Kuvendi i Komunës



Kuvendi i komunës është organi më i lartë në komunë dhe zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet lokale.
Të gjithë qytetarët e komunës mund të kandidohen në kuvendin e komunës, me kusht që ata t’i plotësojnë kushtet e parapara në Ligjin mbi zgjedhjet lokale.
Mandati i çdo anëtari të kuvendit të komunës verifikohet nga komisioni për verifikimin e mandateve që themelohet nga kuvendi i komunës, para nënshkrimit të mandatit nga secili këshilltar.
Të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës duhet ta nënshkruajnë betimin solemn si në vijim:
“Betohem (ose deklaroj solemnisht) se do t’i kryej me nder, me besnikëri, pa anime e me
ndërgjegje dhe sipas ligjit detyrat dhe do t’i ushtroj autorizimet e mia si këshilltar i kuvendit të
komunës së _________________,në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë”.
Anëtarët e kuvendit të komunës, të cilët nuk e nënshkruajnë betimin ose mandatin brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve,pushojnë së qeni anëtarë.

Numri dhe zgjedhja e anëtarëve të kuvendit
Numri i anëtarëve në kuvendin e komunës të një komune duhet të jetë proporcional, varësisht nga numri i qytetarëve në komunë.
a) nëse komuna i ka deri në 10.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 15 anëtarëve;
b) nëse komuna i ka prej 10.001 deri 20.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 19 anëtarëve;
c) nëse komuna i ka prej 20.001 deri 30.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 21 anëtarëve;
d) nëse komuna i ka prej 30.001 deri 50.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 27 anëtarëve;
e) nëse komuna i ka prej 50.001 deri 70.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 31 anëtarëve;
f) nëse komuna i ka prej 70.001 deri 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 35 anëtarëve;
g) nëse komuna i ka më shumë se 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 41 anëtarëve.
.
Mandati
Mandati i anëtarëve të kuvendit të komunës është katër vite.
Anëtari i kuvendit të komunës pushon të jetë anëtar kur:
a) me rastin e përfundimit të mandatit të tij;
b) nëse ai/ajo ndrron vendbanimin ku është zgjedhur;
c) nëse anëtari ia paraqet kryetarit të komunës dorëheqjen me shkrim nga posti i tij;
d) nëse anëtari ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale dhe është lëshuar urdhri për burgim për
gjashtë ose më shumë muaj;
e) nëse anëtari nuk merr pjesë tre (3) muaj rresht në mbledhjet e kuvendit të komunës pa arsye;
f) nëse ligji në fuqi, apo ndonjë ligj tjetër i zbatueshëm skualifikon apo e konsideron të papërzgjedhshëm.
Anëtari i kuvendit të komunës në të njejtën kohë nuk mund të jet deputet i Kuvendi të Republikës së Kosovës.
Konfliktet e interesit
Anëtari i kuvendit të komunës apo anëtari i komitetit nuk mund të jetë pjesëmarrës në marrjen e vendimeve dhe në procedurat administrative që kanë të bëjnë me cilëndo çështje në të cilën ai ose ajo, apo ndonjë anëtar i afërt i familjes së tij apo saj, ka interes personal apo material.
Çdo anëtar duhet t’i shfaqë të gjitha konfliktet e interesit që lindin në çdonjërën prej mbledhjeve në të cilën është present. Çdo këshilltar mund të ofrojë informacione për interesat e anëtarit tjetër.
Para mbledhjes së parë të kuvendit të komunës, anëtarët e kuvendit duhet t’i regjistrojnë deklaratat e plota dhe të hapura rreth interesave të tyre financiare në një regjistër publik të cilin e mbanë shefi i administratës dhe përsonelit. Anëtarët duhet të shënojnë çdo ndërrim të gjendjes së tyre financiare posa ato të ndodhin.
Statuti dhe Rregullorja e punës përcaktojnë masat që masat për përjashtimin e anëtarëve nga procesi i marrjes së vendimeve dhe nga procedurat administrative, aty ku kanë konflikt të interesit.
Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të kuvendit të komunës
Të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës kanë të drejta dhe mundësi të barabarta të marrin pjesë plotësisht në punimet e kuvendit. Kuvendi i komunës siguron që këto të drejta dhe mundësi të parashikohen në Statutin dhe në rregulloren e tij të punës.
Anëtari i kuvendit të komunës ka të drejtë të kërkojë informacione lidhur me çështjet komunale nga kryetari, apo nga zëvendëskryesuesi i komitetit. Kërkesa shqyrtohet në pajtim me procedurat që do të përcaktohen në Statut dhe Rregulloren e punës.
Anëtari i kuvendit të komunës mund të dorëzojë vërejtje me shkrim, të cilat i bashkangjiten procesverbalit.
Anëtari i kuvendit të komunës mund t’iu drejtohet të pranishmëve në cilindo komision të kuvendit të komunës anëtar i të cilit nuk është, por nuk mund të votojë. Ai apo ajo mund t’i propozojë kryesuesit të komitetit që të diskutohet ndonjë çështje që është përgjegjësi e komitetit.
Anëtari i kuvendit të komunës mund të kërkojë nga kryetari informacione që janë të nevojshme për punën e tij si këshilltar. Nëse nuk është i kënaqur me përgjigjen, ai apo ajo mund ta ngrisë çështjen në kuvendin e komunës.
Anëtari i kuvendit të komunës lejohet të mungojë nga vendi i punës për periudha kohore që janë të domosdoshme për kryerjen punëve të kuvendit .
Kuvendi i komunës, në pajtim me Statutin e komunës dhe me udhëzimet e nxjerra nga qeveria qendrore, mund t’iu ofrojë kompensim anëtarëve të kuvendit për punën e tyre në kuvendin e komunës.
Anëtarët e kuvendit të komunës detyrohen të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet e kuvendit,
të thirrura në mënyrë të duhur në komisionet ku ata janë anëtarë, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye të justifikueshme për mungesën e tyre.

Kuvendi Komunal i Obiliqit ka 21 delegatë.