Asambleja Komunale

Kuvendi i Komunës

 
Kuvendi i Komunës është organi më i lartë në Komunë, i cili zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët, në pajtim me ligjin për zgjedhjet lokale. Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka 35 anëtarë.
 
Pushteti dhe detyrat e Komunës ushtrohen nga Kuvendi i Komunës dhe organet e tij, përveç kur përcaktohen ndryshe sipas këtij Statuti.
 
Të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës kanë të drejta të njëjta dhe të barabarta dhe mundësi për të marrë plotësisht pjesë në proceset e Kuvendit. Kuvendi i Komunës kujdeset që këto të drejta dhe mundësi të përfshihen në Statutin dhe Rregulloren e punës së tij.
 
Funksionet e Kuvendit
 
Kuvendi i Komunës miraton Statutin dhe e ndryshon atë. Vendimi për miratim apo ndryshim të Statutit, aprovohet nga 2/3 e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
 
Kuvendi i Komunës miraton Rregulloren e punës dhe mund ta ndryshojë atë nëse konsideron se një gjë e tillë është e nevojshme. Vendimi për miratimin apo ndryshimin e Rregullores së punës, aprovohet me shumicë të anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
 
Kuvendi i Komunës së Gjilanit funksionon në bazë të LVL, Statutit dhe akteve tjera nënligjore.
 
Kuvendi i Komunës nuk mund t’i delegojë përgjegjësitë e veta për marrjen e vendimeve lidhur me:
a) Statutin dhe Rregulloren e punës, rregulloret komunale dhe miratimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e tyre;
b) miratimin e buxhetit dhe planeve investuese;
c) miratimin e çështjeve të tjera financiare, të cilat janë të rezervuara për Kuvendin
d) planin vjetor të punës dhe raportin vjetor;
e) themelimin e komisioneve të kërkuara sipas këtij Ligji;
f)  emërimin dhe shkarkimin e nënkryetarit për komunitete;
g) zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunës;
h) nivelin e tarifave dhe ngarkesave;
i)  krijimin dhe përdorimin e simboleve, dekoratave dhe titujve të nderit të Komunës, në pajtim me ligjin në fuqi;
j) emërimin dhe riemërimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike;
k) arritjen e marrëveshjeve ndërkomunale dhe brenda komunale;
l) marrjen e vendimeve për t’u bashkuar me asociacione përfaqësuese të Komunave të Republikës së Kosovës; dhe
m) përgjegjësive të tjera që kërkohen me ligj.
 
Për marrjen e vendimeve, Kuvendi i Komunës mund t’ia delegojë pushtetin e tij Komitetit të Kuvendit të Komunës, apo Kryetarit të Komunës. Kuvendi i Komunës mund të tërheqë delegimin e pushtetit në çdo kohë.
 
Komitetet në kuadër të kompetencave të veta lidhur me çështjet e caktuara, mund t’i rekomandojnë Komitetit për Politikë dhe Financa dhe Kuvendit të Komunës shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve përkatëse.
 



Harta e Faqes | Copyright