Pozita Gjeografike

Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, rajoni i Anamoravës. Është njëra nga komunat e mëdha të vendit. Pozita gjeografike që ka, i mundëson asaj lidhje të mira me qendrat tjera të Kosovës dhe të rajonit.
 
Rreth qytetit të Gjilanit shtrihen bregoret Kodra e Dëshmorëve (Popovica), Gllama, Dheu i Bardhë, fusha e Malishevës, Zabeli i Sahit Agës dhe Bregu i Thatë. Nëpër qytet kalojnë tre lumenj të vegjël, Mirusha, Banja dhe Stanishori, të cilët bashkohen dhe derdhen në Moravë, në perëndim të fshatit Uglar.
 
Gjilani është larg nga Prishtina, kryeqendra e Kosovës, 46 kilometra, nga Kamenica - 27 km, nga Vitia - 22 km, nga Artana – rreth 25 kilometra. Me komunat e regjionit kufizohet, në juglindje me Preshevën (33 km) dhe Kumanovën (53), ndërsa në lindje – me Bujanocin (40 km). 
 
Ndërtimi i rrugës Gjilan-Lipjan, nga drejtimi i Kishna Polës, ka shkurtuar dukshëm distancat e kësaj komune me aeroportin e Prishtinës, me rrugën e kombit si dhe me hekurudhat e Kosovës, në Ferizaj dhe Lipjan. Gjilani do të lidhet së shpejti edhe me Kumanovën, nga drejtimi i Stançiqit, ku parashihet hapja e një pike doganore.
 
Gjilani ka kushte të mira për bujqësi dhe njihet si qytet agro-industrial. Ka klimë të mesme kontinentale, me vera të nxehta dhe dimra të ftohtë. Temperatura mesatare e janarit është -0.9 shkallë celciuz, ndërsa temperatura mesatare e korrikut – 21.5 gradë. Në vjeshtë, këtu bien shira, mesatarisht 177 mm, ndërsa në verë – 129 mm. Sasia e reshjeve në pranverë është 145 mm dhe në dimër – 130 mm.
 
Rrethinën e Gjilanit e përcakton lumi Morava e Binçës, i cili mbledhë gjithë lumenjtë e vegjël, me një prurje mesatare mujore prej 6.7 metra kub /sekondë/. Në juglindje rrethohet nga malet e Karadakut.
 
Koordinatat e shtrirjes së qytetit të Gjilanit janë 42 shkallë në veri dhe 21.20 shkallë në lindje dhe në një lartësi mbidetare qyteti prej 501 dhe 590 m ndërsa regjioni prej 475 m në Budrikë deri në 1000 m lartësi mbidetare në zonën kufitare me Maqedoninë (Stanqiq).

Rrethina e Gjilanit është e pasur me xehe (hekur e leucid) dhe me burime minerale (Nasalë, Pidiq, Kmetoc, Uglarë, Përlepnicë).
 
Në hartat sizmike, Gjilani njihet si rajon me shkallë të lartë rrezikshmërie. Në vitin 2002, është goditur nga një tërmet, i cili ka lënë një të vdekur, dhjetëra të lënduar dhe mbi 8 mijë objekte publike dhe private të dëmtuara.
 
Gjilani është binjakëzuar me qytetet dhe komunat Luterbah (Francë), Iper (Belgjikë), Jelderim (Turqi) dhe të tjera.
 
Popullsia
 
Popullsia e Gjilanit, përherë ka qenë e përzier, por me një shumicë dominuese të shqiptarëve, si gjatë sundimit turk, ashtu edhe atij serbo-jugosllav. Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna e Gjilanit ka 90.178 banorë. Shqiptarë - 87.814, serbë - 624, turq - 978, boshnjakë - 121, romë - 361, ashkali - 15, goranë - 69, egjiptian - 1, të tjerë - 95. Kanë preferuar të mos përgjigjen - 35 persona.

Në qytet jetojnë 54.239 banorë, kurse në zonat rurale - 35.939.

Ndarja e popullsisë sipas gjinisë: meshkuj - 45.354, femra - 44.824.
 
Hapësira e komunës shtrihet në 392 km/2 dhe përbëhet prej 42 zonave kadastrale. Deri më 2010, përfshinte një territor prej 515 km/2, me 63 vendbanime, 54 zona kadastrale. Decentralizimi e ka reduktuar për 123 km/2 (12 zona kadastrale), të cilat i janë bashkuar komunës së re të Parteshit (3 zona kadastrale) dhe komunës së zgjeruar të Artanës (9 zona kadastrale).
 
Artanës i janë bartur zonat kadastrale: Dragancë, Koretishtë, Kufcë e Epërme, Makresh i Epërm, Makresh i Poshtëm, Mozgovë, Parallovë, Stanishor dhe Strazhë. Ndërkaq, Budriga, Parteshi dhe Pasjani përbëjnë komunën e re të Parteshit.
 
 
Vendbanimet dhe numri i banorëve
 
Vendbanimet e komunës së Gjilanit janë këto: Bilinicë (314), Bresalc (2823), Bukovik (80), Burincë (00), Capar (208), Cërnicë (1963), Çelik (87), Demiraj (112), Dobërçan (2659), Dunav (10), Gadish (331), Goden (29), Gumnishtë (473), Gjilan (54239), Haxhaj (206), Inatoc (30), Kishnapolë (235), Kmetoc (691), Kravaricë (264), Kurexh (394), Lipovicë (24), Livoç i Epërm (2551), Livoç i Ulët (3497), Lladovë (545), Llashticë (1624), Llovcë (169), Malishevë (3165), Muçibabë (80), Nasalë (209), Përlepnicë (1944), Pidiq (342), Pograxhë (1211), Ponesh (967), Selishtë (179), Sllakoc i Epërm (256), Sllakoc i Ulët (64), Sllubicë (73), Stançiq (8), Stublinë (79), Shillovë (547), Shurdhan (156), Terzijaj (00), Uglar (1021), Velekincë (1602), Vërbicë e Kmetocit (348), Vërbicë e Zhegocit (584), Vrapçiq (290), Zhegër (3327), Zhegoc (168). Dy vendbanime, Burinca dhe Terzijajt, sipas regjistrtimit të vitit 2011, nuk kanë asnjë banorë.     
 
Qyteti i Gjilanit përbëhet prej njëmbëdhjetë lagjeve, pesë shesheve dhe ka 149 rrugë të emërtuara.
 



Harta e Faqes | Copyright