Lajmet   Kryetari i rizgjedhur Besim Ilazi, betohet para anëtarëve të Kuvendit

Kryetari i rizgjedhur Besim Ilazi, betohet para anëtarëve të Kuvendit - 20 dhjetor 2017

 Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, është betuar para anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Kaçanikut dhe qytetarëve të shumtë të cilët prezantuan në seancën inauguruese. Betimin solemn e kanë dhënë edhe 27 anëtarët e Kuvendit të Komunës të cilët nënshkruan edhe deklaratën solemne.

 Kryetari i rizgjedhur Ilazi përshëndeti të gjithë të pranishmit, anëtarët e zgjedhur të Kuvendit të Komunës, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare e vendore, mediat etj, ndërsa në fillim të fjalimit të tij shprehu konsideratën për të gjithë dëshmorët dhe të rënët e tjerë dhe për familjet e dëshmorëve, invalidët e veteranët e UÇK-së, ku falë sakrificës së tyre jetojmë dhe veprojmë të lirë. Kryetari Ilazi falenderoi qytetarët e Komunës së Kaçanikut  për besimin e dhënë, duke shtuar se jemi të vetëdijshëm së para vetes na pret një rrugë me sfida dhe përgjegjësi institucionale. Kryetari Ilazi u zotua se do të jetë me tërë qenien fizike dhe intelektuale në shërbim të qytetarëve të komunës, ndërsa shtoi se do të jetë i hapur edhe më opozitën, për të gjitha problemet, por edhe prioritetet që janë me interes të qytetarëve të komunës. “Ju siguroj që së bashku më ju dhe me mekanizmat tjerë të Komunës do të angazhohem për proceset që janë në interes të zhvillimit të Komunës në të gjitha fushat, si ekonomi, infrastrukturë, shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport, ruajtjen e ambientit dhe krijimin e hapësirave gjelbëruese e tjera” , theksoi kryetari Ilazi. Në fund të fjalimit të tij Kryetari Ilazi tha se si Kryetar Komune do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e qytetarëve pa dallime.

Anëtarët e Kuvendit në seancën e parë inauguruese e kanë zgjedhur Kemajl Murselin (PDK) për kryesues të Kuvendit të Komunës, ndërsa kundërkandidat ishte Shpend Krusha (VV). Kryesuesi Murseli përshëndeti kryetarin, delegatët dhe të pranishmit e tjerë, duke i falënderuar ata për mbështetjen e dhënë dhe u zotua se do ta kryej detyrën me nder dhe respekt, sipas ligjeve në fuqi.

Mbledhjen e ka udhëhequr, deri në zgjedhjen e kryesuesit, anëtari më i vjetër i kuvendit,  Ekrem Kyqyku. Kuvendi i Komunës së Kaçanikut përbëhet nga gjithsej 27 anëtarë, prej tyre 11 janë nga PDK-ja, 5 nga VV-ja,  4 nga AAK-ja, 4 LDK-ja, 2 nga Nisma dhe 1 nga Lista për Kaçanikun. Pas dhënies së betimit, kryetari i Kaçanikut Besim Ilazi me bashkëpunëtoret e tij, ka bërë homazhe edhe tek Varrezat e Dëshmorëve.


RSS

Sign in