Prishtine-po-behet-(1).png


Vizioni ynë për Prishtinën

Prishtina e së ardhmes është qytet me shërbime efikase e cilësore të cilat janë në funksion të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të saj.

Qytet me planifikim urban e hapësinor të mirëfilltë, i cili e bën kryeqytetin qendër të sigurt për një jetë të begatshme socio-ekonomike, kulturore, arsimore, sportive, dhe duke siguruar mirëqenie dhe cilësi të jetës për qytetarët e komunës së Prishtinës.

Qytet me model të qeverisjes efikase dhe transparente, dhe si i tillë, të shërbejë si model edhe për qeverisje në komunat tjera në Kosovë, duke ndikuar kështu në rritjen e mirëqenies për tërë qytetarët e Kosovës.

Kur kemi shpalosur vizionin tonë për Prishtinën, në fillim na është thënë se është ambicioz dhe vështirë i arritshëm, por një vit pas, të gjithë së bashku jemi dëshmitarë se vizioni ynë për Prishtinën po jetësohet.

Vetëm brenda vitit të parë të qeverisjes tonë, kemi treguar një qasje krejt ndryshe ndaj postit publik dhe parasë publike. Kemi bërë transparente të gjitha vendimet dhe të gjitha raportet buxhetore dhe raportet e punës së secilës drejtori. Komuna është e të gjithëve dhe buxheti është i qytetarëve të
Prishtinës, prandaj gjatë gjithë kohës kemi raportuar në mënyrë të rregullt dhe jemi përkujdesur që menaxhimi dhe shpërndarja e buxhetit të bëhet në mënyrë të drejtë e të barabartë.

Ne, që në fillim kemi thënë se Prishtina nuk bëhet qytet i të gjithë neve pa u instaluar rregulli dhe ligji, dhe tash, pas një viti mund të themi se në vitin e parë të qeverisjes sonë kemi instaluar rendn dhe ligjin në Komunën e Prishtinës dhe kemi mbajtur ritmin e lartë e dinamikën e punës, duke realizuar projekte të shumta, që kanë përmirësuar dukshëm jetën e qytetarëve të Prishtinës.