
Mitrovica është njëri prej vendbanimeve më të vjetra të njohura në Kosovë. Pozita strategjike dhe gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës si dhe motivet ekonomike kanë bërë që territori i Mitrovicës të popullohet qysh në parahistori. Prej kohës antike deri në mesjetë njihej si Albanik (Monte Argentarum), vend i pasur me argjend e plumb. Zhvillim të hovshëm Mitrovica përjetoi në shekullin e 19-të, pasi u zbuluan burime të mineraleve dhe xeheve, përderisa më vonë u shndërrua në qytetin më të zhvilluar industrial në Kosovë. Komuna e Mitrovicës gjendet në veri të Kosovës në një distancë afërsisht 40 km nga Prishtina, me një sipërfaqe prej 326 km katrorë dhe paraqet rreth 3.25 për qind të territorit të Kosovës. Komuna e Mitrovicës numëron 46 vendbanime. Shtrihet në shkallën 42. 53 shkallë të gjerësisë gjeografike veriore dhe në 25.52 shkallë të gjatësisë lindore. Lartësia mbidetare e Mitrovicës është 508 - 510 metra. Nga të dhënat që bazohen në regjistrimin e fundit zyrtar që është bërë në vitin 1981, mandej të dhënat nga Zyra Statistikore e Kosovës, regjistrimin e vitit 1991, 1998 etj, del se Komuna e Mitrovicës ka rreth 126, 000 banorë, prej të cilëve 110,000 mijë jetojnë në jug të qytetit, ku pos shqiptarëve përfshihen edhe minoritetet tjera si boshnjakë, turqë, romë dhe ashkali.
Çdo vrejtje sygjerim nga ju qytetar të nderuar janë të mirëseardhura ! Ju lutem na kontaktoni ( E-mail juaj do të dërgohet tek zyra për informim) :