Prishtina po bëhet. Është ky slogani që e kemi përdorur gjatë dy viteve të fundit.
Jo për të thënë që Prishtina nuk ka qenë para këtyre dy viteve, por për të thënë që Prishtina ka qenë në vështirësi të mëdha; për të thënë që problemet kanë rrezikuar të ardhmen e qytetit; për të thënë që normaliteti po kthehet; por edhe pë të na kujtuar se jemi në proces e sipër dhe se kemi edhe shumë punë për të bërë.

Filluam nga baza, e ajo është planifikimi. 46 mijë ndërtime pa leje, plane rregullative fiktive, 1 mijë leje të dhëna me rregull e pa rregull dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë shkaktuan një kaos dhe mungesë të shërbimeve infrastrukturore. Qytetarët kishin ndjenjën se me lidhje e para mund të ndërtonin në çdo cep, pa konsideratë për bashkëqytetarët, ligjin dhe barazinë. Qytetarët e pafuqishëm para pushtetit ankoheshin për degradimin e qytetit.

Ndaluam ndërtimet pa leje dhe po prijmë në procesin e legalizimit. Reformuam procesin e lejeve dhe stabilizuam ndërtimet. Krijuam hapësira publike dhe po punojmë në mobilitet. Po krijojmë lagje të reja me planifikim të mirëfilltë. Do të duhen vite të rimëkëmbemi, por Prishtina po bëhet.

Vazhduam me përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi, administratë e shërbime publike. Çertifikatat jepen në kohë rekorde, shërbimet u dixhitalizuan, të gjitha QFM-të u renovuan dhe u përmirësua infrastruktura shëndetësore. Sot, në Prishtinë fëmijët në shkolla kontrollohen në mënyrë sistematike. Është vënë rregulli dhe rendi në sistemin e shfrytëzimit të hapësirave publike. Të gjitha ndërmarrjet publike kanë filluar që nga humbjet marramendëse të kthehen në ndërmarrje fitimprurëse.

Liruam trotoare dhe përmirësuam dukshëm infrastrukturën rrugore në qytet e në fshatra. Rritëm dukshëm numrin e drurëve dekorativë dhe ndërtuam dy parqe të reja. Fëmijët e klasave 1-5 tashmë me kifle marrin edhe qumësht falas. Thelluam marrëveshjet ndërkombëtare me qytetet e tjera dhe tërhoqëm investime në komunën tonë.

Lista vazhdon më tutje në këtë raport. Aty mund t’i gjeni lagjet tuaja, shërbimet për familjet tuaja e shumë projekte të tjera. Por më me rëndësi për neve është që ju ta dini se qyteti është i juaji e ne vetëm shërbejmë. Ky qytet do të jetë gjithmonë i qytetarëve të Prishtinës. Të keqën po e ndalim e të mirën po e ndërtojmë, bashkë.