Lajmet   Njoftimet   Mjekësia familjare mbulon me shërbime tërë territorin e komunës së Gjilanit

Mjekësia familjare mbulon me shërbime tërë territorin e komunës së Gjilanit - 28 nëntor 2011

Dr Abdylatif Latifi ka thënë se Komiteti për Shëndetësi e ka inkurajuar drejtorin e QKMF-së që të vazhdojë përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve profesionale, teknike e hapësinore, derisa Kuvendit Komunal i ka rekomanduar që brenda mundësive buxhetore, të rrisë mjetet për shëndetësinë, ndërkohë që i ka dhënë përkrahje programit të angazhimit të punëtorëve shëndetësorë me kontrata, meqenëse nuk lejohet rritja e numrit të punëtorëve.

Drejtuesit shëndetësorë në Gjilan po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t`i avancuar shërbimet në kujdesin parësor. Dr Valon Milazimi, drejtor i QKMF-së, ka thënë se në 9-mujorin e parë të këtij viti, në këtë nivel të mjekësisë familjare janë kryer 77.823 vizita dhe prej tyre, vetëm 19 për qind janë udhëzuar në kujdesin spitalor ose klinik.

Në raportin e tij për punën e QKMF-së në periudhën janar-shtator të këtij viti, të cilin e ka paraqitur para Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Milazimi ka thënë se në kujdesin parësor shëndetësor punohet me përkushtim të madh dhe ka premtuar se bashkërisht me stafin do të angazhohen për të rritur cilësinë e shërbimeve, për çka ka marrë përkrahje edhe nga komiteti.

Sa i përket furnizimit me barna, Milazimi ka thënë se nuk ka qenë i kënaqshëm, por faji për këtë nuk i përket Mjekësisë Familjare, sepse problemi qëndron tjetër kund, derisa gjendjen momentale e ka vlerësuar të kënaqshme.   

Edhe barnatorja “Rojal”, e cila ka funksionuar brenda hapësirave të QKMF-së,  për çka ka pasur edhe reagime nga pronarët e barnatoreve tjera, është larguar prej objektit, por siç ka thënë Milazimi, duke lënë pas një borxh prej 22 mijë euro, për qiranë, për çka janë detyruar të iniciojnë procedurë gjyqësore.  

Dr Xhemajl Salihu, drejtor komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se participimi në kujdesin parësor shëndetësor, është realizuar 98 për qind, derisa shprehet i bindur se edhe numri i mjekëve në QKMF, është i mjaftueshëm në krahasim me numrin e popullatës.

Për më tepër ai ka thënë se shërbimet mjekësore nëpër fshatra, tani ofrohen pesë herë në javë, gjë që nuk ka qenë më herët, ndërkaq që, sa i përket buxhetit për shëndetësi, Salihu ka thënë se është dashur të respektohen limitet buxhetore, të cilat i vendos Ministria e Financave.

Disa anëtarë të këtij komiteti thanë se pritjet në shërbimin e stomatologjisë, janë mjaft të gjata, derisa Salihu dhe Milazimi sqaruan se kërkesat për proteza janë të mëdha, kryesisht të kategorive, të cilat janë të liruara nga participimi, por, siç thanë ata, edhe natyra e punës në këtë shërbim është e tillë, që teknikisht nuk mund të kryhet brenda ditës.


RSS

Sign in