Lajmet   Lajmet   Komuna e Mitrovicës obligohet nga Gjykata Themelore që të kompensojë SH.A. “2M” me 2.122.000 euro

Komuna e Mitrovicës obligohet nga Gjykata Themelore që të kompensojë SH.A. “2M” me 2.122.000 euro - 21 gusht 2017

17991292_271576816627723_7576897111495356264_o-(1).jpgNjë vendim jo i ligjshëm (sipas gjykatës) i aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës në vitin 2010, do të përkeqësoj në maksimum gjendjen buxhetore të Komunës, pasi që ajo është obliguar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që nga mjetet vetjake të paguaj një shumë të papërballueshme parash palës së dëmtuar. 
Gjykata Themelore në Mitrovicë, më datën 19.07.2017, ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit SH.A. “2M” nga Rozhaja, me seli në Mitrovicë, duke e obliguar njëkohësisht të paditurën, që në këtë rast është Komuna e Mitrovicës, që në emër të kompensimit për marrjen në mënyrë arbitrare të paluajtshmërisë, t’i paguaj SH.A. “2M” shumën e përgjithshme prej 2.122.000 euro dhe në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore shumën prej 3.984 euro.
 
Vendimi joligjor nr 02/06-4136/7, është marrë nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës më datën 29.07.2010, kur kryetar i Komunës ishte Avni Kastrati, edhe pse përfaqësuesi SH.A. “2M”, kishte prezantuar në mbledhjen e Kuvendit dhe kishte ofruar prova se paluajtshmëria  është në mënyrë ligjore pronë e saj.
 
Me këtë vendim, të cilin Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka shpallur joligjor, Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Kuvendi i Komunës, ia kishte marrë në mënyrë arbitrare (sipas gjykatës) pasurinë e paluajtshme SH.A. “2M” nga Rozhaj, me seli në Mitrovicë, që gjendet afër stacionit hekurudhor dhe ia kishte dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila për nevoja të veta më pastaj aty ka ndërtua tri objekte.
 
Në aktgjykimin e nënshkruar nga gjyqtari Skender Shala, thuhet se Gjykata Themelore e ka marrë këtë vendim pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave,  provave të ofruara dhe super ekspertizës të bërë nga ekspertët përkatës, meqë ka konstatuar se në rastin konkret janë përmbushur kushtet ligjore dhe reale për të aprovuar padinë e paditësit si të bazuar në tërësi, e që është SH.A. “2M”. 
 
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, thotë se nëse bëhet i plotfuqishëm ky vendim, e që gjasat janë reale, Komuna do të dëmtohet shumë, ndërsa që gjendja buxhetore do të përkeqësohet tej mase, si pasojë e së cilës do të rrezikohet funksionimi normal i administratës komunale.
 
Sipas tij, kjo gjendje mund të përkeqësohet akoma, pasi që në procedurë gjyqësore janë edhe kërkesa tjera të palëve për kompensim të miliona eurove, që janë dëmtuar në kohën kur në krye të Komunës ishte Avni Kastrati, kur ishin marrë vendime në interes të kompanive që ishin të afërta me PDK-në, siç është rasti kur Organizatës Ndërkombëtare SPARK i është marrë një hapësirë që i ishte ndarë më parë në mënyrë të rregullt e ligjore, për t’ia dhënë Kompanisë së Devollve për ndërtimin e terminalit doganor.
 
 

RSS

Sign in