Lajmet   Shënohet përvjetori i hapjes së shkollës shqipe në Korçë

Shënohet përvjetori i hapjes së shkollës shqipe në Korçë - 07 mars 2011

124 – vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe, më 7 mars 1887,  mblodhi në Rahovec  mësimdhënës, prindër e nxënës të kësaj komune. Në fjalën e rastit, kryetari i komunës Smajl latifi ndër të tjera vuri në pah sakrificën e madhe të shumë atdhetarëve, të cilët u flijuan për mësimin e gjuhës shqipe
Në fjalën e mbajtur kryetari Latifi potencoi se, “Pikërisht më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, ndonëse as para kësaj date dhe as pas kësaj, gjuha e gjallë shqipe e popullit shqiptar, nuk pushoi së ligjëruari. Në këto rrethana historike, duhet lavdëruar e kujtuar me shumë respekt kontributin e mësuesve të parë të kësaj shkolle, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Thoma Avrami, Gjokë Shqiptari e shumë të tjerë, e sidomos nuk mund të anashkalojmë kontributin e madh të vëllezërve Naim e Sami Frashëri, të Jani Vretos, të Naum Veqilharxhit , të Pashko Vasës, Luigj Gurakuqit, e shumë rilindasve të tjerë që i dhanë shpirt kësaj shkolle.  Prapa nuk mbetën as gratë e përndritura të familjes Qiriazi, që lanë gjurmë në historinë tonë kombëtare.

Që të mbijetojë një gjuhë nën okupim e shtypje të vazhdueshme, të mbijetojë një gjuhë nën trysninë e fortë të gjuhëve fqinje, që donin zhbërjen e kombit shqiptar, vërtet është e admirueshmei. E këtij populli që gjithmonë ka qenë i lidhur, si mishi me ashtin,  për tokën e për gjuhën e të parëve.  Prandaj, të nderuar miq, duke qenë të lidhur kaq fuqishëm me këto rrënjë që përcaktojnë identitetin tonë kombëtar,  jemi po aq të përkushtuar të avancojmë vlerat tona morale, kombëtare e njerëzore.
Para nesh dalin detyra të shumta e të ndërlikuara. Të reformosh një sistem arsimor që ka lënguar gjatë nën thundrën e okupatorëve të ndryshëm, të vëmë në rrjedha normale shkollën shqipe dhe të avancojmë me popujt e qytetëruar e të zhvilluar, është një sfidë e madhe. Në këtë përballje kërkohet ndihma dhe kontributi i secilit prej nesh. Shkolla jonë po kalon vështirësi të mëdha dhe ne duhet t’i dalim zot, ashtu si motit burrat e gratë e kësaj toke. 

Beteja për dije është gjithmonë e hapur dhe ne duhet ta fitojmë atë së bashku.  Nëse nuk e bëjmë këtë do t’na mallkojë historia, do t’na mallkojë gjaku i derdhur i dëshmorëve, do t’na mallkojnë nënat që mbetën  pa përqafimin e ëmbël  të nipave e mbesave të palindur, do të mbetemi peng  i së shkuarës dhe i të ardhmes. Prandaj, të vihemi në radhë për të dhënë ndihmesën tonë për  avancimin e shkollës shqipe. Të bëjmë këtë detyrë sot është njëkohësisht edhe nderim për  ata që me gjak ujitën lulëkuqet e marsit, vetëm që jeta jonë të ketë kuptim. Në këtë kuptim nuk mund të lëmë pa përmendur flijimin e madh të familjes – simbol qëndrese e heroizmi, familjes së mësuesit e atdhetarit të madh Shaban Jashari  me të bijtë Ademin e Hamzën, me nipa e mbesa, ma farë e me fis. Mbase edhe sakrifikimi i tyre pikërisht  në muajin mars, na e forcon bindjen tonë se ky popull është me rrënjë të ngulura thellë në këtë tokë martire. Gjithë ky vargan dëshmorësh e martirësh të shkollës shqipe është edhe një motiv shtesë për ne,  se beteja për dije duhet të vazhdojë, reformat duhet të intensifikohen dhe se përkushtimi e angazhimi duhet të rriten. E japim edhe një herë zotimin tonë se do të jemi në krah të atyre që janë në këtë front të vështirë, sepse vetëm kështu mund të nderojmë përjetësisht kujtimin për vlerat tona kombëtare, tha ndër të tjera kryetari Latifi.

Fjalë rasti mabjti edhe drejtoresha e Arsimit  Mr. Besa Hoxha-Beqiri, e cila përkujtoi kontributin e madh që po japin mësimdhënësit e kësaj komune. Në fund u ndanë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar. Mirënjohje “Post mortum” u dha për Enver Mazreku,  drejtorit të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Apterushë, i cili vdiq ditë më parë. Nxënësit e shkollave fillore shfaqën një program modest artistik.

RSS

Sign in