Republika e Kosoves

Dragash

Nënshkruet marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projektit “Modernizimi dhe zgjerimi i deponisë së mbeturinave

2018/08/27 - 7:29

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, sot, kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi për realizimin e projektit “Modernizimi dhe zgjerimi i deponisë së mbeturinave ”, i cili ka vlerën prej 25 mijë euro në vitin fiskal 2018 dhe që financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Gjatë ceremonisë, u.d ministri Matoshi tha se MMPH-ja ka një qasje të veçantë për Komunën e Dragashit për shkak të parkut nacional Sharr, andaj ky investim sipas tij ka për qëllim rehabilitimin e deponisë së mbeturinave.
“ Kam kënaqësi që sot kam nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me kryetarin e Komunën së Dragashit, Shaban Shabani. Gjysma e territorit të kësaj komune e përbënë parkun nacional Sharri, andaj kjo na motivon që MMPH-ja të përkrah këtë komunë me projekte të ndryshme. Ky bashkëpunim do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha Matoshi.
U.d ministri Matoshi, tha se marrëveshja për rehabilitimin e deponisë në parkun nacional Sharr po bëhet në prag të fillimit të fushatës tre mujore për pastrimin e vendit.
“ Nënshkrimi i marrëveshjes për rehabilitimin e deponisë së mbeturinave po bëhet pak ditë para fillimit të fushatës ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Ne ramë dakord që Komuna e Dragashit të jetë e angazhuar në këtë aksion”, deklaroi Matoshi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, falënderoi u.d ministrin Matoshi duke vlerësuar kështu projektin “Modernizimi dhe zgjerimi i deponisë së mbeturinave ”, si të domosdoshëm për komunën që ai drejton.
“ Ky projekt është i veçantë sepse ne pretendojmë të jemi si komunë turistike meqë e kemi parkun nacional Sharr. Këto investime dhe investimet e tjera që janë në vazhdimësi, besojë fuqishëm që do të bëjnë një komunë pa mbeturina”, tha kryetari Shabani.