Deklaratë për media - 08 tetor 2013

Lidhur me rastin e rrëshqitjes së dheut në rrugën “ Ekrem Rexha” – Lagja “Arbëria” në Prishtinë, Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit e Komunës së Prishtinës , informon opinionin përmes kësaj deklarate se:


-          Shkaktari i vetëm i rrëshqitjes së dheut në rrugën në fjalë është zhvillimi i punimeve ndërtimore pa u pajisur me leje ndërtimore, pa u miratuar dokumentacioni teknik- projekti kryesor,  i cili projekt do të duhej të hartohej pas shqyrtimit të gjeomekanikës së tokës ku planifikohet ndërtimi dhe se në bazë të këtyre shqyrtimeve laboratorike  duhet të hartohet elaborati – raporti gjeomekanik, në bazë të të cilit elaborat duhet të hartohet projekti kryesor me llogari statike dhe seizmikë të objektit.

-          Raportet e gjeomekanikës  dhe hartimi i dokumentacionit teknik- projekti kryesor bëhet nga kompanitë profesionale të licencuara dhe të regjistruara për këtë lëmi, i cili projekt duhet t’i nënshtrohet  revidimit nga ndonjë kompani tjetër profesionale gjithashtu e regjistruar.

-          Tërë përgjegjësia profesionale e hartimit të dokumentacionit teknik- projektit kryesor bie mbi këto kompani- hartuesin  dhe reviduesin.

-          Sigurojmë qytetarët e lagjes “ Arbëria 3” dhe opinionin e gjerë se,të gjitha objektet për të cilat janë  lëshuar lejet ndërtimore janë në harmoni me kriteret e planeve rregulluese dhe dokumentacionin teknik- projektet kryesore të hartuara sipas ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi pra, pas shqyrtimeve laboratorike dhe raportit gjeomekanik të tokës ku lejohet ndërtimi.

-          Deklaratat në media se, Plani rregullues i lagjes “Arbëria 3” nuk  përmban elementin e studimit gjeomekanik të terrenit të përfshirë me këtë plan nuk qëndrojnë sepse, me Ligjin e planifikimit dhe Udhëzimin administrativ mbi elementet themelore të planit rregullues  nuk parashihet një studim i tillë por, studimi i gjeomekanik  i tokës në të cilën ndërtohet objekti bëhet për çdo objekt veç e veç.

Njëkohësisht me këtë  informojmë  opinionin se, komuna përmes inspekcionit të ndërtimit ka urdhëruar investitorin– shkaktarin e  rrëshqitjes së dheut që brenda afatit sa më të shkurtër të bëjë sanimin e dëmit të shkaktuar sipas projektit për sanim të hartuar nga një kompani profesionale e licencuar për këtë lëmi dhe i reviduar, po ashtu nga një kompani tjetër profesionale .

RSS

Sign in