Lajmet   Komuna e Obiliqit organizon ushtrim për reagim në raste emergjente

Komuna e Obiliqit organizon ushtrim për reagim në raste emergjente - 14 mars 2017

 

P1230518.JPG

Komuna e Obiliqit gjegjësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike Emergjente ka organizuar një trajnim “Ushtrimi fushor veprimi i shpejtë 10 “, në bashkëpunim me Policinë, Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Kryqin e Kuq, KEK-u dhe KFOR-in se si duhet të reagojnë në raste emergjente.

Është hera e parë që organizohet një trajnim i tillë ku janë përfshirë edhe KFOR-i si bashkëpunues.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se ky trajnim ka filluar si iniciativë e përbashkët e tyre, e FSK-së dhe KEK-ut, duke përfshirë edhe ata që merren me siguri, zjarrfikësit e ndihmën e shpejtë.

“Është një aktivitet tre ditor, ku do të praktikohen dhe simulohen situata të ndryshme. E keni parë edhe ju gjatë aktivitetit vendosja e shatorreve, salla operative e emergjencës, pastaj janë nxjerrë vendime që të shpallet zonë e rrezikshme gjatë këtij aktiviteti. Është simuluar kinse ka ndodhur një tërmet prej gjashtë ballës dhe nga ai moment, janë mbledhur të gjithë aktorët, të cilët janë të implikuar në këtë trajnim dhe bashkërisht i kemi ndarë detyrat duke vepruar në koordinim”, ka thënë Gashi.

“Ky aktivitet ishte i mirë, sepse këtij ushtrimi iu bashkua edhe KFOR-i për shkak se është paraparë edhe me program”, ka thënë ai.

Kryetari Gashi ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që Komuna e Obiliqit bënë një ushtrim për raste të tilla, pasi që siç tha ai, inskenime të tilla janë bërë edhe nëpër shkolla, “por i këtij lloji si sot është i pari pasi që ka qenë me përmasa më të mëdha”.

“Nga aktivitetet e tilla ka mundësi të përfitojnë njohuri të reja të situatave emergjente dhe çdo njohuri është mundësi më e mirë për të kuptuar se si të sillemi në situata emergjente”, ka pohuar ai.

Të gjithë trupat duke përfshirë FSK-në, Kryqin e Kuq, zjarrfikësit e Policinë, kanë inskenuar kinse ka ndodhur një tërmet dhe se në Termocentralin “Kosova A”,  dhe se ka ndodhur një shpërthim dhe janë lënduar disa punëtorë.

Me të marrë këtë informatë të gjitha ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur që t’i nxjerrin këta persona nga depoja ku edhe kishte ndodhur shpërthimi, duke i sjellë në spitalin fushor që ishte inskenuar afër termocentralit.

Pas kësaj, po ashtu është simuluar edhe një aksident ku si pasojë e lëndimeve që kanë marrë personat në veturë, Shtabi Emergjent përmes FSK-së është detyruar të kërkojë ndihmë edhe nga KFOR-i, me ç’rast këta të fundit kanë ardhur me helikopterë dhe kanë bartur me vete për trajtim personat e lënduar.

Trajnimi do të zgjasë tri ditë rresht.

 P1230522.JPG P1230531-(1).JPG P1230559.JPG P1230594.JPG P1230610.JPG P1230627.JPG P1230649.JPG P1230635.JPG

RSS

Sign in