrat e lagjet e qytetit tonë, nga të cilat takime rezultoi edhe baza e përpilimit të listës së investimeve kapitale si njëra nga segmentet më të rëndësishme të këtij projekt-buxheti dhe e cila përmban mese 87 projekte kapitale të të gjitha lëmive, duke e bërë të ditur faktin se nuk kemi mundur t’i përfshimë të gjitha kërkesat investimore, sepse limitet buxhetore nuk lejuan atë, por se duke u mbështetur në partneritetin e fuqishëm që ka pasur komuna jonë më Qeverinë e Republikës së Kosovës në këto vite e sidomos në vitin 2013 ku përfituam miliona euro, besojmë fuqishëm që në vitin 2014 do të jetë vit i përfitimit të granteve të reja investive nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në funksion të realizimit të projekteve të cilat nuk kanë mundur të jenë pjesë e projekt-buxhetit për vitin 2014”, ka sqaruar Aliu.
 

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ka nënvizuar se projekt buxheti i vitit 2014, karakterizohet edhe me planifikimin e projekteve të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt ndihmojnë zhvillimin ekonomik të komunës sonë, nëpërmjet realizimit të projektit “subvencionimi i biznesit” si dhe projektit  hartimi i projekteve detale investimore për të gjitha lëmit ekonomike.

“Pra vizioni prioritet i qeverisë sonë lokale dhe për të bërë këtë realitet, ajo nëpërmjet politikave të saja qeverisëse, projekteve të parapara më këtë projekt buxhet, po krijon mundësinë e shfrytëzimit të potencialeve zhvillimore që ka komuna jonë, si dhe funksionin e kësaj natyrshëm po ndërton marrëdhënie partneriteti me komunitetin biznesor si promotor i zhvillimit ekonomik” është shprehur Kryetari Aliu.
 

Kjo pikë e rendit ë ditës është përcjellur me disa vërejtje nga partitë opozitare, ndërsa përfaqësues të partisë në pushtete e kanë vlerësuar tejet lart projekt buxhetin e vitit 2014.

Vërejtjeve të opozitës i janë përgjigjur Drejtorët e Drejtorive Komunale, por edhe Kryetari i Komunës Agim Aliu.
Kryetari Aliu në fund i ka falënderuar të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës që për katër vite radhazi kanë dhen kontributin e tyre në marrjen e vendimeve të shumta.

Në këtë mbledhje është diskutuar dhe miratuar edhe rregullorja e tatimit në pronë për vitin 2014, rregullore kjo e cila ka qenë pa ndryshime nga ajo e vitit 2013. 

Ndryshe kjo ishte mbledhja e fundit me këtë përbërje të Kuvendit Komunal të përfaqësuara nga partitë politike.
 


RSS

Sign in