Lajmet   Në Gjilan shënohet Dita e shkollës “Nazmi Hoxha”

Në Gjilan shënohet Dita e shkollës “Nazmi Hoxha” - 04 dhjetor 2017

Me një program artistik, të organizuar nga kolektivi, nxënësit dhe kori i shkollës, në lagjen "Kodra e Dëshmorëve" është shënuar dita e shkollës “Nazmi Hoxha”.  Siç dihet, kjo shkollë është emërtuar para dy vitesh me emrin e veprimtarit e atdhetarit, ish-të burgosurit politik, Nazmi Hoxha, andaj ditëlindja e tij, 5 dhjetori, do të shënohet si ditë e shkollës.
Në fjalën përshëndetëse drejtori i shkollës Faredin Rexhepi, foli për aktivitetet dhe sukseset e nxënësve të kësaj shkolle në garat e shumta. Ai foli edhe për jetën dhe veprimtarinë e Nazmi Hoxhës, duke theksuar se Nazmiu rridhte nga një familje patriotike, ishte i edukuar në frymën kombëtare, ishte pjesëtar i lëvizjes ilegale që punuan për çlirimin e Kosovës andaj më 1981 u dënua me 15 vite burg si udhëheqës i grupit të Anamoravës, prej të cilave me shumë se 9 vite edhe i vuajti këtë dënim të padrejtë nga regjimi i kohës.
 
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për shkakë të vizitës së tij në Bruksel, ka dërguar telegram urimi, në të cilin mes tjerash thuhej: 
 
“I dashur drejtor i shkollës z. Rexhepi, të dashur nxënës e mësimdhënës, kam kënaqësinë që nga Brukseli t’ju përcjellë urimet më të përzemërta për Ditën e Shkollës suaj. Jam i nderuar që dy vite më parë këtë shkollë e kemi emërtuar me emrin e patriotit, ish-të burgosurit politik dhe udhëheqësit për lirinë e shqiptarëve, Nazmi Hoxha. Me këtë rast i uroj mësimdhënësit dhe nxënësit edhe për sukseset e mëdha që kanë arritur brenda një viti dhe me këto rezultate na keni bërë krenarë të gjithëve. Nga kjo shkollë po përgatiten kuadro cilësore dhe jam i bindur që neser do të dalin mësues të mirë, mjek, inxhinier, e pse jo të marrin edhe përgjegjësi të larta shtetërore. Për fund, po e bëjë publike edhe njëherë zotimin tim se sektori i arsimit do të vazhdoj të mbetet prioriteti kryesor i qeverisjes komunale që do të bartë proceset gjatë të ardhmes. Gëzuar Dita e Shkollës!”, ka përfunduar telegram i kryetarit, Lutfi Haziri. 
 
Të pranishmit i përshëndeti edhe djali i Nazmiut, Kushtrim Hoxha i cila i falënderoi të gjitha strukturat komunale, drejtorinë dhe këshillin e shkollës, Drejtorinë e Arsimit, kryetarin e komunës Lutfi Hazirin, për kujdesin e treguar ndaj familjes Hoxha dhe për gatishmërinë që kjo shkollë te emërtohet nga kryetari i Komunës me emrin e babait të tij. Ai ka uruar që nga kjo shkollë të dalin kuadro të fuqishme të shkencës, kulturës e deri te udhëheqës të denjë të institucioneve të shtetit. 
 
Mësimdhënës të kësaj shkolle nga fusha të ndryshme kanë lexuar referimet e tyre për shkollën dhe për emrin dhe të kaluarën e lavdishme të Nazmi Hoxhës. 
 
Me këngë dhe valle u mbyll programi artistik, përcjellë me urimet që kjo shkollë me krenari ta mbajë emrin e veprimtarit dhe atdhetarit të shquar, Nazmi Hoxha.
3.JPG
1.JPG
2.JPG
 

RSS

Sign in


 



Harta e Faqes | Copyright