Lajmet   Njoftimet   Në Zhegër përurohet faza e parë e projektit të serave

Në Zhegër përurohet faza e parë e projektit të serave - 12 qershor 2009

Nazmi Rapuca, drejtor komunal për bujqësi, ka thënë se kjo është faza e parë e projektit për rritjen dhe modernizimin e serave në komunën e Gjilanit, që kap vlerën prej 210 mijë €uro. Nga ky program do të përfitojnë 50 fermerë, përkatësisht do të hapen 50 vende te reja pune.
Gjilan, 12 qershor / Se bujqësia ofron një shansë reale të zhvillimit ekonomik të Kosovës, komuna e Gjilanit e ka kuptuar këtë më së miri dhe me mundësitë që ka po investon në këtë sektor të rëndësishëm, i cili ofron mundësi të mëdha për hapje të vendeve të reja të punës dhe pavarësimit të tregut vendor nga prodhimet e jashtme, të cilat për të arritur deri këtu, duhet të bëjnë një rrugë që gjithsesei ndikon edhe në cilësi.
 
Nga një projekt investiv vëllimor të Komunës, përkatësisht drejtorisë për bujqësi, në fazën e parë kanë përfituar tetë fermerë të disa fshatrave, në vlerë të përgjithshme prej 24 mijë €uro dhe të premtën është bërë edhe përurimi i serës së Ramë Isufit, në fshatin Zhegër.
 
Nazmi Rapuca, drejtor komunal për bujqësi, ka thënë se kjo është faza e parë e projektit për rritjen dhe modernizimin e serave në komunën e Gjilanit, që kap vlerën prej 210 mijë €uro. Nga ky program do të përfitojnë 50 fermerë, përkatësisht do të hapen 50 vende të reja pune, ka thënë Rapuca.
 
Sipas tij, në rajonin e Gjilanit ekziston një traditë e lashtë në kultivimin e perimeve dhe ndërtimi i serave krijon mundësi për shfrytëzim më racional të tokës bujqësore, e cila në Kosovë po ngelet gjithnjë e më e vogël, për shkak të shtimit të popullsisë, apo edhe për arsye të menaxhimit jo të duhur të saj, ka thënë Rapuca.
 
Ndërkohë, nevojat e tregut për perime të freskëta gjatë tërë vitit, janë në rritje dhe në pjesën më të madhe sigurohen nga importi, i cili është më i kushtueshëm dhe nuk ofron cilësinë e prodhimit vendor, ka thënë Rapuca, i bindur se për bujqësinë në Kosovë do të vijnë ditë më të mira.
 
Ministria e Bujqësisë, por edhe Komunat, çdo vit po rrisin fondet për bujqësinë. Kështu, nëse në vitin 2007 nuk kishte fare sunvencione, më 2008 u ndanë rreth një milion €uro, këtë vit janë dhënë 2 milionë e 300 mijë, ndërkaq në vitin e ardhshëm pretendohen më se 10 milionë €uro. “Strategjia jonë është që hap pas hapi, të arrijmë te çdo farmer”, ka thënë drejtori komunal për bujqësi, Nazmi Rapuca.
 
Përkrahje të vazhdueshme për fermerët ka premtuar edhe kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, i cili ka marrë pjesë në përurimin e projektit të fazës së parë, në Zhegër. “Me mundësitë tona që i kemi në dispozicion, por edhe me fondet tjera, të cilat do t`i kërkojmë vazhdimisht, ne do të jemi pranë jush duke iu mundësuar investime atyre që e duan punën”, ka thënë Mustafa.
 
Ai u shpreh i lumtur që investimet e këtilla po krijojnë vende të qëndrueshme pune në ekonomitë familjare, ndërkohë që do të shërbejnë si inkurajim edhe për qytetarët tjerë përreth që të orientohen në veprimtaritë bujqësore dhe të investojnë në sera. “Kosova nuk ka rrugë tjetër, përpos përparue me punën e saj” ka thënë kreu i Komunës, Qemajl Mustafa në Zhegër.

RSS

Sign in