Lajmet   Përkujtohen 28 dëshmorë dhe 32 martirë të rënë më 9 prill të vitit 1999

Përkujtohen 28 dëshmorë dhe 32 martirë të rënë më 9 prill të vitit 1999 - 09 prill 2012

Në trembëdhjetë vjetorin e rënies, janë përkujtuar 28 dëshmorë dhe 32 martirë të rënë në betejën e Lagjes së Re dhe Rakocit në Kaçanik
1.JPGDSC03894.JPGNë trembëdhjetë vjetorin e rënies, janë përkujtuar 28 dëshmorë dhe 32 martirë të rënë në betejën e Lagjes së Re dhe Rakocit në Kaçanik. Në vendin e rënies së 9 dëshmorëve dhe 8 martirëve, pranë pllakës përkujtimore në Lagjen e Re, fjalë rasti ka prezantuar bashkëluftëtari i dëshmorëve, z. Muharrem Ahmetaj. Z. Ahmetaj mes tjerash tha: “Veprat e mëdha i kanë edhe njerëzit e mëdhenj që u qëndrojnë mbrapa, andaj sot jemi këtu që ti nderojmë ata të cilët e ndërtuan këtë vepër, e ata janë dëshmorët e luftës së lavdishme të UÇK-së, janë bashkëluftëtarët tanë, janë martirët”. Z. Ahmetaj në vazhdim tha se ata luftuan me nderë e trimëri dhe ranë me dinjitet për lirinë e këtij vendi. Sakrifica e tyre mundë të shpërblehet vetëm atëherë kur të përmbushim amanetin e tyre, duke ndërtuar atë për të cilën luftuan, e ajo është liria të cilën e gëzojmë ne sot, është shteti të cilin e kemi sot dhe janë vlerat të cilat i kemi sot , tha z. Ahmetaj.  
Fjalë përshëndetëse në emër të strukturave komunale dhe në emër të kryetarit të komunës, z. Xhabir Zharku prezantoi z. Rushan Ceka, drejtor i Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës. Z. Ceka tha se 13 vite më parë, pikërisht më 9 prill të vitit 1999, dëshmorët e rënë në Lagjen e Re dhe Rakoc, bënë aktin më sublim duke dhënë jetën e tyre për lirin e vendit. “Ne që tani po e gëzojmë lirin na mbetet të punojmë shumë më tepër në ndërtimin e vendit dhe forcimin e institucioneve të shtetit”, tha mes tjerash, z. Ceka.
Në emër të familjeve të dëshmorëve, të pranishmit i ka përshëndetur Kosovare Thaçi e bija e dëshmorit Mynyr Thaçi.
Pranë lapidarit të të rënëve, në Lagjen e Re, kurora lulesh ka vendos kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku me bashkëpunëtorë dhe OVL-UCK-së, dega në Kaçanik dhe Keshilli Rinor per Veprim Lokal. 
Në Lagjen e Re, në betejën e 9 prillit ranë dëshmorët: Izahir Troni, Minir Thaçi, Remzi Zharku, Blerim Raka, Habit Dullovi, Raif Krivanjeva, Fatmir Horuni, Sylejman Kuka, Burim Rexha dhe civilët: Adnan Gula, Rizah Koraçi, Bedri Zharku, Aziz Axhami, Rufki Mulaku, Ramadan Spahiu, Afet Bushi dhe Maliq Zharku.
Më pastaj është vazhduar me Manifestimin përkujtimor në Rakoc. Pranë pllakës përkujtimorë të 19 dëshmorëve dhe 24 martirëve të rënë, fjalë rasti ka prezantuar z. Hajrush Kurtaj, ish zëvendëskomandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”. “Në betejën e 9 prillit u zhvillua një luftë e përgjakshme e cila kishte përfshirë një territor të gjerë duke filluar nga Lagja e Re, Rakoci, Kaçaniku e deri në Nikaj. Zona ishte e tëra në flakë. Granatohej nga të gjitha anët me të gjitha llojet e armëve” tha z. Kurti ndërsa shtoi: “Njësitet e Brigadës 162 ‘Agim Bajrami’ duke iu kundërvu armikut, goditën caqet dhe pozicionet e tyre, në tërë zonën e zjarrit, duke penguar tentimin e tyre për tu fut në pozicionet e UÇK-së. Qëndresa heroike e luftëtarëve të UÇK-së krijoi panik dhe pasiguri në mesin e forcave serbe të cilat shtuan forcat ushtarako policore dhe paramilitare në terren” Ai më tej tha: “Forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të pabarabarta edhe në armatim, kishin vetëm armë të lehta, por kishin moral dhe shpirt luftarak dhe ishin betuar të luftojnë deri në vdekje”.
DSC03895.JPGNë emër të institucioneve komunale fjalë përshëndetëse ka prezantua z. Misim Sopa, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Ai me këtë rast tha se ideali ynë dhe i shokëve tanë ishte alternativë e vetme në rrugën tonë për ta bërë lirinë realitet. Kjo u arrit përmes tytës së pushkëve, të cilat jehuan aq bukur, shtrënguar në kraharorin e ushtrisë sonë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se duhet të jemi krenar për gjithë ata që dhanë jetën për liri ndërsa ka shtuar se “Tani kur po e gëzojmë lirin duhet të jemi më të përkushtuar se kurrë, dhe me mençuri, të ndërtojmë shtetin tonë, sepse ky ishte edhe amaneti i dëshmorëve” tha z. Sopa në fund të fjalës së tij.
Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit i ka përshëndet z. Sabit Raka, baba i dëshmores Jehona Raka.
Në Rakoc, më 9 prill ranë dëshmorët: Fadil Çaka, Nehat Çaka, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Ilir Zharku, Nexhmush Elezi, Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Abdurrahim Shehu, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Kjani Bela, Shefket Fera, Nexhmi Fera, Adem Rakoci, Nevzat Qallaku, Mukadeze Muhaxheri, Kadri Trena dhe civilët: Nebi Topojani, Tefik Nallbani, Maksut Nallbani, Mendu Nallbani, Jenuz Bajra, Murat Raka, Izahir Çaka, Irfete Çaka, Murkize Dogani, Mine Gashi, Hamide Rexha, Xhili Rexha, Hamid Shehu, Gili Raka, Ekrem Raka, Izijadim Frangu, Osman Livoreka, Nebih Livoreka, Haki Livoreka, Xhemajl Haziri, Bajrush Axhami, Ilaz Rakoci, Arif Raka dhe Abdullah Burrniku.
DSC03908.JPGDSC03910.JPGPranë lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve, kryetari i komunës, z. Zharku bashkë me z. Berat Luzha, zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe OVL-UCK-së, kanë vendosur kurora lulesh, ndërsa më pas janë bërë homazhe varrezave të dëshmorëve dhe janë vendosur kurora lulesh pranë memorialit të dëshmorëve. Lule te fresketa kane vendos edhe anetaret e KRVL-se.
Në nderim të dëshmorëve dhe martirëve është shfaq edhe program kulturor e artistik. Këngëtari i mirënjohur Milaim Mezini është prezantuar më një këngën, të cilën e promovoi për herë të parë, “Zemër barot” e cila i kushtohet dëshmorit Mynyr Thaçi. Kanë performuar edhe Malsore Prushi, e cila është prezantuar me një monolog dhe SJKA-të “Shqiponja” dhe “Gryka e Kaçanikut”, të cilat kanë ekzekutuar valle popullore.
Aktivitet janë organizuar nga Këshilli Organizues, nën përkujdesen e kryetarit të komunës, z. Xhabir Zharku.
 
 
 

RSS

Sign in