Lajmet   Mbahet dëgjimi i tretë publik me qytetarë, prezantohen 70 projekte

Mbahet dëgjimi i tretë publik me qytetarë, prezantohen 70 projekte - 25 gusht 2017

Komuna e Fushë-Kosovës ka publikuar buxhetin total për vitin 2018, i cili arrin shumën prej 10 milion e 211 mijë e 821 euro, kurse vetëm për investime kapitale për vitin 2018 janë planifikuar 4milionë e 65 mijë euro.

Këto publikime u prezantuan gjatë dëgjimit të tretë publik me qytetarë, rreth ‘Planit të buxhetit 2018-2020’, të mbajtur në objektin e Komunës së Fushë –Kosovës.

Përveç qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës, të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin: përfaqësues të OSBE-së, organizata joqeveritare, asamblistë të Kuvendit të Komunës.

Ramadan Jashanica, Drejtor i Financave dhe Buxhetit në Komunën e Fushë-Kosovës, tha se përpjekjet e Komunës së Fushë-Kosovës do të vazhdojnë në përmbushjen e nevojave të qytetarëve në të gjitha sferat e mundshme (shkolla, asfaltime, kanalizime, ndriçime publike, ndërtim të shtëpive për rastet sociale, palestra sportive etj.).

“Janë gjithsej 70 projekte të cilat priten që të realizohen brenda kësaj periudhe kohore, e që janë projekte dhe investime të cilat ju interesojnë qytetarëve për ta ditur se nga po shkojnë investimet. Këto janë projekte të cilat janë bazuar në kërkesat e qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës dhe si prioritet kryesor i kemi projektet e lartpërmendura të cilat do të realizohen në fshatra dhe në qytet” tha Jashanica në këtë dëgjim publik.

Drejtori i Financave dhe i Buxhetit u tha të pranishmëve se shumë kërkesa tuaja që po parashtrohen në këtë takim, janë planifikuar dhe janë në realizim e sipër. Kërkesat tjera, të cilat vijnë nga ky dëgjim publik, do të inkorporohen në tabelën buxhetore për investime kapitale për vitin 2018.

Ne këtë dëgjim, i cili është i treti me radhë, vërehet një ndryshim mes qarkores buxhetore 1/2018 dhe qarkores buxhetore 2/2018. Ne e kemi bërë  rritjen e buxhetit për 83,585.00 euro për mallra e shërbime në sektorin e shëndetësisë, kryesisht për barna, pasi që kjo ishte e kërkesë e qytetarëve pjesëmarrës në dy dëgjimet paraprake. 

RSS

Sign in