Pak për Komunën Tonë

Sipas historisë, Juniku së pari ishte pjesë e Dardanisë Ilire, më pas e Perandorisë Romake, Bizantine e më vonë në kuadër të Perandorisë Osmane. Materialet arkeologjike të zbuluara me gjetje rasti ose kërkime të terthorta të terrenit, vendbanimi antik ilir i ashtuquajtur “Gradina” i zbuluar në grykën e majës së Gjeravicës së bashku me materialin epigrafik të gjetur në këtë vendbanim, si dhe një mori vendbanimesh tjera të Junikut, mbetjet antike të gjetura në rrafshin aluvial të Erenikut, etj dëshmojnë se Juniku ka qenë një vendbanim ilir.

Të dhënat arkeologjike të shekujve VIII-X, tregojnë se në ato vise, ku nuk është vendosur kolonizimi sllav, ka lulëzuar një kulturë thjeshtë shqiptare, që është quajtur kultura e Komanit, emër ky i një fshati në luginën e Rrafshit të Dukagjinit.

 

 Gjatë kohës se feudalizmit të zhvilluar, Juniku sikurse Gjakova e rrethinat e saj si dhe tërë Kosova, ishin përfshirë në shtetin feudal Serb. Në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, shqiptarët ishin shumicë dërmuese e popullsisë në rrethinën e Junikut, por që është shoqëruar me migrime masive të popullsisë, të shkaktuara nga ngjarjet historike, ekonomike, politike epidemitë etj.

 

Në fillim të sundimit osman, bazuar në defterët osmanë, përkatësisht në ata të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, Juniku ishte fshat shumë i madh dhe sikurse Gjakova ishte krijuar para ardhjes së këtij sundimi. Juniku deri më 26.IX.1462 qeverisej nga Leka i III-të Dukagjini i cili ishte lesak i Sulltanit. Në këtë kohë, Juniku edhe pse ishte fshat, përshkruhet si qendër pazari ashtu sikur Gjakova. Njihej me emrin Lunik dhe poashtu ishte edhe qendër e kazasë Alltun-Ilija me gjithsej 52 shtëpi.

 

 Gjatë shekujve XV-XVI, kisha ortodokse serbe e cila pranoi vasalitetin e sulltanit, përpiqej në çdo mënyrë t’i serbizojë shqiptarët ortodoksë, dhe t’i ortodoksojë ata katolikë. Islamizimi i popullsisë së Junikut ishte një goditje e rëndë për pozitat e kishës ortodokse serbe, pasi popullsia e Junikut dhe rrethinat e saj ishin islamizuar, në këmbim të lejimit të egzistencës të kishës së Deçanit. Kështu në vitin 1570-1571, në Junik ndërtohet xhamia e parë në lagjen Çoku e emërtuar sipas lagjes.  Më vonë u ndërtua edhe Xhamia në lagjen Hoxhaj në qendër të fshatit. Islamizimin e përqafuan edhe një pjesë e aristokracisë shqiptare për t’I ruajtur privilegjet e veta klasore.

 

Nga fundi i shek. XVI, rrethina e Altun-ilu, Peja dhe Gjakova janë përfshirë në kufijtë e Sanxhakut të Dukagjinit. Kjo gjendje është ruajtur edhe gjatë shekullit XVII-të. Selia e sanxhakut ka qenë në Pejë, por ndonjëherë sanxhakbeu ka qëndruar edhe në Lezhë. Duhet ditur se ky sanxhak ka qenë përherë në kuadrin e vilajetit të Rumelisë deri në vitin 1783, kur ai anulohet dhe i bashkohet si nahije sanxhakut të Shkodrës.

Gjatë viteve 1945-1960 Juniku ekziston si komunë. Ndryshimet politike të sistemit të atëhershëm rezultuan me suprimimin e komunës së Junikut në vazhdën e ristrukturimit të qeverisjes lokale (eliminohen rrethet), me c’rast Juniku inkorporohet brenda komunës së Decanit. Më  22 korrik 2005, nënshkruhet Urdhëresa Administrative të UNMIK-ut nr. 2005/11 për themelimin e pesë Pilot Njësive Komunale përfshirë Junikun. Sipas vendimit të UNMIKU nr. 2005/21, MAPL bën përcaktimin e përbërjes territoriale për secilën Pilot Njësi Komunale.

Kurse me hyrjne në fuqi të Kushtetutës së Kosovës (15 qershor 2009) dhe miratimin e ligjit për vetqeversijen lokale në komunat, Juniku certifikohet si Komunë (më datë 13 gusht 2009, sipas shkresës njoftuese nga MAPL me numër protokolli: 02-527) me të njejtat kompetenca dhe përgjegjësi si Komunat tjera në Republikën e Kosovës, me zonat kadastrale Jasiq dhe Gjocaj.