Republika e Kosoves

Dragash

Ministri Likaj vizitoi komunën e Dragashit

2020/08/19 - 5:48

Kryetari Shabani bashkë më drejtorin e Arsimit, Vloran Cenaj dhe drejtorin e Shëndetësisë z. Brenolli pritën në takim Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, me të cilin biseduan rreth situatës pandemike, organizimit të procesit mësimor si dhe për realizimin e projekteve infrastrukturore në fushën e arsimit në komunën e Dragashit.

Drejtori i Arsimit e informoi ministrin Likaj për punën që po bën Drejtoria e Arsimit, në organizimin e procesit mësimor nga shtatori dhe nevojat që kanë për të pasur një proces të duhur të mbarëvajtjes së mësimdhënies e mësimnxënies.

Kryetari Shabani dhe Ministri Likaj u dakorduan që të gjitha veprimet që do të merren do të jenë të koordinuara me nivelin qendror dhe konform situatës në vend.

Ministri Likaj ka folur për përgatitjet që janë bërë nga ana e MASh dhe komunave për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa përmendi faktin se në Udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021, në kushtet e pandemisë COVID 19, janë marrë parasysh vlerësimi i gjendjes dhe udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, Bankës Botërore, udhëzuesit e CDC-së, IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Po ashtu, me këtë rast janë marrë parasysh edhe praktikat e disa vendeve të BE-së.
Ministri Likaj kërkoi nga institucionet komunale që të marrin masat e nevojshme dhe të jenë të gatshëm për cilindo nga skenarët e përcaktuar me Udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit. Në këtë takim u konfirmua bashkëpunimi mes Komunës, MASh dhe të gjitha institucioneve tjera relevante, në mënyrë që të ketë një fillim të suksesshëm të vitit të ri shkollor dhe në cilindo variant të jetë prioritet ruajtja e shëndetit të nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë akterëve të institucioneve edukativo-arsimore.

Shabani falënderoi ministrin për mbështetjen dhe i uroi shumë suksese në udhëheqjen e Ministrisë që ai drejton.