Biblioteka e qytetit


BIBLIOTEKA E QYTETIT
 
          Biblioteka e Qytetit ka filluar të funksionojë qysh pas Luftës së Dytë Botërore si degë e Bibliotekës “Jovan Popoviq” të Ferizajt. Biblioteka në fjalë nuk ka pasur objekt të vetin dhe ka punuar në lokale jo të përshtatshme për lexues. Fillimisht ka punuar në objektin e ish-Kooperativës Bujqësore të Shtimes, në një sipërfaqe prej 48 m2. Në vitin 1989, sipas librit të evidences së fondit të librave dhe titujve, Biblioteka e Qytetit numëronte afro 6000 libra, prej të cilave afro 3500 ishin në gjuhën shqipe, kurse tjerat në gjuhën serbe dhe një numër simbolik edhe në gjuhën turke.
          Gjatë okupimit dhjetëvjeçar të pushtetit serb (1989 – 1999), lexuesit shqiptarë e bojkotuan këtë bibliotekë, duke pasur parasysh këtu terrorin sistematik të ushtruar asokohe nga forcat ushtarako-policore ndaj çdo gjëje shqiptare. Në vitin 1995 edhe lokalet e kësaj biblioteke të improvizuar u mbyllën dhe fondi i librave u transferua në ish-shkollën fillore, në të cilën sot mësojnë nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë “Naim Frashëri”. Gjatë kësaj kohe shumica e titujve të librave në gjuhën shqipe të autorëve shqiptarë, e sidomos të atyre nga Shqipëria, u asgjësuan. Domethënë, mbetën kryesisht titujt e librave të autorëve sllavë, disa prej të cilave të shqipëruara, madje disa prej tyre që mbillnin edhe urrejtje ndaj popullit shqiptar. Shuma e librave të gjetura pas luftës ishte afro 1300, kurse inventari i bibliotekës ishte plaçkitur në tërësi. Po ashtu ishin zhdukur të gjitha dokumentet, duke përfshirë këtu kartelat e lexuesve, kartelat e librave, regjistrat e inventarit etj.
          Dy vite pas përfundimit të luftës filluan përpjekjet e para të Kuvendit Komunal të Shtimes që përsëri ky qytet, me rreth 10 mijë banorë, të bëhet me bibliotekë. Fillimisht Asambleja Komunale ndau 20 mijë marka gjermane nga buxheti komunal për rifillimin e punës së Bibliotekës së Qytetit në ish-shkollën e vjetër te Qendra Rinore. Me shumën e këtyre të hollave u riparua lokali, u bë pajisja me inventar (një kompjuter, një tavolinë e punës së bashku me karrige, pesë tavolina leximi, 10 karrige për lexues si dhe dhjetë dollapë për vendosjen e librave). Kurse, në fund të muajit korrik nga ish-shkolla e vjetër u bë përsëri bartja e librave si dhe inventarit për ta vendosur Bibliotekën e Qytetit në qendër të Shtimes. Pra, më 1 gusht të vitit 2003, Biblioteka e Qytetit e rifilloi punën në objektin e ri, hapësira e të cilit është 56.25 m2 dhe, hëpërhë, i plotëson nevojat e luxuesve shtimjanë. Në gusht të vitit 2003, nga Biblioteka Ndërkomunale “Anton Çetta” e Ferizajt, Bibliotekës së Qytetit të Shtimes, i janë dhuruar mbi 200 libra. Aktualisht fondi i librave është i varfër dhe ka mungesë sidomos të lektyrës shkollore.
           Më 8 janar të vitit 2009 biblioteka në fjalë është pajisur edhe me dy kompjuerë, një printer dhe dy UPS nga Kompania "IPKO", ndërkaq nga Biblioteka Ndërkomunal "Anton Çetta" në Ferizaj, më 4 mars 2009 është furnizuar me 18 libra tjerë dhe po ashtu më 31 mars 2009 edhe me 74 copë libra.
          Biblioteka e Qytetit gjendet përballë ndërtesës së Kuvendit Komunal të Shtimes, përkatësisht në rrugën e Tiranës.
 
Fondi i librave dhe titujve në Bibliotekën e Qytetit të Shtimes
Librat sipas gjuhëve
Tituj
Ekzemplarë
Libra në gjuhën shqipe
1231
1886
Libra në gjuhën angleze
22
34
Libra në gjuhën gjermane
70
71
Gjithsej:
1323
1991