Lajmet   Nëpër komuna ka ende vështirësi sa i përket përdorimit të gjuhëve zyrtare

Nëpër komuna ka ende vështirësi sa i përket përdorimit të gjuhëve zyrtare - 26 shtator 2017

Departamenti për të drejtat e njeriut dhe komunitete i OSBE-së, ka organizuar të martën në Gjilan një tryezë të rrumbullakët, për të shënuar ditën evropiane të gjuhëve, ku me zyrtarët për informim si dhe përkthyesit nga komunat e këtij regjioni, janë diskutuar çështjet që lidhen me të drejtat gjuhësore, si nevojë për ngritjen e vetëdijes mbi të drejtën e përdorimit të gjuhëve zyrtare.
Irena Spirkovska, zyrtare e lartë për komunitete (OSBE) në Kosovë, ka thënë se përdorimi i gjuhëve, si një e drejtë e njeriut, rregullohet me ligje, siç ka bërë edhe Kosova, e cila e ka tashmë ligjin për përdorimin e gjuhëve zyrtare.

Por, sa i përket zbatimit të këtij ligji, sipas saj, janë vërejtur disa mangësi në përdorimin e gjuhëve zyrtare nëpër Komuna.

Problemi më i madh, është mungesa e përkthyesve, pastaj mungesa e njohurive mbi të drejtën e përdorimit të gjuhëve zyrtare, përkthimi i ligjeve dhe dokumenteve tjera zyrtare dhe të tjera, ka thënë Spirkovska.

“Të rinjtë në Kosovë nuk i mësojnë gjuhët zyrtare dhe kjo përbën një pengesë për përmirësimin e marrëdhënieve mes komuniteteve”, ka thënë Spirkovska.

Kurse Vebi Klaiqi nga Zyra e Komisionerit të Gjuhëve, ka thënë se çdo kush që mendon se i janë shkelur të drejtat e tij gjuhësore, mund t`i drejtohet kësaj zyreje. 

Gjatë kësaj tryeze, në pjesën e diskutimit të hapur sa i përket zbatimit të ligjit mbi përdorimin e gjuhëve zyrtare, janë përmendur sfida e shembuj konkret, që zyrtarët komunalë i hasin gjatë punës së tyre të përditshme.

Tryeza është drejtuar nga Violeta Halimi, zyrtare e lartë e programit, në kuadër të OSBE-së në Kosovë.

RSS

Sign in


 



Harta e Faqes | Copyright