Lajmet   Komuna e Fushë-Kosovës i ka ndarë titullin post-mortem “Qytetare Nderi”, mësueses shqiptare, Vezire

Komuna e Fushë-Kosovës i ka ndarë titullin post-mortem “Qytetare Nderi”, mësueses shqiptare, Vezire Gjiraku, e cila ka qenë ndër mësueset e para në Kosovë e që shpërndau dituri për nxënësit kosovarë - 16 qershor 2017

Në një akademi solemne, mbajtur në sallën e asamblesë komunale u nda mirënjohja më e lartë që ndan Komuna e Fushë-Kosovës: “Qytetare Nderi  për vitin 2017”.  Përveç udhëheqjes komunale prezentë në këtë akademi solemne ishin edhe djemtë e mësueses Vezire, Bardhyli dhe Arbeni si dhe simboli i rezistencës baca Adem Demaçi. Çmimi ishte planifikuar t’i ndahej mësueses Gjiraku sa ishte gjallë, mirëpo, ajo para pak kohësh, befasisht, ndërroi jetë, ende pa i mbushur 95 vjet.

Kryetari  i Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, në fjalën e tij tha se ka nderin që një çmim të këtillë t’ia ndaj një mësueseje, një nëne, një motre kosovare që dha shumë në Kosovë dhe në Shqipëri.

Inspektim  Inspektim  Inspektim
Inspektim  Inspektim  Inspektim

Për biografinë e mësueses Vezire Gjiraku, foli Drejtori Komunal i Arsimit z. Islam Shabani, i cili ndër të tjera tha se Vezire Gjiraku (1922), fëmijërinë e kaloi në lagjen e vjetër  të Prishtinës në Tophane, aty ku dikur kalonte ‘përroi’... Veçse, i ati, Halil Gjiraku, për veprimtari patriotike, përndiqet nga regjimi mbretëror serb, kështu që, së bashku me familjen gjashtë anëtarëshe – me gruan Belgjyzare dhe katër fëmijët (më i madhi pesë vjeç dhe më i vogli gjashtë muajsh), detyrohet të kalojë në Tiranë, ku pas dy muajsh sëmuret - vdes në spital. Kështu, tre fëmijët më të rritur i strehon Kryqi i Kuq në “Strehën Vorfnore” në Tiranë.

     Vezirja kryen shkollën fillore dhe Institutin Femëror “Nana Mbretëneshë” në Tiranë. Me dekret të Ministrit Ernest Koliçi, më 1941, në Kosovë vijnë 200 mësuesë për të hapur shkollat e para shqipe.

Vezirja e re, sapo mbaron liceun “Nana Mbretëneshë”, në dhjetor 1942, kthehet në Prishtinë. E  emërojnë mësuese në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina”, ku Drejtor ishte Dervish Bejleri.  

Ndryshe, Vezire Gjiraku ka qenë mësuesja e parë e Adem Demaçit dhe shumë atdhetarëve të tjerë kosovarë.

Në maj 1943, zhvillohet një demonstratë e madhe në Prishtinë kundër pushtuesve italianë. Vezirja, së bashku me shoqen e saj, Agllai Plakun, po kështu mësuese, po mbante flamurin kombëtar në krye të masës protestuese. “Përball nesh, në mesin e shokëve po qëndronte Ademi, një djalë zeshkan, i hijshëm. Aty, për herë të parë u pamë dhe aty lindi dashuria...U pa që mendimet dhe ndjenjat tona puqeshin. Ndihmoi edhe fakti që unë isha kosovare” – flet Vezirja po kaq e bukur në rininë e saj, të cilën e kujtojnë po me kaq dashuri nxënësit e saj.

Adem Selimi, pjesëtar i NDSH-së, ishte i njohur si Adem Gllavica.  

     Një vit më pas, Vezirja dhe Ademi fejohen, shkojnë në Tiranë për të bërë celebrimin në Gjendjen Civile të kryeqytetit, dhe, aty nga fundi i verës, kthehen dhe bëjnë dasmën në Prishtinë.

     “Dasma u zhvillua në hollin e Gjimnazit ‘Sami Frashri’ në Prishtinë, ku morën pjesë rreth 400 të ftuar! Midis tyre kishte edhe shumë personalitete të vendit, si: Kolonel Fuat Dibra, Prof. Ahmet Gashi, Shahsivar Aliu...” - kujton këndshëm Vezirja.

 Kjo, mbase, do të mbetet një nga dasmat më të veçanta a-la gjimnaziste të kohës!

Me foshnjë e me djep në burg

      Ademi, si atdhetar i njohur, bashkohet me të gjithë luftëtarët e lirisë që nuk po e duronin zgjedhën sllave në Kosovë, por gjakonin bashkimin me atdheun. Si komandant merr pjesë në luftën e Ferizajt, në dhjetor 1944, që do të jetë sinjali i parë antikomunist në Evropë, pastaj në Gjilan, në Drenicë, në Mirditë, e gjetiu. Për disa kohë edhe Vezirja del në malin e Plitkoviqit, afër Gadimes së Epërme, por, duke qenë shtatzënë, tërhiqet në Gllavicë të Lypjanit, fshat i lindjes së Ademit.

Me muaj të tërë rri e fshehur, e veshur me tesha grash fshati, që të mos e diktonin njerëzit e OZNA-s.

 Më 25 gusht 1945, Vezirja bëhet nënë, lind djalin.

Lufta botërore kishte mbaruar, por qëndresa e nacionalistëve ende jo. Ademi, që ndodhej në male, diku në Krojmir, merr lajmin e lindjes së djalit. Shkon natën për ta parë dhe e pagëzon me emrin Bardhyl.

Ndërsa Bardhyli, tashti burrë 67 vjeç, shpjegon kuptimin e emrit të tij: Është emër i lashtë iliro-shqiptar, që mësuesit e gjuhës e përdorin si argument për të treguar lidhjen midis shqipes e ilirishtes – Bardh-Yll, Yll i bardhë...

 

     Ndërkaq Vezires, dy javë pasi kishte lindur djalin, i çon fjalë Ademi që të nisej sa më parë për Shqipëri. Mirëpo, në Ferizaj e ndalon një patrullë e OZNA-s dhe, bashkë me foshnjën, e burgosin, shkas ishte Ademi.

Nëna e Vezires, Belgjyzari, e cila ndodhej bashkë me të bijën, i çon tesha, ushqime, govatën dhe një djep për djalin. Në burg të Ferizajt e mbajnë tri javë.

    “Kur më liruan, mora rrugën për Tiranë, por kjo qe bllokuar, kështu që u ndala në Prizren dhe për disa kohë punova mësuese në Shkollën Fillore “Bajram Curri”, ku Drejtor ishte Tajar Hatipi. Porse, pas disa muajsh, punëtorët e UDB-së më thirrën mua dhe shumë intelektualë të tjerë të ardhur nga Shqipëria, dhe kërkuan që të merrnim nënshtetësinë jugosllave. Unë nuk pranova. Kështu vepruan edhe shumë arsimtarë të tjerë, që kishin ardhur në Kosovë për të shërbyer.

Atëherë, pa na lënë kohë as t’i merrnim plaçkat, na hipën në një kamion dhe na nxorën përtej kufirit, në Kukës. Në verë 1946, u nisëm për në Tiranë. Aty na e siguruan një shtëpi me qira dhe më pas edhe punë.”

    E kërcënuan: Nuk ke punë me gra e me vajza!

     Tani, për këtë grua të re, nisin rrugë të tjera, jo të lehta, me gjithë vullnetin që të zhvillonte mësimdhënien e arsimimin e nxënësve, qetë.

     Me të kaluar në Shqipëri, e emërojnë mësuese në fshatin Shullaz të Krujës, ku do të punojë në kushte tepër të rënda, ndërsa për Bardhylin po kujdesej e ëma, Belgjyzari. Atje, përveç mësimdhënies, po zhvillonte edhe kurse kundër analfabetizmit, po luanin pjesë teatrale e aktivitete të tjera.

Vezirja mësimin po e zhvillonte në një dhomë të vogël pa banka dhe pa dritë të mjaftueshme. Ajo dhomë më parë kishte qenë Teqe, rreth e përqark saj ishin varret e fshatit... Ndërsa po banonte në shtëpinë e Kryetarit të Këshillit, Hysen Tare, sigurimi po e ndiqte në çdo hap, ngaqë e dinin për kë kishte qenë e martuar.

    Ngjarja e një nate, që e tronditë mësuesen e re: “Një natë, disa syresh, me ballë e qafë të lidhur me shami të kuqe, me kostume kombëtare, hynë në shtëpinë ku banoja duke thirrur - Ku është mësuesja? Bile, ata i ranë derës së dhomës ku flija me tytë të pushkës, duke më urdhëruar që ta hapja menjëherë. S’pata kohë as të vishesha, vetëm pallton e hodha krahëve. Shkuam në dhomën e miqve. Ishte dimër e bënte ftohtë. Po dridhesha nga frika e nga ndonjë e papritur e keqe. Isha vetëm 22 vjeçe. Më kërcënuan se po t’i vazhdoja veprimtaritë e mia jashtëmësimore, do të hakmerreshin. ‘Nuk ke punë me gratë dhe me vajzat e fshatit!’ - më urdhëruan. 

      Mësuesen edhe më tej nuk do ta lënë rehat. Me transferimin e saj tashti në qytetin e Krujës, një ditë të 16 tetorit 1947, shkojnë dy policë të Degës së Punëve të Brendshme dhe e arrestojnë brenda në shkollë, me arsyetimin kinse “për punë armiqësore”, bashkë me një grup arsimtarësh! E burgosin me të edhe Zenel Sopatin, mësues në të njëjtën shkollë ku ishte edhe Vezirja dhe ku Drejtor ishte Abdyl Keçi.

Bardhyli tregon: “Kur e dënuan nanën me 6 muaj dhe e futën në burgun e Krujës, unë mbeta me tezen dhe me gjyshen, e cila më çonte në Krujë për ta parë nanën, por policët i thoshin – “edhe ky do të bëhet kriminel si i ati!”

Në mars 1948, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, e lirojnë pa dalë në gjyq. 

     Pas mësuesisë në Krujë dhe në fshatin Kashar, Vezirja kalon të punojë në Tiranë. Aty njihet me një mësues komunist, Mahmut Mezinin, tiranas. Duke kuptuar gjendjen ku ndodhej, në vitin 1949 martohet me të.

“Vendosa të martohesha, meqë nuk dija asgjë për ish/burrin tim, të cilin shumëkush e konsideronin të zhdukur. Bashkë me Mahmutin dhe me djalin shkuam të punonim si arsimtarë vullnetarë në Tropojë, për një vit. Aty më lindi vajza Iliriana, pikërisht në fshatin Viçidol, të kryeministrit Berisha.

    Që nga viti 1951 deri më 1972, kur e përmbyllë karrierën arsimore, Vezirja punon në shkolla të ndryshme, në Cakran të Fierit, në Tiranë e në “Hasan Vogli”, në “Kongresi i Përmetit”, “Migjeni”, “Luigj Gurakuqi”, e vitet e fundit edhe si edukatore në kopshtet e fëmijëve.

Tashmë ishte nënë e pesë fëmijëve, përveç Bardhylit e Ilirianës, kishte edhe Pëllumbin, Arbenin dhe Shkëlzenin. Veçse, tashmë fëmijët e zonjës Vezire kanë marrë rrugët e mërgimit, Pëllumbi jeton në Boston (SHBA), Arbeni e Shkëlzeni në Athinë (i shoqi Mahmuti, vdes më 1982.)

 

Dashuri kurrë e harruar

    “Gjithë kohën, që kur mund të kuptoja, nëna më fliste për Ademin, duke ma përshkruar me ngjyrat më të bukura. Sigurisht, këtë e bënte, edhe, që unë të rritesha me një frymë pozitive, me një motiv në jetë. Por, paralajmëronte të mos e bëja fjalë me askënd, sepse pushteti komunist si atëherë, në fillim, kur sillej si bishë, edhe më vonë, mund të na bënte keq! Ndërkohë, Mahmuti, ca nga paragjykimet, ca nga thashethëmet, ca nga ngacmimet që i bënin në parti për dyshimet për të shkuarën e Vezires, grindej gjithnjë e më shpesh me të. Jeta familjare s’ishte e lumtur, ndonëse nana lindi katër fëmijë me të.

    Unë u rrita me një ‘sekret’ të madh dhe me një ankth. Sidoqoftë, u bëra i mbarë, mësova dhe dola shkëlqyeshëm në të gjitha ciklet e shkollës, përfundova me notat maksimale. Bujar Hoxha, mik i familjes së nanës, kosovar, Shef i Katedrës së Filozofisë në Universitetin e Tiranës, më mori asistent për të dhënë, krahas matematikës, edhe leksione të materializmit dialektik. Tetë vjet dhashë mësime në shumë fakultete të Universitetit. Atje njoha edhe time shoqe, Vjollca Çarkaxhinë (mjeke), me prejardhje nga Gjakova. E kisha si synim të martohesha me një vajzë kosovare, gjithnjë i frymëzuar nga tregimet e nanës dhe të gjyshes.

Në fund të një stazhi në prodhim ku provohesha për të hyrë në Partinë e Punës, më ngritën problemin e biografisë dhe, pasi zbulojnë se Ademi ishte im atë dhe pas një pakoje të dërguar nga ai, më degradojnë nga një mësimdhënës fakulteti në mësues fshati, për 15 vjet, Mahmutin e përjashtojnë nga Partia, ndërsa Ilirianën e largojnë nga Gjykata ku punonte si juriste.”- tregon sot i biri i Vezires, Bardhyli, duke shtuar:

“Të gjitha përjetimet e mia nana i ka përballuar me stoicizëm. Për më tepër, kur unë isha në fshat, ajo m’u ndodh pranë duke m’i rritur dhe edukuar të dy djemtë, Gentianin dhe Indritin.”

 

      Ritakimi i Ademit me Veziren

      Bardhyli takohet me të atin, në Romë, më 1990, pas 45 vjetësh. Mirëpo, pak muaj më pas Ademi merr udhë për në Tiranë, për t’u takuar me dashurinë e rinisë, kurrë të harruar, siç do të shkruajë në letrat dërguar nga Australia. Ndërsa Bardhyli këtë takim e përshkruan me emocione:

    “Ishin momente mallëngjyese kur u takuan babai me nënën, pas plot 46 vjetësh! Ishin ndarë të rinj, e tani shiheshin si pleq!” – fshin lotët Bardhyl Selimi, duke përqafuar zonjën nënë, Veziren. - Më ka rritur me përkushtim dhe me shumë mundime! - thotë.

Baba, porse, tërë kohën donte të kthehej në Kosovë, mirëpo përkeqësimi i shëndetit bëri që edhe pas 1999-tës të mos mund ta shihte! Më 4 shkurt 2001, ndonëse kishte shprehur dëshirën që të kalonte pjesën e mbetur të jetës tek unë, në Tiranë, ndërroi jetë.”

     Zonja Vezire Gjiraku, ndërkaq, pas largimit më 1946, për 66 vjet të plotë kurrë më nuk “u takua” me Prishtinën, as me shtëpinë e dajave, ku u rrit. Rëndimi i sëmundjes së zemrës, nuk ia mundësoi këtë udhëtim as pas vitit 1999, kur Kosova u çlirua, pavarësisht dëshirës së flaktë. Këtë e bënë fëmijët e saj, Iliriana e Bardhyli.

Që prej disa vitesh, Vezirja nuk mund të lëvizte lirisht as në shtëpi, ndonëse mendërisht ishte ende e kthjellët. Asaj i shërbeu 24 orë e bija Iliriana, 67 vjeçare, pensioniste, e pamartuar, ish/ juriste me profesion. Djali i madh Bardhyli, jeton në një apartament jo shumë larg dhe vinte çdo ditë për ta parë. Dy djemtë tjerë, Shkëlzeni dhe Pëllumbi, jetojnë në emigracion, në Greqi dhe SHBA, ndërsa Arbeni, është kthyer nga Greqia që disa vjet dhe banon në Vlorë. Të gjithë janë të martuar.

 

Në ditën kur Komuna e Fushë-Kosovës planifikonte që për nder të 12 Qershorit - Ditës së Çlirimit, zonjës Vezire t’i ndante titullin më të lartë që ndan Komuna “Qytetar nderi për vitin 2017” ajo ndërroi jetë në Tiranë për të na lënë kujtimet më të mira për te. 


RSS

Sign in