Historia

Duke u bazuar në burime të shumta historike territori i komunës së Novobërdës ka qenë një trevë e populluar qysh në zhvillimet e hershme të njerëzimit. Novobërda posaçërisht bëhet qendër e rëndësishme në mesjetë atëherë kur edhe merr hov zhvillimi i xehetarisë.

Sipas disa shënimeve në shekullin e XV Novobërda kishte 45,000 banorë.Kulminacionin e zhvillimit ekonomik dhe politik e arrin me zhvillimin e minierës së Novobërdës e cila ishte shumë e pasur me minerale të Arit, Argjendit, Plumbit dhe Zinkut. Sipas disa të dhënave të asaj kohe, në vitin 1450 Miniera e Novobërdës prodhonte afër 6000 kg argjend në vit. Pasuritë e minierës e cila ishte më e njohur në Europën e asaj kohe u shfrytëzuan nga perandoritë e ndryshme duke filluar nga ajo romake, bizantine dhe osmane. Në atë kohë Novobërda kishte edhe fabrikën e vet të monedhave dhe të stolive nga ari dhe argjendi.

Këto periudha të ekzistencës së qytetit kanë lënë gjurmë të shumta arkeologjike. Për këtë shkak në vitin 1994 Instituti i Monumenteve dhe Muzeut rajonal të Prishtinës me qëllim të mbrojtjes së monumenteve të Novobërdës ka bërë përkufizim topografik të shtrirjes së qytetit mesjetar dhe lokaliteteve arkeologjike përreth tij, me ç’rast pos kalasë mesjetare janë përfshi vendbanime të tjera, objekte kulti, objekte fetare, varreza, furra për shkrirjen e xeheve etj, në një sipërfaqe prej afro 130 hektarësh. Në sipërfaqen prej 130 ha dhe në afërsi të kalasë nuk lejohet kurrfarë ndërtimi si dhe gërmime pa lejen e KK.