Lajmet   Po asfaltohet rruga Letanc-Bajçinë

Po asfaltohet rruga Letanc-Bajçinë - 07 maj 2010

Komuna e Podujevës është në vlugun e menaxhimit të punimeve në realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore
Komuna e Podujevës është në vlugun e menaxhimit të punimeve në realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore. Projekti i cili këto ditë ka filluar të asfaltohet është rruga Letanc-Bajqinë, rrugë e cila përpos që do të jetë e mirëseardhur për banorët e asaj ane, po ashtu do të jetë një arterie lidhëse alternative e qytetit të Podujevës me fshatrat tjera në drejtim të Kërpimehut.
Inxh. Mirvete Jaha mbikëqyrëse e këtij projekti tha se kjo rrugë ka një gjatësi prej rreth 3.5 km dhe gjerësi 5.5 m. Kostoja e saj është diku rreth 397 mijë euro. Kjo rrugë po financohet nga komuna, MAPL dhe komuniteti, ku me rreth 246 mijë euro do të participoj kjo ministri, ndërsa pjesa tjetër është marrë përsipër të financohet nga komuna e Podujevës. Edhe komuniteti i kësaj ane ka participuar me një shumë simbolike. Punimet është duke i kryer SHPK “Toifor” nga Prishtina, tha në fund znj. Jaha.
Komuna e Podujevës e udhëhequr nga kryetari Agim Veliu është duke realizuar edhe projekte tjera të shumta që kanë rëndësi jetike për qytetarët e kësaj ane. Rrugët e fshatit Gërdoc dhe Sallabajë janë në përfundim e sipër, po ashtu edhe në rrugën e “Lagjes së Ratkocerëve” në Lupç të Poshtëm është duke u punuar me intensitet të shpejtuar, duke e marrë parasysh se po mbretëron një mot i mirë. Janë duke u realizuar punimet edhe në ujësjellësin “Vrella e Revuqit” e cila do të furnizoj me ujë të pijshëm 8 fshatra të asaj ane. Edhe kanalizimi në fshatin Bradash është duke u shtruar me ritëm të natyrës normale. Përpos kësaj ka edhe përplot projekte të tjera që janë në plan të realizohen sipas parashikimeve të Qeverisë komunale të Podujevës.

RSS

Sign in