Trashëgimia Kulturore

Gjakova është e njohur për numrin e madhë të monumenteve kulturore, historike e të trashëgimisë.

Monumenti më i madhë është kompleksi i Çarshisë së madhe, një zonë brenda së cilës janë me qindra dyqane dhe objekte të tjera të rëndësishme, kulturore, historike e fetare.

Çarshia u ndërtua në hapësirën në mes lumit Krena dhe Çabratit e që daton në vitet 1594/95, kur Bizeban Sulejman Efendiu i njohur me emrin Hadim aga me prejardhje nga fshati Guskë në afërsi të Gjakovës, pasi jetoi një kohë në Stamboll në oborrin e sulltanit, vendosi të kthehet dhe të ndërtoi një xhami e cila mori emrin Xhamia e Hadumit.  

                                 

Ky është një objekt i rrallë monumental dhe vepër e përkryer si nga aspekti arkitektonik ashtu edhe artistik. Ky objekt u ndërtua në fushën e Jak Vulës, ndaj edhe qyteti, në fillim mori emrin Jakovë.

 

Në afërsi të Xhamisë filloi ndërtimi i objekteve në formë kompleksi të terësisë urbane, dhe kështu u krijua Çarshia e Madhe, e cila formën e vet definitive e merrë në gjysmën e dytë të shek. XIX. Po në afërsi të xhamisë u vendos shtresa më e pasur – bejlerët të cilët ndërtuan kulla madhështore në sheshin të quajtur “Fusha e Sahatit”. Qyteti u zhvillua mjaft shpejt, ku u ndërtuan edhe shumë shtëpia qytetare me vlera të mëdha artistike, shumica e të cilave nuk ekzistojnë më. Aksientet tjera janë objekti  i Hamamit  të qytetit, Kulla e Sahatit, disa ura e që vlenë përmendur Ura e Islam Begut, me katër qemer guri gjysëm rrethor dhe harqe shkarkuese e ndertuar në shek.XVIII, Ura e Tabakëve me nëntë qemer guri dhe harqe shkarkuese shek.XVII, Ura e Terzive me njëmbëdhetë qemer guri, dhe Ura e Taliqit shek. XVIII. Qyteti u zhvillua mjaftë shpejtë dhe si degë kryesore të ekonomisë ka qenë zejtaria, tregëtia dhe bujqësia. Qyteti kishte lidhje tregëtare me Shkodrën, Kosovën, Maqedoninë dhe vende tjera të ballkanit.

Brenda këtij kompleksi gjenden edhe objektet tjera të rëndësishme te  trashëgimisë së qytetit,  Teqeja e madhe dhe ajo e Bektashinjëve, Medresja e madhe.

Në hapësiren e këtij kompleksi gjenden edhe objekte të tjera që kanë të bëjnë me trashëgimin, kulturën dhe zanatin, e qytetit, sic janë Kulla e sahatit, Kulla e Koshit, apo objekti i “Taphanes” në të cilin dikur është bërë përpunimi i lëkurave nga tabakët.

 

 

Por permendore nga periudha të ndryshme kohore përbejnë pjesë të trashëgimisë së pasur të Gjakovës.

 

 

    Përmendore nga periudha antike

        

    Në fshatin Doblibare gjendet një lokalitet arkeologjik, i cili është nën mbrojrjen e ligjit (PZ 926/67), por vendimi nuk gjendet askund.

 

    Nekropol ilir me tuma në fshatin Qerim, në pronën e Nik Laskut, ku gjenden disa kodra të tipit të tumulave, në të cilat varroseshin dardanët.

Në arsyetimin e vendimit mbi mbrojtjen e kësaj përmendoreje thuhet se në pronën e Nik Laskajt gjenden disa grumbuj dheu në formën e tumave, në të cilat janë varrosur dardanët, fis ilir, i cili ka jetuar në këtë terren në mileniumin e parë të eres së vjetër. Shumësia e keramikës provinciale romake flet për zhvillimin e bujshëm kulturor dhe ekonomik të kësaj zone në periudhën antike.

Është nën mbrojtjen e ligjit më 1967.

 

       

Tumulë ilire në fshatin Ujz në pronën e Ndoc Dedës

        

Në arsyetimin e vendimit mbi mbrojtjen e këtij monumenti thuhet se ekipi i Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës gjatë rekognostimit të terrenit ka hasur në një tum ilir me diameter prej 15 metrash dhe me një lartësi rreth 1,7 m, që të shtyn të supozosh se këtu është fjala për një varr të ndonjë prici ilir.

Është nën mbrojtjen e ligjit më 1967.

        

Mbeturinat ndërtimore në fshatin Raçë.

 

 Në arsyetimin e vendimit mbi mbrojtjen e këtij objekti thuhet se në kodrën e fshatit Raçë, në vendin që quhet “Kisha katolike”, në bregun e majtë të prroit Raçicë, gjenden mbeturinat e mureve të një fortifikate antike romake. Sasia e matreialit arkeologjik (keramikës) të gjetur në at vend dhe gjithkund përreth arave si dhe mbeturinat e mureve në arat e afërme na shtyjnë të supozojmë se këtu bëhët fjalë për një përmendore të rendësishme të të kaluarës sonë.

Është nën mbrojtjen e ligjit më 1968.

 

 Ndonëse nuk janë bërë gërmime sistematike arkeologjike, gjetjet e shumta të rastit, tanimë të zhdukura, kanë tërhequr vëmendjën e shumë studiusëve qysh në shek.XIX. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore fillojnë gërmimet në Rogovë të Hasit dhe në Sukën e Cërmjanit. Gërmimet vazhdojnë më 2001 në Tumat e Rakovinës, më 2002 në Tumën e Moglicës dhe më 2004 përsëri në Rogovën e Hasit. Më 2001 ështaë bërë përnjohja e terrenit në kuadër të projektit “Harta arkeologjike” e luginës së Drinit të Bardhë. 

        

 Nga përmendoret më të rëndësishme të periudhës osmane

       

 

 Varri i nënës së Hadum ages në fshatin Guskë

         

Sipas traditës popullore thuhet se familja e Hadum ages, themeluesit të Xhamisë së Hadumit dhe të shumë objekteve të para publike në Gjakovë, ishte me origjinë nga fshati Voksh, prej nga u shpërngul në fshatin Guskë afër Gjakovës. Banorët e Guskës, që janë të gjithë katolikë, e nderuan këtë varr dhe e ruajtën me përkushtim gjatë një periudhe mbi katër shekullore.

 

Kjo është përmendorja e parë shqiptare e periudhës osmane, dëshmia e parë materiale, e cila provon se në Kosovë shqiptarët nuk janë ardhacakë, të cilët u shpërgulën nga Shqipëria pas të ashtuquajturës Shpërngulje të Madhe Serbe nën udhëheqjën e patrikut të Pejës, Arsenije Çarnojeviqit më 1690.

 

 

Xhamia e Hadumit e ndërtuar më 1594/95

 

Kompleksi i Xhamisë së Hadumit, simbolit të qytetit të Gjakovës, me të cilin, sipas traditës, lidhej edhe fillimi i jetës qytetare, paraqet qendrën kulturore, arsimore dhe fetare të këtij vendbanimi. Pranë saj gjendej biblioteka më e madhe se vet xhamia dhe, pranë bibliotekës,  shkolla. Sylejman Hadim aga, pos këtij kompleksi, ndërtoi,në afërsi, një muvakit-hane, një han, një hamam dhe disa dyqane që përbejnë bërthamën e Çarshisë së Madhe. Të huajt e konsideronin “monument i kulturës shqiptare … monument unikat në të gjitha trojet shqiptare” (Ridelmajer), që “mund të bënte gara lirisht me xhamitë në Stamboll” (Myller).

Planimetria e saj përbëhët nga salla e lutjeve, hajati dhe minareja. Salla është e mbuluar me kube të konstruktuar drejtëpërdrejt mbi te nëpërnjet të trompeve në këndët e mureve konstruktive. Ky konstrukcion specifik paraqet të vetmen zgjidhje të këtillë ndërtimore në Kosovë.

Enterieret janë të zbukuruara me arabeska, me pikturë murale, me pejsazhe të stilizuara, në disa raste me motive të arkitekturës popullore (të kullave të Dukagjinit), pastaj, me selvi, natyra të qeta, ornamente bimore, figura gjeometrike, citate të kuranit.

Përreth saj gjendeshin varret me nishane të realizuara në plastikë guri të  personaliteteve të njohura të Gjakovës me rrethinë.



 

 

 

 

Më 1999 u dogj ky kompleks, nga i cili shpëtoi vetëm xhamia me minarenë e granatuar, me hyrjen e djegur dhe me arabeskat e dëmtuara.

Në arsyetimin e vendimit mbi mbrojtjen e këtij kompleksi, që përfshinte xhaminë, bibliotekën, shkollën, shatërvanin dhe varrezat, thuhet se xhamia, e ndërtuar nga guri me themele katrore me kupolë mbi trompe dhe tremin me tri kupola mbi shtyllat masive, për kah mënyra e ndërtimit, për kah madhështia e ruajtja e saj, paraqet përmendore të rëndësishme të arkitekturës mesjetare islame.

Është nën mbrojtjen e ligjit qysh më 1955.

 

Tërësia urbanistike e Çarshisë së Madhe

 

Çarshia e Madhe paraqet njerin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Shtrija e saj nga veriu në jug arrin në 1000 m., ndërsa sipërfaqja e gjithëmbarshme e saj është 34.000 m2. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës. Në te u zhvilluan të gjitha zejet e mundshme.

Ka vlera shumë të mëdha kulturo-historike, por edhe shkencore.

Në pikëpamje urbanistike, Çarshia paraqet një shembull të gjallë të planit urbanistik oriental me ato elemente të pasura arkitektonike që frymëzojnë sot çdo arkitekt, paraqet një muze të vërtetë të veshur me mozaikun e larmishëm të zejeve të lloj llojshme në arkitekturën specifike të enterierëve të pasur, paraqet një laborator të madh shkollor me modele të panumërta të krijimtarisë popullore në të cilin pasqyrohet kreativiteti i pashoq i ndërtuesit në përpunimin e drurit dhe latimin e tij sa më të përsosur për nevojat e veta.

 

 

 

 

 

Në pikëpamje artitekturore Çarshia paraqet një shkollë të modeleve më të bukura të arkitekturës popullore dhe të shkathtësisë ndërtimore, duke filluar nga detajet më të imta e deri te tërësitë, prej objekteve deri në ambiente, prej ambientit deri në urbanizëm, duke mos humbur në asnjë çast masën e vërtetë, të cilën mjeshtri gjenial anonim dhe me përvojë të gjatë e ka gjetur në jetën dhe në shprehitë e zejtarëve, në hapësirën e nevojave të domosdoshme, në dimensionet njerëzore.

Është një rast i rrallë kur një tërësi urbane ruhet plotësisht dhe jeton gati e paprekur nga jeta moderne, është shembull i rrallë i bashkëjetesës së harmonishme të të vjetrës me të renë në një qytet

Më 1999 u dogj, me të gjitha përmendoret kulturore historike në te, por u ringjall pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare USAID, CORDAID etj.  

Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1955.

 

 Tyrbja e Çikave e vitit 1689

        

Më 1689, pas vdekjës së gjeneralit austriak Pikolominit, ardhjën e të cilit e priti me  entuziazëm popullsia vendëse, komandën e mori Duka i Hollshtajnit, i cili, me sjelljet e tij të shfrenuara, shkaktoi pakënaqësi aq të madhe në popull saqë banorët e Gjakovës e lëshuan qytetin dhe u strehuan në fshatrat malore. Midis të shpërngulurve ishte vëllau i Mehmet efendiut me familjën e tij, i cili e luti të vëllanë ta lëshonin së bashku shtëpinë. Por ai refuzoi.

Të gjashtë vajzat e Mehmet efendiut u vranë nga ushtarët dhe oficerët austriakë, duke mbrojtur nderin dhe pragun e shtëpisë me ujë të valë, kur po lanin petka,  në momentin kur u sulmuan në oborrin e shtëpisë së tyre.

Heroizmi i motrave la gjurmë të thella në vetëdijën e gjakovarëve, të cilët i shpallën të shenjta dhe varrezat e tyre i shpallën tyrbe, me të cilën lidhën shumë mrekulli.

Edhe një dëshmi materiale që provon autoktoninë e shqiptarëve, të cilët jetonin në tokat stërgjyshore para Spërnguljës së Madhe Serbe më 1690. 

 

Xhamia e Hasan agës në Rogovë e ndërtuar para 400 vjetësh

         

Sipas vendimit mbi mbrojtjen e këtij objekti thuhet se xhamia me minarenë janë të mbuluara me plumb, se në pjesën e brëndshme të mureve ekzistojnë tetë pilastra të fortë,  që i bartin trompet dhe kupolën, se mënyra e ndërtimit të kësaj xhamije ka ngjajshmëri me Xhaminë e Hadumit, se në te janë të ruajtura lokalet e shkollës, se zbukurimet e brëndshme pasqyrojnë artin provincial, se përreth saj ekzistonin varrezat me nishane dhe mbishkrime të periudhës më të hershme deri më 1932, kur aty u ndërtua shkolla

Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1970.

 

Kompleksi i Sukës së Cërmjanit në sipërfaqe prej 19 ari në të cilin gjendet Tyrbja e Mustafa efendiut, xhamia pa minare dhe mbeturinat e mureve mbrojtëse, pronë e vakëfit të fshatit Kodrali.

        Sipas vendimit mbi mbrojtjen e këtij objekti thuhet se maja e Sukës ishte e mbrojtur me mur të trashë, që shërbente si fortifikatë në luftërat e mëparshme dhe se brënda këtij kompleksi janë gjetur një këmbanë kishe, monedha, yzengji etj.

Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1970.

 

     

Çeta e Profetënve e Pjetër Bogdanit, pronë e Nuri Muhaxhirit, në Rrugën “M. Frashëri”

        

Në vendimin për mbrojtjen e këtij monumenti thuhet se libri-kodeks i Ungjillit të shenjtë paraqet një ekzemplar të rrallë të Ungjillit të shypur, të cilin e publikoi me tekst paralel në gjuhën italishte dhe shqipe Pjetër Bogdani, arqipeshkëv i Shkupit dhe administrator i Serbisë, doktor i shkencave filozofike dhe teologjike, në Venedik më 1691. Libri ka rëndësi të veçantë për studimin e gjuhës shqipe dhe mund të shërbejë si burim i dobishëm për studime linguistike.

Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1963.

 

     Ura e Tërzive e shek. XVIII.

         

Ura me 11 harqe në formë gjysmësharku e ndërtuar me material guri, më 1730, nga Esnafi i Terzive të Gjakovës mbi lumin Erenik lidhte Gjakovën me Prizrenin. Është e gjatë 192,8 m dhe e gjërë 5,1 m.

 Në vendimin mbi mbrojtjen e saj thuhet se përmban vlerë historike, sociologjike, artistike, urbanistike dhe kulturore.

Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1962.

 

Ura e Tabakëve e shek. XVIII.

        

Ura e Tabakëve mbi lumin Erenik, e ndërtuar nga Esnafi i Tabakëve të Gjakovës, më 1790,  lidhte Gjakovën me Shkodrën. Është e gjatë 127 m. dhe ka 14 qemere me dritare shkarkuese. Në te janë të gdhendura shumë reliefë. Në njerin nga qemerët e urës është e gdhendur një pëllëmbë dore me gishta, një rozetë e vogël me një sferë në mes dhe me rreze në mes të saj, me një figure në trjatë gërshere, vegël pune e esnafit që e ndërtoi urën.

Në vendimin mbi mbrojtjen e saj thuhet se ka vlera historike, sociologjike, artistike, urbanistike dhe kulturore.

Është nën mbrojtën e ligjit që nga viti 1962.

 

 Ura e Taliqit e shek. XVIII.

      

Është e ndërtuar mbi lumin Krena dhe lidhë pjesën më të vjetër të qytetit të Gjakovës që shtrihej në anën e djathtë të tij me pjesën më të re në anën e majtë të Krenës. Është e gjatë 21,50 m., e gjërë 4.05 m. dhe e lartë 5 m. I ka dy harqe të mëdha dhe dy shtylla. Në gjatësi prej 7 m. kishte konstruksion prej druri. 

 Në vendimin mbi mbrojtjen e saj thuhet se ka vlera historike, sociologjike, artistike, urbanistike dhe kulturore.

Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1962.

 

Ura e Fshejtë e shek. XVIII

          

Urë guri me një hark gjysmërrethor mbi lumin e Drinit të Bardhë në rrugën Gjakovë-Prizren. U shkatërrua tërësisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Më 1942 u rindërtua nga SIMONSENI i Italisë. Është e gjatë 37 m., e gjërë 7 m. dhe e lartë 18,50 m. Dëmët që pësoi gjatë luftës së vitit 1999 i evitoi KFOR-i italian. Në veri të saj shtrihët një kanion i bukur.

Aty zhvillohen garat vjetore kërcim së larti nga ura.

Ura së bashku me kanionin e Drinit të Bardhë është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1986.

        

 Teqeja e Shejh Eminit e shek. XVIII.

         

Teqeja i takon Tarikatit Saadi. Është ndërtuar më 1730, ndërsa është rindërtuar më 1856 nga vetë Shejh Emini, arkitekt i njohur i Gjakovës, i cili projektoi shumë objekte dhe komplekse të ndryshme arkitekturore.

Në konceptin arkitekturor objekti i takon arkitekturës popullore qytetare. Paraqet një kompleks objektesh me teqe, tyrbe, samahane, kroje, shtëpi dhe objekte të tjera përcjellëse. Si në entereier asgty edhe në eksterier është i pasur me elemente dekorative druri të gdhendur. Ky objekt shquhët për dhomën e mysafirëve në kat që ka formën e tetëkëndëshit.

Në vendimin për mbrojtjën e këtij objekti thuhet se ky monument është shum interesant në pikëpamje arkitekturore, se paraqet ekzemplar të rrallë të arkitekturës sakrale që do të shërbejë për studimin e përmendoreve të këtij lloji.

Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1956.

  

 Teqeja e Shejh Danjollit e shek. XIX.

           

 

Është teqeja e parë e tarikatit rifai në Kosovë, e ndërtuar në shek. XIX nga Haxhi sheh Musaja. Ai ishte i njohur si autor i ilahive dhe për bibliotekën e tij të pasur. Ka dhënë shehlerë të arsimuar që kanë shërbyer si mësues në Gjakovë dhe në vise të tjera.

Kompleksi është ndërtuar në shek XIX dhe  përbëhët nga samahaneja, tyrbeja, shtëpia dhe varrezat. Samahaneja ka një bazë katrore, brendësia e të cilës është dekoruar me arabeska, me  piktuara murale me figura gjeometrike, citate të kuranit dhe elemente floreale.

        

Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike e shek. XVII.

 

Kjo është teqeja më e vjetër e saadive jo vetëm në Gjakovë, por në tërë Rumelinë. E themeloi Shejh Sulejman Axhiza Baba (1537-1652), me prejardhje nga familja e bushatlinjve të Shkodrës, i cili qëmdroi në Gjakovë për një kohë me të tre djemt e tij Damjoll efendiun, Lutfullah efendiun dhe Abdylvehabin. Punën e tij në Gjakovë e vazhduan Danjoll efendiu, që ishte imami parë i Xhamisë së Hadumi dhe Lutfullah efendiu, myezini i parë i saj, ndërsa ai, kaloi me djalin e tij më të vogël në Prizren, ku themeloi, në Marash, gjithashtu, Teqenë e Saadive.

Në pikëpamje arkitekturore teqeja përbëhët nga samahaneja, tyrbja, shtëpia dhe varrezat.

 

Kisha e Shën Palit dhe Shën Pjetrit.

         

Gjakova kishte një traditë fetare katolike, e cila lulëzoi në kohën e Gjon Nikollë Kazazit, arqipeshkvit të Dioçezës së Shkupit. Por gjatë periudhave të ndryshme numri i katolikëve zvoglohej dhe, si rrjedhojë, famullia e saj shpesh pushonte së vepruari. Ardhja e elementit shqiptar katolik nga Malësia rezultoi me pertëritjën e kishës së Shën Pjetrit në Gjakovë më 1703, ndërsa më 1851 ripërtëritët famullia e Gjakovës. Kisha e parë famullitare në Gjakovë ishte në Çabrat e, pastaj, në Lagjën Katolike. Ajo iu kishte kushtuar Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Në luftën e vitit 1999 u shkatërrua tërësisht. Në të njejtin vend u ndërtua katedralja e re.

 

     

Kisha e Shën Ndout.

           

Shënjëtorja e Shën Antonit të Padovës ( Shën Ndout), quhej dikur edhe kisha e Patër Milës (Emilio a Cles), i cili e kishte ndërtuar më 1882, por që u shkatërrua më vonë. Më 1931, Patër Lorenc Mazrreku e ndërtoi në të njejtin vend kishën e sotme, e cila u rinovua disa herë me ç’rast iu bashkangjitën edhe konaqet, zyrat dhe nyjat sanitare, por duke iu përmbajtur konceptit arkitekturor.          

 

Medreseja e Madhe e vitit 1707

         

Qendër e rëndësishme e arsimit fetar islam. Përbëhej nga mesgjidi, nga dhomat e mësimit, nga salla e arsimtarëve, nga biblioteka shumë e pasur me libra dhe dorëshkrime të ndryshme, ndër të tjera, edhe të  pedagogëve të saj, që ishin, më parë, pedagogë të Fakultetit teologjik “Fatih” të Stambollit, nga menza, nga dhomat e fjetjës të studentëve, nga shtërvani etj.

Më 1912 u shndërrua, nga ushtria malazeze, në shtallë kuajsh, të cilëve iu shtruan fletët e librave në vend të kashtës dhe, më 1999, u dogj tërësisht nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. U rindërtua me ndihmën financiare të princit të Katarit.

          

Medreseja e Vogël e vitit  1770.

        

Qendër e rëndësishme e arsimit fetar islam. Në pikëpamje arkitekturore i kishte të gjitha hapësirat e nevojshme për një shkollë me sistem kolegji. Kishte një bibliotekë të pasur me libra dhe me dorëshkrime. Aty ruheshin edhe veprat e themeluesit të saj, dijetarit të njohur Tahir efendi Gjakovës, i cili shkroi vepra edhe në gjuhën shqipe me alfabet osman.

Është rrënuar vetvetiu pas luftës së fundit, ndërsa do të rindërtohet me  përkrahje financiare  të vakëfeve të Turqisë.

 

Shtëpia e Rexhep Haxhi Ismailit. shek.XIX

        

Është ndërtuar kah viti 1830. Paraqet një arritje kulmore të banesës qytetare me qoshk në Kosovë. Ka dy kate dhe dy qoshqe interesante. Ka sistem interesant mgrohjeje. Tavanat janë të zbukuruar me drugëdhendje.

Në arsyetimin e varfër të vendimit mbi mbrojtjen e këtij objekti thuhet se është një objekt shumë interesant arkitekturor, i cili përmban të gjitha karakteristikat e arkitekturës së vjetër banesore qytetare. Në këtë ndërtesë është vendosur Muzeu Rajonal.         

Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1955.

 

Varri i Dah Polloshkës i vitit 1845 në Nakarade

        

Në mars 1845 vazhdoi kryengritja kundër dorëzimit të armëve në Gjakovë, të cilës iu bashkuan fiset e Malësisë në krye me Binak Alinë dhe Sokol Ramën. Rreth 8 mijë kryengritës çliruan Gjakovën. Por seraskeri i Rumelisë, kreatori i Masakrës së Manastirit, shqiptarvrasësi Mehmet Reshit pasha, arriti ta shtypë me gjak kryengritjën, duke masakruar shumë kryengritës. Daut agë Polloshka organizoi atentat kundër Reshit pashës dhe, kur iu afrua tendës së tij, e diktojnë truprojet e pashait, të cilët e arrestojnë dhe, me urdhërin e seraskerit, ia bëjnë trupin copë e grimë.

E ëma mezi arriti të marrë leje nga seraskeri për ta varrosur të birin diku afër vendit të ngjarjës. Ruhët një cikël këngësh popullore kushtuar heroizmit të tij.

 

 Shtëpia e Abdullah pashë Drenit.

         

Kjo është një banesë trekatëshe në formë kulle prej tullash me frengji, që bën pjesë në selamllëkun e sarajeve të Abdullah pashë Drenit. Sot kati i parë nuk dallohet nga jashtë  për shkak të ngritjës së nivelit të rrugës kryesore, e cila, nëpërmjet të urës së Islam beut, lidhë dy pjesët e qytetit.

Pos vlerave arkitekturore ka edhe rëndësi historike, sepse në te u vra mareshali Mehmet Ali pasha, i cili kishte arritur në Gjakovë për dorëzimin Malit të Zi dhe Serbisë të atyre tokave shqiptare

që ishin paraparë në Kongresin e Berlinit. Dega e Lidhjës Shqiptare në Gjakovë ftoi forcat e veta prej  mbi 10 mijë luftëtarësh, që u vendosën nëpër shtëpitë e qytetit, i cili ishte shndërruar në kazermë ushtarake. Për ushqimin e tyre qytetarët hapën hambarët dhe koshat; mullinjtë e qytetit bluanin pa ndërpre për të siguruar miell, ndërsa furrtarët piqnin bukë pa u ndalur për luftëtarët e lirisë. Zejtarët armëtarë punonin natë e ditë për të siguruar armë dhe municion, ndërsa për sistemimin e të plagosurve u caktuan shtëpi të veçanta ku berberët dhe mjekët popullorë kujdesëshin për t’ua shpëtuar jetën të plagosurve.

Pas bisedimesh të pasukseshme në sarajin e rrethuar të Abdullah pashë Drenit, kryetarit të Degës, prej 1-3 shtator 1878, filloi lufta që zgjati deri më 6 shtator, në të cilën u vranë, nga të rrethuarit, Mehmet Ali pasha, Abdullah pashë Dreni, Bajram agë Rrustemi etj. dhe ushtarë osmanë, ndërsa nga ana e Lidhjës 400 vullnetarë.

Në këtë kullë është i vendosur Muzeu i Degës së Lidhjës Shqiptare në Gjakovë.

 

Shtëpia e Sylejman Vokshit e shek. XIX.

 

Kullë guri e ndërtuar nga Heroi i Popullit Sulejman Vokshi, veprimtar i dalluar i Lëvizjës Kombëtare Shqiptare, nismëtar i themelimit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) dhe udhëheqës i shquar politik dhe ushtarak i saj, anëtar i Komitetit Qëndror të saj,  kryetar i Komisionit për Finansa i saj dhe kryetar i Degës së Lidhjës Shqiptare në Gjakovë. Ishte njeri ndër organizatorët e luftës kundër Mehmet Ali pashës. Si anëtar i Shtabit Ushtarak të Lidhjës ishte njeri nga udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë në betejat për mbrojtjën e Plavës dhe të Gucisë.

Në Qeverinë e Përkohshme të Lidhjës (1881) ishte komandant i forcave të armatosura në krye të të cilave e shtriu pushtetin e Lidhjës në Shkup, Pristinë, Mitrovicë, Lumë, Guci, Vushtrri, Preshevë etj.

I priu ushtrisë së Lidhjës në betejat e ashpra kundër Dervish pashës në Shtimje dhe në Slivovë dhe, së fundi, në Qafën e Morinës, ku pësoi disfatë ushtria osmane.

Pas thyerjës së Lidhjës dhe shpërndarjës së qeverisë së saj e vazhdoi qëndresën, duke u përpjekur t’i riformojë degët e saj deri më 1885, kur u arrestua pabesisht mga mareshali Vejsel pasha.

Për veprimtarinë e tij patriotike ishte denuar rreth 20 herë nga gjykatat osmane. Herën e fundit u denua me vdekje, por, nën presionin e Lëvizjës Kombëtare Shqiptare, dënimi iu shdërrua në burgim të përjetshëm.

Në arsyetimin mbi mbrojtjen e këtij objekti thuhet se S. Vokshi ishte udhëheqës dhe komandant i shquar i forcave të armatosura të Lidhjës së Prizrenit, se gjithë jetën ia kushtoi luftës për  çlirimin kombtar, se për këtë u burgos dhe u internua 15-20 herë, se më 1885 Gjykata e Jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje.

 Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1980.

 

Kulla e Mustafa Vokshit e shek. XIX në rrugën “M.Frashëri

           

Kullë dykatëshe tullash e vëllaut të S. Vokshit, Mustafait, veprimtar i Lëvizjë Kombëtare Shqiptare.

Aty lindi, i biri, Beqir Vokshi, pjesëmarrës një kryengritjet kundërosmane 1910-1912 dhe në të gjitha ngjarjet tjera të bujshme deri më 1918, kur formohët Komiteti për Mbrojtjën Kombëtare të Kosovës, anëtar i të cilit ishte si përfqësues i Gjakovës, pastaj u zgjodh ndihmës i Sekretarit të Komiatetit.

Dha kontribut të madh në përgatitjën e informacionit statistikor, të nevojshëm për denoncimin e terrorit serb në Kosovë.

Ishte komandant i Zonës Neutrale të Junikut deri më 1923.

La disa vjersha patriotike në dorëshkrim.

Është dekoruar me Urdhërin për Veprimtari Patriotike të Klasit I.

Sabrije Vokshi iu bashkua, që në rini, lëvizjës së rezistencës kundër pushtimit serb, duke e ndihmuar të vëllanë, Beqirin, në Zonën Neutrale të Junikut deri më 1923.

Në pamundësi për të jetuar në Gjakovë kalon me familje në Tiranë, ku i bashkohet lëvizjës demokratike në Shqipëri. Pas 1935, e ndihmon veprimtarinë ilegale të nipit të saj, Asimit deri në kalimin e tij në Spanjë.

Mori pjesë në demostratat antifashiste në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Shtëpia e saj ishte bazë e lëvizjës ilegale, që rezultoi me burgosjën dhe, pastaj, internimin e saj në Junik.

Në Kosovë e vazhdoi veprimtarinë antifashiste ilegale derisa iu bashkua njësive partizane. Në Konferencën e Bujanit raportoi për ndihmesën e gruas në LANÇ.

E pakënaqur me gjendjen e krijuar në Kosovë pas LANÇ, pas anulimit të vendimeve të Bujanit, fillojnë persekutimet politike, duke e shkarkuar nga të gjitha funksionet dhe duke e izoluar totalisht deri pas Plenumit të Brioneve. Nënë Bija u shndërrua në simbol të patriotizmit të gruas shqiptare, në frymëzim për shumë poetë e rapsodë, njeri nga të cilët shkroi:”Nënë Bia, ti je grua, ti je nënë, ti je gjyshe…ti je vetë Shqipëria…”

Heroi i Popullit Asim Vokshi, nipi i Beqir dhe Bije Vokshit, pasi mbaroi studimet në Itali iu bashkua Lëvizjës demokratike në Shqipëri, e cila kulmoi me Kryengritjën e Fierit 1935, në të cliën mori pjesë dhe u burgos. Pas burgut e vazhdoi luftën ilegale, duke nxjerrë, më 1936, revistën demokratike ABC. U vra në Spanjë në krye të një reparti garibaldin.

Dëshmori Dërgut Vokshi, vëllau i madh i Asimit, iu bashkua lëvizjës demokratike në Shqipëri dhe, në Kosovë, LANÇ. Uvra në Landovicë më 1943.

 

 Varri i Maxharr pashës i vitit 1878.

          

Marshali Mehmet Ali pasha (Karl dë Troa) lindi në Magdenburg në një familje hugenotësh francezë. Pas vdekjës së prindërve iku në Stamboll, ku kaloi në fenë islame dhe kreu akademinë ushtarake. Mori pjesë në shumë beteja dhe arriti gradën e mareshalit. Si ekspert i njohur përfaqësoi    Perandorinë Osmane në bisedimet e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit.

Me shqiptarët ra në kontakt qysh më 1857. Më 1862 sumoi pa sukses Malësinë e Gjakovës për të shtypur kryengritjën e Krasniqës dhe për të arrestuar prijsin e tyre Shaqir Currin. Më 1871 bëri një kërdi ndaj kryengritësve shkodranë.

Më 12 gusht 1878, Porta e emëroi komisar politik për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për dorëzimin e tokave shqiptare Malit të Zi dhe Sërbisë, gjë që kundërshtohej nga Lidhja Shqiptare në Prizren. Nga Prizreni arriti në Gjakovë më 31 gusht në sarajin e Adullah Drenit në rrugë drejt Malit të Zi. Pas bisedimesh të arshpra më 1 dhe 2 shtaror me krerët Lidhjës në Gjakovë, filloi lufta, e cila përfundoi më 6 shtator 1878 me vrasjën e tij, të ushtarëve që e shoqëronin dhe të disa mikëpritësve.

 Kështu përfundoi jetën njeri nga shtetarët, ushtarakët dhe diplomatët më të shquar të Perandorisë Osmane, i cili shkruante edhe poezi në gjermanisht, frengjisht, greqisht, persisht, arabisht dhe turqisht. U varros përballë sarajit të Abdullah Drenit bashkë me 400 vullnetarë të Lidhjës.

Në arsyetimin e hollësishëm mbi mbrojtjen e këtij monumenti thuhet se ai gjeti strehim te feudali renegat Abdullah Dreni, se të parët që rrethuan sarajin ishin malësorët e udhëhequr nga Mic Sokoli, se rrethuesit dogjën sarajin etj.    

Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1980.

         

Lapidari, kushtuar dëshmorëve të vrarë në luftë kundër Maxhar pashës

           

Në njëqindvjetorin e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, në shenjë kujtimi për luftëtarët e vrarë në luftë kundër Mehmet Ali pashës, u ndërtua lapidari, i cili, në bazë përbëhët nga tri vatra-oxhaqe shtëpishë që simbolizojnë bashkimin e shqiptarëve myslimanë, ortodoksë dhe katolikë të bashkuar që vazhdon me një vertikale, duke u ngritur në lartësi, që simbolizon luftën e pandërprerë të popullit tonë, e cila shndërrohët në qëndresë të përhershme, të cilën në maje të tij e simbolizon kulla, që te shqiptarët nuk ishte vetëm shtëpi banimi, por edhe vend mbrojtjeje.

Autor i kësaj përmendoreje është skulptori akademik, Xhavit Lokaj.

Më 13 maj 1999, ky simbol u minua dhe rrafshua me tokë nga forcat ushtarake serbe, por u rindërtua pas luftës.

 Në arsyetimin mbi mbrojtjen e këtij monumenti thuhet se objekti është i ndërtuar nga betonarmea, se ka një lartësi prej 11 metrash, se simbolizon popullin e bashkuar në luftë për çlirimin kombëtar, se këtë simbolizëm e karakterizojnë elemente arkitekturore shqiptare, se në pllakat e bronzit është shkruar në shqip dhe serbisht teksti:”Luftëtarëve të Lidhjës Shqiptare 1878-1881 në shenjë kujtimi të përjetshëm për luftën e tyre për çlirimin kombëtar etj.

Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1979.

      

Terzihaneja, zyra e terzinjve në Çarshinë e Madhe.

         

Ndërtesë në katin e parë të të cilës ishte dyqani, ndërsa në të dytin zyra e esnafit të rrobaqepësve, që njëkohësisht ishte selia e Degës së Lidhjës Shqiptare në Gjakovë. Aty Dega vendosi të kërkojë me të mirë nga Mehmet Ali pasha që ta ndërprejë rrugën për Mal të Zi dhe të kthehët prapa, duke e siguruar se nuk do të këtë kurrfarë pasojash as ai, as suita që e pëcillte. Në të kundërtën do ta pengonin vazhdimin e rrugës së tij me armë.

     

Mejtepi Ruzhdije i shek. XIX.

             

Ruzhdija (progjimnazi apo gjimnazi i ulët) u themelua në Gjakovë më 1867, si shkollë shtetërore  në frymën e reformave të Tanzimatit, kur u themluan edhe shkolla të tjera fillore (iptidaije).

Këtu u hap shkolla e parë shqipe 1915-1918.

 Në vitet 1918-1941 punoi shkolla serbe, ndërsa prej 1941- 1944 mësimet zhvilloheshin vetëm shqip. Prej vitit 1944 e deri para luftës së fundit mësimet zhilloheshin në shqip dhe në serbisht.

          

Taphonet në Livadhin e Taphoneve.

         

Punishtet për përpunimin e lëkurëve dhe zyret e Esnafit të Tabakëve, një pjesë e të cilave u  rrënuara së voni.

 

Kulla e Hysni Koshit.

 

E ndërtuar në shek.XIX në Krye të Pazarit paraqet një banesë kullë trekatëshe prej guri. Është ndër shembujt e rrallë të ruajtur në qytet.

Në arsyetimin e cekët të vendimit mbi ngritjen e këtij monumenti thuhet se kullat fortifikuese të Rrafshit të Dukagjinit u ndërtuan nga mjeshtër shqiptarë, se kanë karakteristika të veçanta arkitekturore, se shquhën për cilësitë e tyre të mbyllura që iu japin tipare të caktuara mbrojtëse fortifikuese.

Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1980.

       

Teqeja e Bektashinjve.

           

Kompleksi i vjetër i Teqesë së Bektashinjve në Lagjën e Qerimit përbëhej nga dy objekte, por për shkaqe urbanistike, ate e transferojnë në Lagjën e Hadumit, ku bëhën adaptimet e nevojshme.

Aty ekzistonte një bibliotekë e pasur me libra të rrallë dhe dorëshkrime në gjuhët shqipe,  arabishte, persishte, osmanishte etj. Disa prej tyre ishin vepra të shkruara nga baballarët e kësaj teqeje si Adem Haxhi Babai që shkruante me pseudonimin “Vexhhi”, Baba Hamza, Baba Qazim Bakalli etj. Aty gjendeshin veprat e Shqërisë së Stambollit dhe të vllezërve Frashëri.

Më 7 maj 1999 u dogj ndërtesa bashkë me bibliotekën me 1700 libra, 180 prej të cilave ishin vepra origjinale-unikate.

 

Teqeja e Babës Ali

 

Vetëm në Gjakovë ekziston qendra të tarikatit shazeli.Teqeja e Babës Ali në Lagjën Hankë është themeluar nga sheh Cena në fillim të shek. XIX. Afër teqesë gjendet tyrbja me varrezat e shehlerëve dhe të dervishëve dhe shtëpia e banimit. Shehlerët e saj ishin njerëz të shkolluar.

Para kësaj ka ekzistuar një tjetër teqe shazeli e themeluar nga sheh Hysen Qyli në dekadën e fundit të shek. XVIII. në Lagjën Mullajusuf (tash Tyrbja e sheh Hysenit).

 

Sahat Kulla.

 

Zhvillimi i shpejtë i zejtarisë dhe tregtisë imponoi nevojën për vendosjën e një rregulli  që do të përcaktonte kohën e punës nëpër qytete. Gjakova si një qytet me zhvillim të hovshëm ekonomik e kishte kullën e sahatit, të vendosur në qendër të qytetit, në Fushën e Sahatit, e cila u dogj më 1912 nga forcat ushtarake malazeze.

 Sot ekziston kulla e re e sahatit

 

 Kulla e Tasim Beut.

 

Kullë trekatëshe me tulla, e ndërtuar në fillin të shek. XX, e vetmja e ruajtur në sarajet e kryezinjve, njerës nga familjet më të njohura të bejlerëve të Gjakovës, e cila paraqet me mjete arkitekturore familjën e fortë, të kamur, “shtëpinë e forte”, të emërtuar kullë, të përshtatur për nevojat e jetës qytetare, duke ruajtur pjsërisht pamjen e jashtme të kullës së vërtetë fshatare.

          

 

Shtëpia e Shahin Kryeziut

            

Shtëpi karakteristike dykatëshe me qoshk të mbyllur, e ndërtuar brënda sarajit të Abdullah pashë Drenit, pas djegies së tij më 6 shtator 1878.

        

Kulla e Ismet Currit

 

Kullë dykatëshe me tulla, në Lagjën Hankë, në të cilën është ruajtur tavani i zbukuruar me drugdhendje nga drugdhenësit gjakovarë.

 

Xhamia e Mahmut Pashës

            

E themeluar më 1802 nga Mahmut pasha i familjës gjakovare të kurtpashëve, familje e famshme në të gjitha trojet shqiptare,me dy mejtepe dhe dy çardakë dhe me minare me dy sherefe.

 

Xhamia e Kusarëve

 

E ndërtuar më 1770 paraqet një xhami tipke të kësaj treve me kulm karakteristik dhe me minare të qëndrueshme ku vërehën gurët katrorë.

 

Xhamia e Mullajusufit.

            

E ndërtuar më 1854 nga tri familje të një gjaku (të mullahasanëve, të mullashabanëve dhe të mullamuslive) për kah madhësia dhe për kah bukuria vjen menjëherë pas Xhamisë së Hadumit. Ka një minare të bukur prej guri të skalitur, dy dhoma në hyrje dhe një oborr me një krua.

 

 Parku “Sylejman Vokshi”.

           

Në breg të lumit Krena, ku u varros Mehmet Ali pasha dhe 400 luftëtarë të vrarë në luftë kundër  tij.

 

Varri i Sylejman Vokshit.

             

Në Mëhallë të Gecës ruhët varri i Heroit të Popullit Sylejman Vokshit. Aty afër janë të varrosur edhe bashkëluftëtarët e tij gjatë Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, myderrizët Ismail efendiu dhe Ali efendiu.

 

Eshtërorja e luftëtarëve të vrarë të LANÇ.

              

Paraqet varrezën e luftëtarëve të vrarë të Gjakovës me rrethinë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare 1941-1945, paraqet të vetmen pjesë të realizuar të një projekti grandioz, i cili përfshinte Kodrën e Çabratit deri ke Fabrika e Tullave, ku parshiheshin ndërtimi i bazenit olimpik për gara të notit, bazene të tjera për argëtim të qytetarëve, parku modern me Kopshtin Botanik dhe Kopshtin Zoologjik, Parku i Lojrave për Fëmijë dhe, në të dy anët e pushimoreve të shkallëve, që do ta lidhnin eshtërorën me qytetin, lokalet për organizimin e koncerteve verore në hapësirë të hapur.

           

Ndërtesa e Normalës së Gjakovës.

              

Më 1942 në këtë ndërtesë u hap Shkolla Normale “Gjon Nikollë Kazazi” në gjuhën shqipe, ndërsa, pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945, u hap progjimnazi në gjuhën shqipe. Më   1946, po këtu, u hap shkolla e parë normale në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi, ku i vijuan mësimet nxënësit shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare të ish federates jugosllave. Më 1967 u hap Shkolla e Lartë Pedagogjike, institucioni i vetëm i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi.

Godina u ndërtua me ndihmën finansiare të qytetarëve të Gjakovës.

 

      

 

Kodra e Çabratit.

          

Paraqet një përmendore të rëndësishme kulturore historike, ku u zhvilluan beteja të armatosura gjatë gjithë historisë së Gjakovës deri në luftën e fundit të UÇK-së dhe përmendore natyrore rekreative, ku gjakovarët zbavitëshin gjatë gjithë historisë. Është simbol i qytetit të Gjakovës që frymëzoi shumë këngëtarë popullorë dhe shkrimtarë, të cilët ia kushtuan një pjesë të veprimtarisë së tyre artistike.

Këtu gjendet kompleksi i varrezave të martirëve të luftës së UÇK-së.

Këtu gjendet restorani ”Illiricum”, me ambiente autoktone të jashtme dhe të brëndshme, me meny karakteristike vendore, ku mund të hasni në një atmosferë të një muzeu me eksponate arkeologjike siç është stela e një varri të një princi dardan, me një koleksion numizmatik interesant, me një dhomë pritjeje karakteristike gjakovare, me një koleksion stemash, duke filluar nga ato të  pricipatave mesjetare shqiptare e deri në stemat e fundit të shtetit shqiptar dhe të atij të Kosovës dhe në shumë befasi të tjera të vogla.

 

Shkukëza si përmendore natyrore dhe qendër rekreative e qytetit, ku gjenden disa objekte hoteliere.

       

Lumi i Valbonës

             

Është ndër lumenjtë më të bukur në Malësinë e Gjakovës me ujë të pastër dhe i pasur me trofta, shtrati i të cilit kalon nëpër një ambient shumë të bukur natyror, të rrethuar me bjeshkë të bukura dhe të pasura me borovnica, mjedra dhe lloje të rralla kafshësh të egra.

Valbona ishte dëshmitare ngjarjësh të bujshme historike. Në ekspeditën e Mehmet Ali pashës për të arrestuar Shaqir Currin më 1862 dhe për të shuar qëndresën e armatosur që pasoi, komandanti turk kaloi Valbonën dhe dogji Bujanin. Forcat e armatosura të Krasniqës, të komanduara nga Binak Alia dhe Sokol Rama, të cilat më parë kishin prishur të gjitha urat në Valbonë, e shndërruan lumin në vijë të frontit. Në kundërsulmin e furishëm të kryengritësve ushtarët osmanë në panik hudhnin litarë mbi Valbonë për të kaluar në anën tjetër të lumit dhe për të çarë rrethimin e malësorëve, por luftëtarët e lirisë, nën breshërinë e armëve turke ua prisnin me sopatë litarët dhe, kështu, u mbytën në lum shumë ushtarë të armikut. Mehmet Ali pasha u tërhoq me turp, duke lënë mbi 1500 të vrarë dhe të mbytur në lumin Valbonë.

 

 Kulla e Mic Sokolit.

          

Heroi i Popullit Mic Sokoli (1839-1881), udhëheqës ushtarak i Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, mori pjesë në luftimet e Gjakovës kundër Mehmet Ali pashës, në betejën e Nokshiqit kundër malazezëve, luftoi në Plavë e Guci, në Hot, Grudë, Tuz, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Shkup etj. Ra heroikisht në Betejën e Slivovës kundër forcave osmane të Dervish pashës në prill 1881, duke i vënë gjoksin topit të armikut. Më 1978 kulla është shndërruar në muze.

 

Kulla e Sali Manit.

         

Vendi ku, prej 31 dhjetorit 1943 dhe 1 e 2 janarit 1944, i mbajti mbledhjet parlamenti i parë në historinë e Kosovës, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha nacionaliteteve: shqiptarët, serbët, malazezët dhe turqit.

Kuvendi miratoi Rezolutën, në të cilën thuhet se shqiptarët, si shumicë, me shekuj ëndërrojnë të bashkohën me Shqipërinë. Kusht për këtë është pjesëmarrja e tyre në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë dhe ate të Shqipërisë. Garanci për këtë janë e drejta e vetvendosjës dhe aleatët e Koalicionit Antihitlerian Anglia, Franca, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Kulla është muze i LANÇ.

 

 Varri i Ali Ibrës.

          

Në fshatin Osek, afër Gjakovës gjendet varri i luftëtarit të shquar Ali Ibër Nezës (1830-1893) i lindur në fshatin Shipshan të krahinës së Gashit në Malësinë e Gjakovës. U dallua si prijës luftarak qysh në kryengritjët antiosmane të viteve 60 dhe 70 të shek. XIX. Mori pjesë në themelimin e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, ku u dallua si njeri nga figurat kryesore të rrymës radikale të saj. U dallua në luftën kundër politikës së diskriminimit fetar të Perandorisë Osmane. U plagos në Shtimje, në betejën e 20 prillit 1881 kundër ushtrisë osmane. Pas shtypjës së Lidhjës së Prizrenit mori pjesë, bashkë me Sylejman Vokshin, në të gjitha kryengritjët antiosmane në mes të viteve 80.

 

Teqeja e Sheh Banit

              

I takon tarikatit sadi. Ka një arkitekturë interesante karakteristike për objektet e tilla të kultit islam. Kishte një bibliotekë të pasur me dorëshkrime të vlefshme për historinë e zhvillimit të tarikatit të përmendur.

 

Shtëpia e Qamil Haxhibeqirit.

              

Shtëpi me qoshk e shek. XIX, në Lagjën Hankë, në të cilën është ruajtur pjesërisht dhoma e pritjës me tavan të zbukuruar me drugdhëndje, musandra me dyer të dekoruara sipas modeleve të kohës dhe me derën e dhomës, të dekoruar, gjithashtu, sipas ormamenteve të kohës.

 

 Shtëpia e Hasan Polloshkës.

             

Në Lomën e Drithit është ruajtur qoshku i hapur i  një banese me hajat. Qoshku ka formën e katërkëndëshit këndrejtë, i veshur në pjesën e sipërme me tavan dërrase. Në këtë rast qoshku është vazhdues i hajatit dhe çardakut, që, kah mesi i shek. XIX, nuk iu përgjigjëshin kërkesave të reja jetësore me prirje drejt qytetërimit.

 

Shtatorja e Sylejman Vokshit.

           

Afër kullës së A. Drenit gjendet shtatorja e Heroit të Popullit S. Vokshit, vepër e skulptorit Agim Çavdërbasha, e ngritur me rastin e 100 vjetorit të Lidhjës së Prizrenit.

 

 Shtatorja e Nënës Tereze.

          

Në parkun e qytetit gjendet shtatorja e nobelistës shqiptare Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, vepër e skulptorit Ibrahim Ponoshecit.

 

 Përmendorja kushtuar UÇK-së.

         

Në parkun e qytetit gjendet përmendorja kushtuar 180 dëshmorëve të UÇK-së të Komunës së Gjakovës.

 

 Busta e Asim Vokshit.

         

Para Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” gjendet busta e luftëtarit të Spanjës, Heroit të Popullit Asim Vokshi, vepër e skulptorit Skënder Rexha.

Para Hotel “Pashtriku”- ut gjendet busta e Heroit të Popullit Emin Durakut

Në Parkun e Mëhallës së Sefës, gjendet busta e Heroit të Popullit Mustafa Bakisë. Një bustë e tillë gjendet edhe para Shkollës Fillore “Mustafa Bakija”.

 

Ndërsa p ara ndërtesës së Fakultetit të Edukimit gjendet busta e Heroit të Popullit Bajram Currit.

 

Busta e Hajdar Dushit gjendet para gjimnazit  të cilën mbanë emrin shkolla.

 

Ndërsa busta e dëshmorit  Mazllom Këpuskës gjedner në oborrin e shkollës që mbanë emrin e tij.

 

Përmendorja e Tom Lantosit.

 

 Në Sheshin Tom Lantos, në lindje të qytetit, gjendet përmendorja kushtuar kongresmenit të ndjerë amerikan, mikut të shqiptarëve, Tom Lantosit, e ngritur me 1999, me rastin e njëvjetorit të ndarjës së tij nga jeta, në shenjë kujtimi të visitës së tij Gjakovës më 1990.

 

 Hanet e Haraçisë.

        

Në vendin ku dikur Hadum aga e kishte ndërtuar hanin, sot gjenden dy objekte hoteliere me arkitekturë autoktone, njeri me qoshk e tjetri me çardak tipik gjakovar, të cilat krijojnë një atmosferë të veçantë vendore.

            

                                                          x      x      x

 

         

Paralelisht me trashëgiminë kulturore historike, një pjesë të të cilës e parashtruam më sipër, Gjakova me rrethinë shquhet edhe për trashëgiminë natyrore.

 

 Lumi Ereniku

 

 Buron nga liqeni i akullnajeve të Gjeravicës dhe derdhet në Drinin e Bardhë. Është më tepër lum fushor, sepse në 2/3 e rrjedhjës kalon nëpër pjesë të ulëta me një lartësi mbidetare prej 300-500 m

 

 Liqeni i Radoniqit

 

  Liqe artificial, i cili mori emrin e fshatit të përmbytur me krijimin e tij. Furnizon me ujë rreth 214.000 banorë të qytetit të Gjakovës dhe të Rahavecit dhe të fshatrave përreth. Shfrytëzohet edhe për ujitjen e 10.500 ha tokë. Zë vendin e dytë në Kosovë për kah sipërfaqja prej 5.62 km2. Kapaciteti i digës së tij është 113 milion m3 ujë, që mjafton për furnizim me ujë gjatë tërë vitit.

 

  Lumi Drini i Bardhë

 

  Buron në malin Zhleb të Pejës, afër fshatit Radavc. Afër Kukësit bashkohet me Drinin e Zi që buron nga Liqeni i Ohrit afër Strugës dhe me emrin Drini derdhet në lumin e Bunës, një degë e formuar pas një përmbytjeje në shek. XIX, dhe në Detin Adriatik. Për shkak të liqejve artificialë të Fierzës, Komanit dhe të Vaut të Dejës, një pjesë e Drinit është e lundrueshme.

 

Malësia e Gjakovës.

      

Shtrihet në lindje të Alpeve Shqiptare në Republikën e Shqipërisë dhe vazhdon edhe jasht kufirit të saj deri në disa vendbanime afër Gjakovës dhe Junikut. Në jug shtrihët deri në Liqenin e Fierzës. Deri më 1913 përbënte një tërësi kompakte, e cila ishte e lidhur ekonomikisht, politikisht, kulturalisht dhe në çdo pikëpmje tjetër me Gjakovën me rrethinë. Aty ishin qendrat e fiseve historike të Krasniqës, të Gashit dhe të Bytyçit, krerët e të cilave jetonin në Gjakovë.

Në Shqipëri përbën një njësi administrative, një bashki me qendër në Bajram Curr, të ndarë në 7 komuna me 70 fshatra, me 42.824 banorë. Ka një natyrë shumë të bukur me mjaft kontraste, me ambient krejtësisht të pandotur, me folklor të pasur, me ushqim karakteristik, me bimësi të pasur e karakteristike, me lumenj me ujë shumë të pastër, me liqenj të vegjël natyrorë në lartësi të mëdha, me shpella karakteristike, me maja të thepisura në formë kreshtash, me lugina malore si gjeoparqe – që të gjitha këto e bëjnë këtë krahinë vend me vlera të mëdha të të gjitha llojeve të turizmit veror dhe dimëror, vend të përshtatshëm për zhvillimin e sporteve dimërore e verore, për gjueti e për peshkim.