Diskutime publike për hapjen edhe të dy çerdheve të reja - 09 gusht 2017

Komuna e Prishtinës vazhdon me hapjen e çerdheve me bazë në komunitet, model ky i cili ka dëshmuar të jetë i suksesshëm në edukimin dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve në pesë çerdhet e tilla të hapura deri tani.
 
Më 7 dhe 8 gusht, Komuna e Prishtinës mbajti diskutimet e para publike për hapjen e çerdheve me bazë në komunitet në lagjen "Tohane" dhe në lagjen "Kodra e Trimave". 
 
Në këto diskutime, prindërit e këtyre dy lagjeve u njoftuan rreth modelit të çerdheve me bazë në komunitet si dhe u përzgjodhën anëtarët e këshillit të prindërve të cilët në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës do të vazhdojnë me procedurat e radhës për funksionalizimim e çerdheve. 
 
Ndërtimi i objektit të çerdhes në lagjen "Kodra e Trimave" është financuar nga buxheti i Komunës së Prishtinë, ndërsa në lagjen "Tohane" komuna ka financuar rehabilitimin e objektit ekzistues në një çerdhe moderne. Këto dy çerdhe pritet të përmbushin nevojat e prindërve në këto dy lagje. Çerdhja në “Kodër të Trimave” do të ketë kapacitet për 120 -150 fëmijë, kurse ajo në “Tohpane” fillimisht për 60-70 fëmijë, me mundësi zgjerimi në të ardhmen. 
 
Këto çerdhe do të fillojnë punën në vjeshtë të këtij viti.  
 
 

RSS