Lajmet   Nënshkruhet marrëveshja për Përmirësim të Shërbimit të Mobilitetit në Trafik në Vushtrri

Nënshkruhet marrëveshja për Përmirësim të Shërbimit të Mobilitetit në Trafik në Vushtrri - 04 gusht 2017

 Komuna e Vushtrrisë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe partneritetit me USAID, programi ,,Avancojmë Kosovën së Bashku’’, ka nënshkruar marrëveshjen e re për financim të projektit të parë në fushën e mobilitetit në vlerën 47 000 euro. Sipas Islam Latifit koordinator i projektit, Drejtoria e Shërbimeve Publike përmes grupit punues, në kuadër të kompetencave dhe prioriteteve si dhe me qëllim të rritjes së shkallës së sigurisë, përmes përmirësimit të shërbimit të lëvizshmërisë në trafik, ka hartuar Planin e Veprimit për Përmirësim të Shërbimit të Mobilitetit në Trafik në territorin e komunës së Vushtrrisë. Grupi punues ka qenë grup gjithë përfshirës i përbërë nga zyrtarë profesional të DSHP-së, Policisë së Kosovës, shoqëria civile por edhe përfaqësues të komuniteteve si dhe (grupi i themeluar nga USAID programi Avancojmë Kosovën së Bashku. 
 Partneriteti i ndërtuar, ka ndikuar dukshëm në ngritjen e kapaciteteve të grupit punues, për formësimin e idesë dhe konceptit për përmirësimin e këtij shërbimi prioritar për qytetarët.
Në këtë kuadër është hartuar plani, respektivisht vizioni se si do të funksionalizohet mobiliteti në qytetin e Vushtrrisë përmes objektivave të qarta si dhe hapave që duhet ndjekur, e që janë:
- Rritja e shkallës së sigurisë në tërë rrjetin rrugor,
- Rregullimi i qarkullimit në udhëkryqe përmes zgjidhjeve të ofruara,
- Sinjalizimi i trafikut (rrugëve ende të pa sinjalizuara),
- Ndërtimi i trotuareve për lëvizje të këmbësorëve dhe lirimi i trotuareve ekzistuese nga pengesat e ndryshme,
- Krijimi i hapësirave të mjaftueshme për parkingje,
- Rregullimi i shtigjeve për çiklist,
- Rregullimi dhe përshtatja e infrastrukturës rrugore për lëvizje të personave me nevoja të veçanta,
- Organizimi i transportit kolektiv.
Marrëveshja e sotme e nëshkruar edhe nga kryetari I Komunës, Bajram Mulaku ,nënkupton fillimin e implementimit të projektit të parë të listuar në këtë plan, e që ka të bëjë me furnizimin dhe vendosjen e paneleve ndriçuese në vendkalimet e këmbësorëve në rr. ,,Dëshmorët e Kombit’’ dhe rr. ,,Skënderbeu’’ si dhe vendosjen e shtyllave për mbrojtjen e trotuareve nga parkimet e mjeteve motorike.

RSSShpërndaje në Facebook

Sign in