Lajmet   Lajmet   Dr.Bajram Rexhepi u varros me nderime të larta shtetërore në varrezat e të merituarve në Shipol

Dr.Bajram Rexhepi u varros me nderime të larta shtetërore në varrezat e të merituarve në Shipol - 23 gusht 2017

DSC_0780.JPGËshtë varrosur në orët e pasdites me nderime të larta në varrezat e të merituarve në Shipol atdhetari dhe veprimtari i shquar  Dr Bajram Rexhepi.  
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë mijëra qytetarë të Mitrovicës, rajonit, vendit dhe nga trojet tjera shqiptare. Në mesin e tyre ishin të pranishëm edhe  presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i deritashëm Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministra, deputetë, ambasadorë,  përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore e ndërkombëtare, liderë ët shqiptarëve nga Maqedonia e të tjerë. 
 
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha në fillim se Lajmi për vdekjen e Bajram Rexhepit i ka prekur të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos ata të Mitrovicës, ku ai lindi, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, ku kontribuoi me tërë qenien e tij për ngritjen e nivelit shëndetësor, në organizimin e përgjithshëm për lirinë dhe pavarësinë e popullit të tij.
 
“Bajram Rexhepi ishte një patriot i kulluar dhe i mençur. Ai qysh në fillim kundërshtoi politikën gjenocidale të Serbisë. Në kohën kur pushtuesi ushtronte dhunë e terror në Drenicë dhe një pjesë e popullatës nga fshatrat e kësaj krahine u dëbua dhunshëm nga shtëpitë e tyre, Dr. Bajram Rexhepi u gjend në krye të aksionit për strehimin e tyre në familjet e komunës së Mitrovicës dhe ofrimin e ndihmave humanitare për mbijetesë.
 
Kur filloi lufta në Kosovë, Bajram Rexhepi sërish e dëshmoi veten si njeri liridashës dhe i përkushtuar për atdheun e popullin e tij. U angazhua drejtpërdrejt në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, hyri në frontet më të rrezikshme, duke rrezikuar jetën e tij vetëm e vetëm për t’iu ardhur në ndihmë ushtarëve të plagosur dhe popullatës në përgjithësi”, tha kryetari Bahtiri.
 
Ai në vazhdim, ndër të tjera shtoi se pas përfundimit të luftës në Kosovë, Dr. Bajram Rexhepi, duke qenë njeri me përvojë, një intelektual i dëshmuar e atdhetar i pakompromis, u zgjodh prefekt i parë i Komunës së Mitrovicës. Këtë detyrë e kreu me përgjegjësi e përkushtim të madh.
 
Ndërsa në fjalën e tij në ceremoninë e varrimit, kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndër të tjera tha se qytetarët e shumtë kanë ardhur për t’u ndarë nga një njeri të madh si ish kryeministër. 
“Kemi humbur njeriun i cili veshi uniformën e UÇK-së për shërimin e tyre si kirurg. Duhet të ndiqet ky shembull i Rexhepit për të çuar vendin përpara. Sa herë të flitet për emrin e tij do të flitet edhe për Mitrovicën. Nga sot Rexhepi është monument i shtetit të Kosovës”, tha Veseli.
 
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore dhe asaj fetare, mbi varrin e politikanit të shquar kosovar, liderët shtetëror dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, familjarët dhe shumë qytetarë vendosën buqete më lule të freskëta dhe kurora lulesh
 
Para ceremonisë kryesore të varrimit, trupi i pajet i atdhetarit Bajram Rexhepi ishte vendosur në hapësirat e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ku bënë homazhe mijëra qytetarë të Mitrovicës e më gjerë. 

DSC_0737.JPG 
 
 

RSS

Sign in