Gjilani ka nisur me transmetimin live të seancave të Kuvendit të Gjilanit në kanalin zyrtar në Youtube

Komuna e Gjilanit ka nisur implementimin e projektit për transmetim live të seancave të Kuvendit Komunal përmes kanalit zyrtar në Youtube.
Të mërkurën është transmetuar seanca e pare livestream, projekt ky që implementohet nga Zyra për Infomim Publik, me mbështetje të fuqishme të kryetarit Lutfi Haziri, e që është i pari në histori të institucioneve kosovare deri sot.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur gëzimin për implementimin  e projektit, duke thënë se transparenca është alfa dhe omega e qeverisjes së tij.
“Ky është njëri nga projektet shumë të rëndësishme që e kemi realizuar. I rëndësishëm është fakti që projekti ka kosto të ulët. Nëse më parë mbledhjet janë transmetuar vetëm në radiot lokale, transmetimi përmes kanalit Youtube është një mundësi shumë e mirë për qytetarët e Gjilanit për t’u informuar me kohë me zhvillimet brenda Kuvendit. Transparenca është alfa dhe omega e qeverisjes në Gjilan”, ka thënë Haziri.
Seancat e Kuvendit Komunal mund t’i ndiqni në kanalin zyrtar të Youtube “Komuna Gjilan”, sikurse edhe ueb faqen zyrtare të Komunës. ​
 



Harta e Faqes | Copyright