Statuti

Gis Online

Kontakti


Turizmi në Pejë

Duke u bazuar në terrenin në të cilin shtrihet Peja ka resurse të mëdha tërheqëse dhe interesante turistike të cilat mund ti kënaqin edhe adhuruesit e natyrës së egër të paprekur, por edhe adhuruesit e bukurive idilike fshatare , si dhe hulumtuesit e interesuar për gjurmë të së kaluarës. Duke u shtrirë në mes të rrjedhës së lumenjve Drini i bardhë dhe Lumëbardhi, Peja ofron një spektër mundësish për peshkatari të llojeve fisnike të peshqve të ujërave të ëmbla, ndërsa adhuruesve të aventurave të sporteve dimërore dhe verore do t’u ndalet fryma nga bukuritë e kanjonëve,ujëvarave dhe terreneve të përshtatshme për skijim. Familjet me fëmijë dhe të hareshmit të padurueshëm për shijimin e shëtisë në flladin natyrorë do të gjejnë pushim ideal në brigjet e freskëta të lumenjve në ditët e nxehta të verës.
Hapësira e Pejës në përgjithësi është e mbuluar me male dhe maja të pasura me pyje gjetheramëse dhe gjethembajtëse të gjelbërta, të cilat në vete fshehin pasuri të paparë për gjuetar dhe për grumbullues të bimëve mjekuese. Peja është e pasur me kushte të cilat ofrojnë mundësi për zhvillimin e turizmit të gjuetisë. Rezervat më të njohura të Fondit të shtazëve janë në Rezervatin e Rusolisë si: Gjahu i lartë:Ariu,Kaprolli, Derri, Dhelpra,Cjapi i egër, Rrëqebulli, Kunalja e artë, Kunalja e bardhë etj. Gjahu i ultë : Lepuri , Thëllëza, Fazani, Pula e egër, Gjeli i pyjeve etj.

 
Bimët mjekuese që gjinden në alpet shqiptare janë:( kantarioni-hypericum perforatum; lulja e gjehnetit– thymus serpyllum; “Pustikara”- dignalis feruginea; mjekra e dhisë -Aruncus silvestris kost.; lule boronica, lule aguliqe, lule kamamili etj.) dhe prodhimet malore ,(boronica , dredhëza, mjedra, këpurdha , manaferra, thana, lajthia etj)
Klima malore e regjionit të Rugovës me verën e nxehtë e dimrin e ftohtë dhe të gjatë, favorizon pa rezervë turistët që atje të thithin ajrin e pastër, me jone të zbritura nga mali në mëngjesin e hershëm deri në orën nëntë që janë stimulues për shëndetin e njeriut. Jo vetëm ajri i pastër por edhe larmia e botës së gjallë që të humb në mendim e meditim, të kthesh në origjinën tënde si njeri , të gjykosh se çfarë je ti sot, cili është dallimi në mes teje dhe gjithë asaj bote kafshësh të buta e të egra, zogjsh e insektesh që janë në harmoni në mes vete dhe me atë që i rrethon Natyrën…
Është e rëndësishme prania e bollshme e ujit. Reshjet vjetore mesatare janë 1000mm. Pjesa më e madhe e këtyre reshjeve bie në dimër në formë dëbore, por edhe shiut .
Trashësia e dëborës ofron kushte për skijim . Kjo trashësi shkon 1-2m në lartësinë 1200-2000m me gjatësi shtigjesh 1-5 km. Vetë ekspozicioni i këtyre terreneve ; VP,VL dhe JL ofron kushtet e krijimit të shtresave kualitative të dëborës prej fundit të muajit dhjetor deri në prill. Prania e ujërave është vendimtare për çdo turizëm, andaj regjioni konsiderohet si rezervar ujërash me prurje optimale nga lumenjtë e thellë që i japin pamje estetike, shenjat ujëvarat, puset e gurrat, si në numër ashtu edhe në përhapje të konsiderueshme. Uji i tyre është i kthjelltë si kristal, në të shumtën e rasteve i ftohtë por i pasur me peshkun e shijshëm –Trofta.
Si do që të jetë regjioni i Rugovës mbetet një vend me klimë të përshtatshme për verime , në përgjithësi me verë të freskët ku temperaturat shkojnë deri në 17..2 gradë Celsius e ndonjëherë deri 20 e 25 gradë C që favorizon turizmin shtëpiak, të organizuar stacionar, shërues, dhe sportivo -rekreativ si , ngjitje dhe marshim, shëtitje, vizita monumenteve kulturo - historike lëshim me parashuta, , notim në liqenin e Liqenatit dhe lundrim në lumë. Ndërsa dimri i ftohtë dhe i përshtatshëm favorizon zhvillimin e turizmit dimëror, ski, ngjitje dhe atë stacionar.
Motivin më të bukur dhe njëherit të veçantë paraqet Gryka e Rugovës dhe fusha rreth shtratit të Lumëbardhit të Pejës përmes të cilit kalon rruga e asfaltuar 24 km që të qon prej Pejës nëpër çakor për në Mal të zi. Hapësira rreth shtratit të Lumëbardhit ka pamje grykore në gjatësi prej 20 km ,ndërsa pjesa më e bukur e tij Gryka e Rugovës është e gjatë afër 10 km. Ajo është e thellë afër 1000m., ashtu që është e klasifikuar në rendin e kanjoneve më të thella në vend dhe në Evropë.
Para se të hysh në pikën që karakterizon këtë grykë si kanion tipik në kilometrin e 6-të ndodhet ujëvara e gjatë 25m që buron në shkëmb nga ana jugore e derdhet në lumë.
Ky kanjon i krijuar nga gërryerja e ujit dhe largimi i akullnajës së Pejës, është tipik dhe i thellë ku lumi diku edhe nuk shihet nga ngushtimi dhe ngritja e shkëmbinjve të lartë vertikal të pjerrët që të ngërthejnë brenda vetes aq sa mund të frikësohesh ose krekosesh sepse majat që ndërtojnë formacionet e shkëmbinjve gëlqeror e konglomerateve me ngjyrë hiri, në ngritje vertikale, radhë të mbuluar me bimë të ulta dhe Pishën e shkëmbit, duke u gjet i rrethuar prej tyre mund të shohësh vetëm qiellin e kaltër.
Kanioni i Rugovës ose siç quhet “ Gryka e Rugovës” duke filluar 3 km larg Pejës deri në kilometrin e 9-të ku ngadalë fillon të hapet , herë herë vije e ngushtohet , duke krijuar një lugajë , paksa më të butë në fundin e së cilës rrjedhë rrëmbyeshëm lumi Lumbardhë duke sjellë me vete rërën e gërryer, shushurimën dhe freskinë e për tu ngushtuar prapë në një grykë të ngushtë përgjatë rrugës në perëndim të regjionit që të shpie në Qafë të Çakorrit dhe në Plavë.
Kuota mesatare e luginës është 650-1000m e cila banohet kryesisht në anën e majtë të saj por edhe në të djathtë sidomos gjatë muajve të verës, ka një bukuri të rrallë që e bëjnë edhe më të shënuar nga kreshtat dhe majat në të dy anët e saj.
Tashmë është e njohur ura harkore prej guri që lidh kanjonin në mes dy shkëmbinjve duke i dhënë një mesazh bashkimi e lidhjeje gjithë kalimtarëve. Ndërsa në shkëmbin përballë urës ndodhet vizatimi i një (atleti), që mendohet të jetë i kohës pellazge. Në të njëjtin vend ndodhet guri poshtë rrugës në të cilin Ansambli Rugova bënë promovimin në natyrë.
Ekziston një legjendë: vajza kërcen nga guri që të mos dorëzohet grabitqarëve të ardhur e që kishin populluar zonën mbi kishën e Pejës dhe pikërisht në km e 3 - të ndodhet një gurë i veçantë, si i tillë që paraqet monument të traditës, duke prezantuar femrën shqiptare si të paepur për të mbrojt dinjitetin e vet. Andaj ky gurë duhet të shpallet monument natyror.
Duke vazhduar më lartë ndeshemi në shkëmbit e ngjitur si shtatore, ujëvara që burojnë nga këta shkëmbinj, dy tunele të shkurtra dhe strehë shkëmbinjsh përmbi rrugën gjarpërore që të qojnë në luginë duke u hapur horizonti i të parit në male e kodrina për të vazhduar më tej në fshatrat që ndodhen në anën e majtë të lumit.
Rugova ka shumë qafa të ulëta dhe në lartësi që lidhin atë me zonat tjera; Lugu i Shkodrës, që lidh Rugovën me Tropojën dhe Shkodrën; Qafa e çakorrit që të qon në Plavë e Guci; Qafa e dasmorëve në veri të fshatit Bogë lidhë Rugovën me Buxhovin e Rozhajen; Qafa e Hajles mjaftë e gjerë që lëshohet në të dy anët e kufirit administrativ me Malin e Zi nga edhe është rruga kryesore që lidh Rugovën me Malësinë e Rugovës ( fshatrat Dacaj dhe Husaj ) për të vazhduar deri në Rozhajë. Mu në kurriz të Qafës Hajlës , ka një dekadë që organizohen lojërat tradicionale të Rugovës. Guri i Ndre Nikës (Shtedim) si vend i përshtatshëm për skijim me gjatësi prej 5 km që shtrihet në dy hapësira territoriale të Kosovës dhe Malit të Zi. Qafa e Qyqes nga mund të soditësh tërë gropën e Pejës. Këto qafa janë të përshtatshme për ecje dhe ngjitje.
Në hapësirat e tyre të rrafshëta dhe shumë të bukura piktoreske mund të gjinden shtëpitë e shumta malore të cilat janë të hapura për secilin dashamirës të natyrës. Bukurit natyrore të cilat askënd nuk do ta len indiferent, në të gjitha stinët e vitit joshin shëtitësit që të drejtohen rrugëve të njohura dhe të kalojnë momente të paharrueshme në piknikë në afërsi të qytetit .. Ndërsa skiatorëve gjatë dimrit u qëndrojnë në disponim terrenet ideale për skijim në qendrën turistike në fshatin Bogë.
Bukuritë që të magjepsin   përbëjnë bjeshkët të cilat shtrihen në veri dhe në verilindje të Lumëbardhit të Pejës”: Zhlepi me Majën e Rusolisë ( 2380m), Hajla(2400m), Shtedimi(2272m) ,Bjeshka e Cigës me Majën e Hasanit (1871m),Bjeshka e Begut me Majën e Vjelakut (2015 m),Peklena (1376 m) e të tjera. Ndërsa grupin tjetër e përbëjnë bjeshkët në mes të Lumëbardhit të Pejës dhe të Deçanit : Kopraniku me shkëmbin e Qfërles” (2460 m) Bjeshka e Lumëbardhit(2335m) me Gurin e Kuq (2522m),Liqenati (2341 m), Starac”(2426 m ) dhe Marjash   (2530m).të cilat për shkak të bukurive të pakrahasueshme të pejsazhit janë bërë destinacion i bjeshkatarëve , por edhe i qytetarëve të cilët dëshirojnë të pushojnë prej përditshmërisë së zbehtë dhe monotone.
Nëpër qytet kalon Lumi lumbardhë i cili me rrjedhën e vet gjarpërore e ndanë qytetin në dy pjesë duke i dhënë një bukuri të veçantë, ndërsa brigjet e tij të gjelbërta janë shëtitore më , të preferuara të pejanëve. Në ditët e nxehta të verës pejanët me kënaqësi dalin të freskohen në ujin e Lumëbardhit , në vendet e njohura si që janë : Burimi i ujit të zi afër Shpellës së Demajve, në kilometrin e tretë afër shpellës së Princeshës e gjer në kilometrin e 12 -të , ndërsa në vazhdim të rrjedhës së lumit pesë kilometra prej qytetit gjendet pishina me dimensione olimpike, e cila në ditët e nxehta është përplot vizitor të të gjitha gjeneratave, e posaçërisht të rinjve të cilët kënaqen në ujin e freskët, apo thjeshtë nën fllad pinë pije të ftohta.
Nuk është vetëm kjo pasuria e Rugovës, janë edhe shpellat si monumente natyre në zonë dhe përgjatë kanionit si: Shpella e Karamakazit, shpellat e vogla të Princeshës, shpella e Radacit , shpella përgjatë Gërles së Koshutanit, shpella afër Gurrës së Rut ‘s dhe në shpatin përball në Drelaj . Në kilometrin e pestë gjenden shpellat e Jerinës, kurse diç më poshtë ,shpella e Demajve.
Ndërsa në kilometrin e tetë , në anën e majtë të kanjonit, 50-60m përmbi lumë, në thembrën e një shkëmbi gjigant, me një lartësi prej rreth 350m. në një formë të burimit të, ngritur ujor, gjendet hyrja në shpellën, që quhet “Gryka e Madhe”e cila është studiuar në gjatësinë prej me shumë se 10km, radhitet në një ndër më të gjatat në Ballkan. Kjo shpellë që nga hyrja e saj përmbi burimin e lumit nëntokësor fillon të ngjitet në lartësi të vazhdueshme. Nga ngjitjet e vështira nëpër ngushticat e saja diferenca në lartësi është 310m ( +296 m, -14 m). Dhe kjo e bënë këtë shpellë unike dhe poashtu më të lartën në Ballkan . Një pjesë e veçantë dhe unike e shpellës është edhe i ashtuquajturi-Tobogani, një sifon i pjerrët origjinal-freatik.
Pas gjysmë-sifonit të ashtuquajtur të Milicisë, shpella është për mrekulli e dekoruar, me të gjitha llojet e mundshme të speleo-dekorimeve . Këtu ka shtylla të mëdha dhe të larta, deri në disa metra të gjatë shkopinj të sodës, stalaktite dhe perde të gjata apo drapri, stalagmite të grumbulluara, penda të vogla nga shkëmbinjtë, liqenjë me kristale dhe margaritarë nga kalciti. Një gjë tjetër e papërshkrueshme janë edhe govatat me ujë të mbuluara me kristale të kalcitit dhe grupe të gjëra të kristaleve.
Poashtu është interesant edhe rëra e ngurtësuar në një formë dhe madhësi të topave, lartë mbi nivelin e ashtuquajtur Harku i Ylberit. Në kalimet hyrëse të ashtuquajtur Kalimi i Leopardit, janë disa pika dhe leqe të shpërndara të vermikulitit në formë të lëkurës së leopardit (prej nga ka marrë edhe emrin ky kalim) me siguri të mbetura këtu nga vërshimet fosilike të ujit.
Hartën digjitale të kësaj shpelle mund ta gjeni në adresën : www.aragonit.speleo.org
Motiv të veçantë turistik i cili karakterizohet me veti kuriozitete - estetike paraqet Shpella e Radacit, dhe ujëvara e burimit të Drinit të Bardhë e cila gjendet afër fshatit Radavc, rreth 11- km larg qytetit të Pejës në drejtim të qytetit të Rozhajës, në pjesën verilindore të vargmaleve të Bjeshkëve të Nemuna. Është e thelluar në shkrepa të cilat e përbëjnë majën e Rusolisë me lartësi mbidetare 2381 m ndër të cilat shtrihet fusha e Drinit të Bardhë. Karakterizohet me stolit nëntokësore, hallat, liqejtë dhe ndoshta me kaskadat unikate në botë. Ajo është pa dyshim shpella më e madhe në regjion, ndonëse e paeksploruar shumë, ajo është shpallur Monument natyror bashkë me burimin e Drinit të bardhë.
 Në Liqenat është ndërtuar Fshati turistik “ Guri i kuq” me objekte turistike me kapacitet rreth 200 veta të cilat janë të vizituara njësoj gjatë tërë vitit. Ndërsa në Garuzhdë (Shtypeq i madh) pishina me kapacitet 150 veta, Moteli “Gryka” Restoranti “Bjeshka” ku mund të shijohet mikpritja tradicionale familjare së pari me “bukë,kripë e zemër” e pastaj të kënaqeni me ushqimin autokton e origjinal, të freskët prej qumështi, djathi,kosi, maza, mjalti, çajë mali, lakror, fli, kaçamak, djathë të zie’, leqenik, dhe bukë të shëndetshme të grurit dhe të misrit të pjekur në furrë a çerep.
Hapësira e Parkut të ardhshëm Nacional ka mjaft raritete natyrore kështu që përmbajtja e pejsazhit është e llojllojshme dhe e begatshme. Këto janë para se gjithash bjeshkët e larta të cilat mahnitin me bukurin e tyre. Kreshtat shkëmbore të cilat i përbëjnë majet e bjeshkëve, shpatijet e gjelbëruara me barë,luginat e shumta pyjore, gryka dhe kanjonet atraktive, lumenjtë e pastër e të shkrumbëzuar, ujëvarat, burimet dhe liqenet, janë përmbajtja e peizazhit të Alpeve shqiptare. Tërësi të posaçme atraktive të pejsazhit janë sipërfaqet më pyje dhe vegjetacion të barit. Zonat pyjore janë të përbëra nga ahishtat, rropujt, molika, bredhi, dëllinja dhe llojet tjera zëvendësohen me zonat e vegjetacionit të barit.
Në livadhet e maleve përreth në pranverë lulëzojnë lule me të llojllojshme të bjeshkës duke i dhënë pejsazhit bukuri të jashtëzakonshme atraktive, kurse hapësirës aromë të posaçme dhe freskinë e natyrës së pastër . Përjetim të jashtëzakonshëm vizuel të bukurisë natyrore këto male ofrojnë në kohën e vjeshtës, në kohen e krijimit të pejsazhit kalimtar bjeshkatar kur tërë territori derdhet në spektrin e ngjyrave më të llojllojshme. Përjetim më të madh ofrojnë pamjet në pranverën e vonshme kur në viset e ulta gufon vegjetacioni bimor duke mbuluar tërë territorin më ngjyrë të gjelbër, kurse majet e larta të Bjeshkëve të Nemuna ende janë me mbulesë të trashë të borës.