Komuna e Lipjanit

Komuna e Lipjanit ka pozitë të përshtatshme gjeografike,sepse gjendet në pjesën qendrore të Republikës së Kosovës dhe në udhëkryqin e rrugëve më të rëndësishme të rajonit. Kufizohet me komunat: Ferizaj, Fushë Kosovë, Graçanicë, Drenas, Suharekë, Malishevë, Shtime, Ferizaj, Gjilan dhe Artanë.

    Në komunën e Lipjanit jetojnë rreth 57474 banorë,ndërsa vetëm në qytetin e Lipjanit jetojnë  6842 banorë.Territori administrativ i komunës është i pozicionuar në jug të Prishtinës, dhe mbulon sipërfaqen prej 338.54 km2. Dendësia e popullsisë  170 b/km2,  e përafërt me mesataren e popullsisë në shkallë vendi  159.31 b/km2,  3.2% e territorit të shtetit.

 Pjesa më e madhe e popullsisë janë shqiptarë -94,8 %, ndërsa 0.88 %  janë serb, kroatë:0.41 % , romë 3.67%  dhe 0.03 % të tjerë. Mosha e popullsisë është e re, nga kjo rreth 40% janë të moshës 0 -14 vjeç, 45% janë të moshës 15 -65 vjeç dhe 15% janë të moshës mbi 65 vjeç. Mesatarja  e madhësisë së familjeve është pesë anëtarë.  

           Ka mundësi të volitshme të shfrytëzimit të trafikut rrugor – hekurudhor, e- përmes Vrellës,-edhe atij ajror, për shkak se Aeroporti i vetëm ndërkombëtarë gjendet në territorin e Komunës së Lipjanit dhe është nga qendra vetëm 15 km., Në anën perëndimore shtrihet rezervati Blinaja që do të mund të zhvillohej në një qendër rekreative dhe atraktive për tërë rajonin.Ne Gadime gjendet  Shpella e mermerit që paraqet një atraksion të rëndësishëm turistik ,jo vetëm për Komunën e Lipjanit por për tërë Kosovën. Parku kulturo-historik në Kleçkë dhe Divjakë, si dhe qyteza e  vjetër Janjeva, po ashtu, konsiderohen si vende atraktive për vizitorë. 

          Kjo makropozitë e territorit të Komunës si dhe e vetë qytetit Lipjan paraqet rrethanën mjaftë të përshtatshme për zhvillimin e mëtejmë të Komunës. Përmes teritorit të Komunës së Lipjanit kalon hekurudha e cila lidhë këtë territor në të gjitha drejtimet me rajonin në tërësi.

           

kk.png


Komuna e Lipjanit ka 62 vendbanime, numri më i madh i tyre është i koncentruar në fushëgropën e Kosovës që paraqet pjesën qendrore të Komunës së Lipjanit, ndërsa vendbanimet e tjera shtrihen në pjesën lindore dhe perëndimore të kufijve morfologjik-pjesëve kodrinoro-malore të Komunës së Lipjanit.  ku një numër i tyre është i koncentruar në pjesën qendrore ndërsa të tjerat në pjesën lindore dhe perëndimore të kufijve morfologjikë – pjesëve kodrinoro-malore të Komunës. Gjithashtu kjo Komunë gjendet në afërsi 
drejtpërdrejtë të qendrave më të mëdha të Republikës së Kosovës, me largësi, si:

Lipjan – Prishtinë ……………………...16 km

Lipjan – Mitrovicë ……………………..57 km

Lipjan –Prizren ...................................60 km

Lipjan – Gjakovë ................................96 km

Lipjan – Pejë (përmes Prizrenit )...... 131 km

Lipjan – Ferizaj ..................................26 km

Lipjan – Gjilan ....................................50 km etj.