Komuna

Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, krahina e Anamoravës. Qyteti ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe kjo i mundëson lidhje të mira me qendrat tjera të Kosovës dhe të rajonit.

Shtrihet në një fushëgropë të gjerë. Ka kushte të mira për bujqësi dhe njihet si qytet agro-industrial. Në juglindje ka malet e Karadakut si dhe një pjesë të Rrafshit të Kosovës – një fushë pjellore.

Mbizotërohet nga klima e mesme kontinentale, me vera të nxehta dhe dimra të ftohtë. Temperatura mesatare e janarit është - 0.9 shkallë, ndërsa ajo e korrikut + 21.5 gradë. Në vjeshtë, këtu bien, mesatarisht, 177 mm shi, ndërsa në verë 129 mm. Sasia e reshjeve në pranverë është 145 mm dhe në dimër 130 mm.

Koordinatat e shtrirjes së Gjilanit janë 42 shkallë në veri dhe 21.20 shkallë në lindje. Qyteti ka një lartësi mbidetare nga 501 deri më 590/m, ndërsa regjioni, nga 475/m, në Budrikë, deri në 1.000 /m, në zonën kufitare me Maqedoninë (Stançiq).

Rrethina e Gjilanit është e pasur me xehe (hekur e leucid) dhe me burime minerale (Nasalë, Pidiq, Kmetoc, Pogragjë, Perlepnicë). Dallohet nga komunat tjera me një pedologji më homogjene të tokës.

Popullsia e Gjilanit, përherë ka qenë e përzier, me dominimin e shqiptarëve, si gjatë sundimit turk, ashtu edhe atij serbo-jugosllav. Sipas regjistrimit të fundit (2011), numri i përgjihshëm i banorëve është 90.178. Meshkuj janë 45.354 ndërsa femra 44.824. Struktura etnike: shqiptarë - 87.814, serbë - 624, turq -978, boshnjakë - 121, romë - 361, ashkali -15, egjiptian -1, goranë - 69, të tjerë - 95. Në zonën urbane jetojnë 54.239 banorë, ndërsa në zonën rurale -35.9939 banorë. Në rgjistrimin e fundit (2011) nuk janë përfshirë qytetarët në botën e jashtme.