2010-02-22

Nga shumë probleme të pa zgjidhura gjatë viteve të kaluara në komunën tonë ishte edhe problemi rreth grumbullimit të ujërave të shumta nga të reshurat atmosferike, shkrirja e borës por edhe nga ujërat e zeza. Në disa vendbanime e sidomos në aksin rrugorë Hodonoc-Rogaçicë-Muçiverc ishin grumbulluar tonelata ujë i papastër i cili ishte rrezik permanent për banorët e këtyre lokaliteteve dhe në veçanti për ata banorë afër këtyre “liqeneve” të cilët ujin e pijshëm e përdorin nga puset e tyre.
Sot me një përkushtim të veçantë dhe vendosmëri të lartë për zgjidhjen e këtij problemi iu qasën organet më të larta komunale.
Kryetari i Komunës së Kamenicës z.Shaip Surdulli i cili që nga orët e para ditës edhe përkundër angazhimeve të shumta, pezulloi të gjitha takimet e parapara me të vetmin qëllim që ky problem të zgjidhet sot.
“Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që çdo ujëlëshues që ka ekzistuar edhe para 10,20 apo 30 vite të hapet ashtu si duhet dhe ashtu si ka qenë sepse askush nuk mund të mbyllë apo të uzurpojë pronën komunale.
Çdo ujëlëshues është i regjistruar në planet që posedon Drejtoria e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronësisë andaj sot kemi filluar këtë aksion sepse ne jemi të bindur që pas përfundimit të kësaj pune me rëndësi të veçantë edhe vet popullata e këtyre vendbanimeve do të shohin ndryshimet e domosdoshme u shpreh Kryetari i Komunës z.Shaip Surdulli.
Në mbikëqyrje dhe mbarëvajtjen e punëve ishte prezent z.Ismet Halili, Menaxher Regjional nga Ministria e Transportit i cili që nga fillimi i këtij intervenimi përcolli për së afërmi rrjedhën e punës ku me këtë rast falënderoi Kryetarin e Komunës z.Shaip Surdulli dhe gjithë stafin prezent për këtë hap të domosdoshëm sepse, uji është shkaktari kryesor i formimit të gropave në asfalt andaj ju jeni duke i zgjatur jetën këtyre rrugëve tha z.Ismet Halili.
Edhe Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit z.Muhamet Thaçi i cili poashtu tregoi vendosmëri dhe përkushtim për punën që po bëhet dhe do të bëhet në ditët e ardhme ku me këtë rast potencoi se:”Askush nuk do të jetë mbi ligjin, jemi për ta mbrojtur atë, andaj çdo parregullsi do ta identifikojmë me kohë dhe çdo problem do ta zgjidhim ashtu si duhet. Çdo ujëlëshues është mbyllur, disa nga kushtet atmosferike por disa edhe nga faktori njeri, prandaj, lëshime apo falje në atë drejtim nuk do të ketë. Do të zbatojmë atë që duhet pa dallim”.
Vlen të theksohet edhe angazhimi maksimal i inspektorëve komunal si dhe Shërbimit Policor të Kosovës të cilët ishin në asistencë në rast të ndonjë pengese të mundshme, mirëpo mirëkuptimi mbizotëronte gjatë gjithë kohës sepse gatishmëria e banorëve për të zgjidhur këto probleme ishte në nivel, gjë që dëshmuan me mikpritje sepse ishte interes i përgjithshëm.