Bizneset dhe rrethina e biznesit
Në Komunën e Prishtinës operojnë rreth 13,306 biznese. Numri më i madh i këtyre bizneseve janë të orientuara në veprimtari tregtare. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, rreth 54% e bizneseve merren me tregti dhe hoteleri, 15% me transport, 8% me patundshmëri dhe vetëm 4% me veprimtari përpunuese. Kjo tregon për një shpërndarje jo shumë të volitshme sipas sektorëve të bizneseve në Komunën e Prishtinës.
Megjithëse, sektori i tregtisë dhe hotelerisë është sektor intensiv sa i përket punësimit (për të cilën gjë ka shumë nevojë në Prishtinë, për shkak të papunësisë dhe koncentrimit të madh të popullsisë), është e nevojshme që bizneset të nxiten në veprimtari që janë të natyrës prodhuese dhe potencialisht eksportuese. Kjo do ta zvogëlonte deficitin e madh tregtar të Kosovës dhe do të kishte efekte të tjera multiplikuese në vend.
Shpërndarja e bizneseve sipas veprimtarisë në Komunën e Prishtinës.:
| PËRSHKRIMI |
NUMRI I BIZNESEVE |
% |
|
1.Bujqësi, gjueti, pylltaria dhe peshkim
|
142
|
1%
|
|
2.Industria nxjerrëse
|
370
|
3% |
|
3.Industri përpunuese
|
551
|
4%
|
|
4.Prodhimi i pajisjeve elektrike, makinave etj.
|
120
|
1%
|
|
5. Furnizimi me energji elektrike, gaz, ujë, avull, ujë te ngrohtë dhe ndërtimtaria
|
696
|
5%
|
|
6.Tregtia me shumicë dhe pakicë, hotelet dhe restorantet.
|
7,156
|
54%
|
|
7.Transporti,magazinimi dhe komunikacioni
|
2,007
|
15%
|
|
8.Afarizmi me pasuri të patundshme
|
1,074
|
8%
|
|
9.Arsimi, mbrojtja shëndetësore dhe sociale
|
427
|
3%
|
|
10.Veprimtari të tjera
|
763
|
6%
|
|
Totali
|
13,306
|
100%
|
|
Burimi: Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë
|
Aktivitetet ekonomike shërbyese janë kryesisht të koncentruara në hapësirën urbane të qendrës dhe në zonat urbane të lagjeve: “Dardania”, “Ulpiana”, “Kodra e Diellit”, “Lakërishta”, “Qendra” dhe “Aktashi”.
Në zonën e Qendrës dominojnë institucionetadministrative të pushtetit qendror dhe lokal, hotelet, restorantet, bankat, objektet kulturore, lokalet tregtare me pakicë dhe selitë e zyrave të bizneseve të ndryshme. Organizimi hapësinor i Qendrës ruan vlerat dhe standardet urbane të realizuara kryesisht në periudhën e paraluftës, ndërsa pas luftës kemi fenomenin e shndërrimit të hapësirave banesore në përdhese dhe të kateve të para të banesave kolektive, në lokale afariste për qëllime komerciale. Në zonat e tjera të urbanizuara në kuadër të veprimtarive terciare ushtrohet aktivitet i llojllojshëm i shërbimeve duke dominuar tregtia me pakicë dhe restorantet. Me plane rregulluese të miratuara për lagjet: “Qendra 1”, “Qendra 2”, “Dodona”, “Tophane”, “Kalabria”, “Mati”, “Sofalia” dhe “Lakërishta” (dhe “Dardania” që pritet të dalë në diskutim publik së shpejti),parashihet zgjerim i aktiviteteve të biznesit në zonat e ndërtuara apo në ndërtim e sipër.
Nyjat kryesore ekonomike në Komunën e Prishtinës shtrihen në aksin rrugor Prishtinë - Fushë Kosovë dhe Prishtinë - Ferizaj.
Me hartimin e Planit dhe Strategjisë për Zhvillim Urban të Prishtinës (PSZHUP) për vitet 2004/2020+, janë definuar lokacionet për veprimtari ekonomike dhe jo-ekonomike, si: unazat e qytetit, autostrada Prishtinë-Merdar, nyjat strategjike për zhvillim të ekonomive shërbyese (Prishtinë-Aeroport), zona industriale ekzistuese prej 60 ha, zona industriale prej 600 ha si dhe Prishtina e Re me një sipërfaqe prej 1,000 ha. Këto hapësira të reja do të ofrojnë mundësi shtesë për zhvillimin e biznesit sipas standardeve më të mira.
Me PSZHUP janë të detajuara sidomos dy zonat industriale. Zona ekzistuese industriale
që shtrihet në aksin rrugor Prishtinë – Fushë Kosovë, me një sipërfaqe neto prej 60 ha, momentalisht administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe procesi i privatizimit është në vazhdim. Zona e dytë industriale është në veri-perëndim të Prishtinës me një sipërfaqe të dedikuar prej 600 ha. Kjo është momentalisht hapësirë e identifikuar, e pa ndërtuar dhe pa infrastrukturë përcjellëse. Edhe kjo zonë është në administrim të AKP-së.