Lajmet   Lajmet   Bajram Rexhepi dha kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset për liri e pavarësi të vendit

Bajram Rexhepi dha kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset për liri e pavarësi të vendit - 22 gusht 2017

Bajram-Rexhepi.jpg (Telegram ngushëllimi i kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri)

E nderuara familje e veprimtarit të devotshëm, Bajram Rexhepi,
 
Lajmi për kalimin në amshim të më të dashurit tuaj, Bajram Rexhepi, njëri nga veprimtarët më të devotshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit që ndonjëherë ka pasur Mitrovica, na ka pikëlluar thellë të gjithë ne që gjendemi në krye të institucioneve lokale e qendrore, si dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të Republikës së Kosovës e më gjerë.
 
Largimi i tij nga kjo jetë është një humbje jashtëzakonisht e madhe, jo vetëm për ju të nderuar familjarë, por edhe për Mitrovicën e Kosovën, andaj ne bashkëqytetarët e tij dhe të gjithë qytetarët e vendit i ka prekur dhe pikëlluar  shumë vdekja e veprimtarit dhe atdhetarit të shkëlqyeshëm, Bajram Rexhepi. Shkuarja e njerëzve të mirë dhe të dobishëm për atdheun e kombin nga kjo botë është gjithmonë e parakohshme.
 
Veprimtari i dalluar e i devotshëm, Bajram Rexhepi, ishte njëri ndër kontributdhënësit më të mëdhenj të Mitrovicës për çështjen kombëtare, në luftën e shenjtë për lirinë e pavarësinë e vendit, për zhvillimet e proceseve të shtetndërtimit dhe atyre demokratike në vend, për proceset e stabilizimit të gjendjes në Mitrovicë e Kosovë, për përmirësimin e mirëqenies sociale dhe të gjendjes shëndetësore të qytetarëve të Mitrovicës dhe të Republikës së Kosovës.
 
Atdhetari e intelektuali Bajram Rexhepi ishte një personalitet shumë i fuqishëm, i vendosur e i  pakompromis për çështjet në interes të qytetarëve, shtetit e kombit, një njeri i veçantë, i urtë e i sjellshëm, i afërt me të gjithë dhe shumë komunikues, cilësi këto që i kanë vetëm njerëzit e mëdhenj dhe, për këtë arsye, ishte shumë i dashur e i respektueshëm nga të gjithë.
 
Prandaj, të nderuar familjarë, më lejoni që në emër të qytetarëve të Mitrovicës dhe në emrin tim personal,  t’ju shpreh ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për humbjen e këtij kolosi të çështjes kombëtare, familjarit të devotshëm, shokut e mikut dinjitoz, çfarë ishte shumë i nderuari dhe i respektuari Bajram Rexhepi. 
 
E di se dhembja dhe pikëllimi i juaj në këto momente  është i jashtëzakonshëm, por ju lus që të bëheni të fortë  dhe situatën ta kaloni sa më lehtë. Bajram Rexhepi, nuk ishte vetëm krenaria e juaj, por ai ishte edhe krenaria e të gjithë mitrovicasve dhe e kombit në përgjithësi. 
 
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës. 
 

RSS

Sign in