Drejtoria e Arsimit

Jusuf Thaçi është drejtor në Drejtorinë e Arsimit. Z. Thaçi ka përvojë të gjatë në fushën e arsimit sidomos me arsimin në Kosovë. Z. Thaçi ka përfunduar studimet në Psikologji në Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit  Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Tani është duke vazhduar studimet e nivelit master në po të njëjtin departament.
Z. Thaçi ka punuar si monitorues dhe analist i çështjeve të arsimit në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Pastaj ka punuar në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC) si koordinator i komponentit të arsimit të një projekti të BE-së për edukimin e komuniteteve RAE (EU-SIMRAES). Që prej vitit 2011 është iniciator dhe menaxher i Projektit ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë. Ka edhe përvojë si mësimdhënës në shkollat publike.
Z. Thaçi shquhet për kompetencën e tij të lartë në fushën e arsimit, të hulumtimeve dhe në psikologjinë e ekselencës. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë hulumtimeve dhe publikimeve, kryesisht në fushën e arsimit. Ka marrë pjesë në takime, tryeza, konferenca e vizita të ndryshme studimore në Boston, Bruksel, Stamboll, Tiranë e Prishtinë, kryesisht në lidhje me çështjet e arsimit, psikologjisë dhe shoqërisë civile.


Drejtoria  së Arsimit:

•    Menaxhimi dhe koordinimi  i arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm në komunë;
•    Punësimi i mësimdhënësve dhe personelit tjetër të shkollave në pajtueshmëri me procedurat ligjore të rekrutimit, përzgjedhja dhe punësimi i të punësuarve publikë;
•    Zgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve, në pajtueshmëri me procedurat ligjore për rekrutim dhe kriteret ligjore të përcaktuara nga MASHT- i;
•    Pagesa e stafit udhëheqës, stafit profesional dhe personelit tjetër të punësuar në institucionet arsimore të komunës;
•    Planifikimi dhe koordinimi i zhvillimit të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm në komunë, në konsultim me MASHT- in dhe komunat tjera;
•    Mbikëqyrja e të gjitha institucioneve arsimore në nivel komune;
•    Regjistrimi dhe pranimi i nxënësve, në pajtim me respektimin e parimeve të mosdiskriminimit;
•    Regjistrimi i të dhënave për nxënës, sipas formularit të miratuar nga MASHT në harmoni me ligjin;
•    Nxitja në barazinë e mundësisë për të ndjekur arsimin parashkollor, arsimin e  obliguar, dhe atë të mesëm në komunë;
•    Regjistrimi, inspektimi i shëndetit publik dhe sigurisë, si dhe licencimi i institucioneve arsimore parashkollore në pajtim me ligjin;
•    Respektimi dhe afirmimi i të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre;
•    Identifikimi i nevojave për aftësim profesional të drejtorëve dhe mësimdhënësve, dhe realizimi i tyre në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Inspektimit, brenda ligjeve në fuqi;
•    Trajnimi i mësimdhënësve dhe stafit tjetër profesional, në pajtim me udhëzimet, parimet dhe standardet e shpallura nga MASHT - i;
•    Përkujdesja për zhvillimin dhe aftësimin profesional të personelit në shkollat e komunës;
•    Përkujdesja për zhvillimin e të gjitha aspekteve tjera të arsimit lokal;
•    Mbikëqyrja e procesit arsimor në pajtim me udhëzimet e caktuara nga MASHT;
•    Përgatitja, miratimi dhe zbatimi i Rregullores së punës për shkollat, duke përfshirë Kodin e mirësjelljes për stafin udhëheqës, mësimdhënësit, personelin tjetër dhe nxënësit, si dhe masat disiplinore;
•    Miratimi i pushimeve të shkollës, në përputhje me ligjin përkatës dhe miratimin e rregullave të shkollës;
•    Marrja e vendimeve për rritjen e numrit të institucioneve parashkollore, shkollave fillore, të mesme dhe speciale në nivel të komunës;
•    Marrja e vendimeve për ankesat ndaj vendimeve drejtuese të institucioneve arsimore, të parapara me ligj;
•    Miratimi i rregulloreve për sjelljen dhe disiplinën e nxënësve në çdo institucion arsimor, pasi të ketë marrë më parë propozimet e këshillit të shkollës dhe komentet e drejtorëve për këto rregullore;
•    Në marrëveshje me MASHT-in, miraton rregulloret për themelimin, shkrirjen, ndarjen dhe mbylljen e institucioneve arsimore me fonde publike të niveleve 0, 1, 2 dhe 3 në komunë;
•    Nxitja e bashkëpunimit në mes mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve arsimore, si dhe të institucioneve arsimore dhe familjes;
•    Bashkëpunimi me drejtoritë e arsimit të komunave tjera në projekte të përbashkëta arsimore, në përdorimin e përbashkët të burimeve fizike dhe njerëzore, si dhe caktimin e fondeve për projekte dhe qëllime të tilla;
•    Përcaktimi i zonave specifike të mbulimit nga shkollat në nivel komune;
•    Kujdesi për mirëmbajtjen dhe renovimin e ndërtesave dhe pajisjeve të institucioneve arsimore me fonde publike, si dhe sigurimin e dispozitave për mirëmbajtje të shërbimeve mbështetëse për mirëqenien fizike të nxënësve, duke përfshirë ujë të freskët, ambiente banjash dhe shërbime shëndetësore;                                  
•    Marrja e masave për sigurimin e ambienti rrethues, urban apo rural, në të cilin është e vendosur shkolla, është në përputhje me të drejtën e nxënësve për të pasur një mjedis të sigurt në oborrin e shkollës;
•    Arritja e objektivave të shëndetit publik, në bashkëpunim me MASHT-in, nëpërmjet aktiviteteve shkollore dhe jashtëshkollore, duke përfshirë programe për sigurinë në rrugë, fusha, nxitjen e shtimit të shëndetit për të shmangur përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, si dhe aksione kundër duhanit dhe formave të abuzimit me drogë;
•    Shqyrtimi i vazhdueshëm i masave të marra për realizimin e arsimit special në realizimin e kësaj detyre, në atë masë që është e nevojshme ose e dëshirueshme. Drejtoria konsultohet me MASHT-in dhe drejtoritë tjera komunale për koordinimin e arsimit të fëmijëve që kanë nevojë për arsim special;
•    Vlerësimi i nevojave speciale, siç përcaktohet me ligj;
•    Propozimi për arsim special për nxënës dhe dhënia e vlerësimit profesional;
•    Propozimi për themelimin e shërbimit këshillimor dhe shëndetësor për nevojat speciale;
•    Ushtron edhe kompetenca tjera, të cilat i bartën në bazë të ligjit ose nga pushteti qendror.