Ekonomia

Bizneset dhe rrethina e biznesit

Në Komunën e Prishtinës operojnë rreth 13,306 biznese. Numri më i madh i këtyre bizneseve janë të orientuara në veprimtari tregtare. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, rreth 54% e bizneseve merren me tregti dhe hoteleri, 15% me transport, 8% me patundshmëri dhe vetëm 4% me veprimtari përpunuese. Kjo tregon për një shpërndarje jo shumë të volitshme sipas sektorëve të bizneseve në Komunën e Prishtinës.

Megjithëse, sektori i tregtisë dhe hotelerisë është sektor intensiv sa i përket punësimit (për të cilën gjë ka shumë nevojë në Prishtinë, për shkak të papunësisë dhe koncentrimit të madh të popullsisë), është e nevojshme që bizneset të nxiten në veprimtari që janë të natyrës prodhuese dhe potencialisht eksportuese. Kjo do ta zvogëlonte deficitin e madh tregtar të Kosovës dhe do të kishte efekte të tjera multiplikuese në vend.

Shpërndarja e bizneseve sipas veprimtarisë në Komunën e Prishtinës.:

PËRSHKRIMI NUMRI I BIZNESEVE   %

 1.Bujqësi, gjueti, pylltaria dhe peshkim 

142 

1% 

 2.Industria nxjerrëse 

370 

3%

 3.Industri përpunuese 

551 

4% 

 4.Prodhimi i pajisjeve elektrike, makinave etj. 

120 

1% 

 5. Furnizimi me energji elektrike, gaz, ujë, avull, ujë te ngrohtë dhe ndërtimtaria

696 

5% 

 6.Tregtia me shumicë dhe pakicë, hotelet dhe restorantet. 

7,156 

54% 

 7.Transporti,magazinimi dhe komunikacioni 

2,007 

15% 

 8.Afarizmi me pasuri të patundshme 

1,074 

8% 

 9.Arsimi, mbrojtja shëndetësore dhe sociale 

427 

3% 

 10.Veprimtari të tjera  

763 

6% 

Totali 

13,306 

100%

Burimi: Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë

Aktivitetet ekonomike shërbyese janë kryesisht të koncentruara në hapësirën urbane të qendrës dhe në zonat urbane të lagjeve: “Dardania”, “Ulpiana”, “Kodra e Diellit”, “Lakërishta”, “Qendra” dhe “Aktashi”.

Në zonën e Qendrës dominojnë institucionetadministrative të pushtetit qendror dhe lokal, hotelet, restorantet, bankat, objektet kulturore, lokalet tregtare me pakicë dhe selitë e zyrave të bizneseve të ndryshme. Organizimi hapësinor i Qendrës ruan vlerat dhe standardet urbane të realizuara kryesisht në periudhën e paraluftës, ndërsa pas luftës kemi fenomenin e shndërrimit të hapësirave banesore në përdhese dhe të kateve të para të banesave kolektive, në lokale afariste për qëllime komerciale. Në zonat e tjera të urbanizuara në kuadër të veprimtarive terciare ushtrohet aktivitet i llojllojshëm i shërbimeve duke dominuar tregtia me pakicë dhe restorantet. Me plane rregulluese të miratuara për lagjet: “Qendra 1”, “Qendra 2”, “Dodona”, “Tophane”, “Kalabria”, “Mati”, “Sofalia” dhe “Lakërishta” (dhe “Dardania” që pritet të dalë në diskutim publik së shpejti),parashihet zgjerim i aktiviteteve të biznesit në zonat e ndërtuara apo në ndërtim e sipër.

Nyjat kryesore ekonomike në Komunën e Prishtinës shtrihen në aksin rrugor Prishtinë - Fushë Kosovë dhe Prishtinë - Ferizaj.

Me hartimin e Planit dhe Strategjisë për Zhvillim Urban të Prishtinës (PSZHUP) për vitet 2004/2020+, janë definuar lokacionet për veprimtari ekonomike dhe jo-ekonomike, si: unazat e qytetit, autostrada Prishtinë-Merdar, nyjat strategjike për zhvillim të ekonomive shërbyese (Prishtinë-Aeroport), zona industriale ekzistuese prej 60 ha, zona industriale prej 600 ha si dhe Prishtina e Re me një sipërfaqe prej 1,000 ha. Këto hapësira të reja do të ofrojnë mundësi shtesë për zhvillimin e biznesit sipas standardeve më të mira.

Me PSZHUP janë të detajuara sidomos dy zonat industriale. Zona ekzistuese industriale
që shtrihet në aksin rrugor Prishtinë – Fushë Kosovë, me një sipërfaqe neto prej 60 ha, momentalisht administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe procesi i privatizimit është në vazhdim. Zona e dytë industriale është në veri-perëndim të Prishtinës me një sipërfaqe të dedikuar prej 600 ha. Kjo është momentalisht hapësirë e identifikuar, e pa ndërtuar dhe pa infrastrukturë përcjellëse. Edhe kjo zonë është në  administrim të AKP-së.