Republika e Kosoves

Dragash

U mbajt mbledhja e rregullt e Qeverisë Lokale në Dragash

2023/05/02 - 9:36

Nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, sot u mbajt mbledhja VII për vitin 2023 e Qeverisë Lokale, me këto pika të rendit të ditës:
1. Përgatitja e kërkesave për investime nga ana e shtetit të Izraelit,
2. Diskutim rreth përfundimit dhe fillimit të vitit të ri shkollor,
3. Përgatitja e ankandeve për shitjen e aseteve jashtë përdorimit në komunë dhe arsim,
4. Parapërgatitjet për konkurim në Grantin e Performancës, dhe
5. Të ndryshme.

Në këtë mbledhje u morën këto vendime:
– U obliguan të gjithë drejtorët e drejtorive komunale që të përgatisin listën e hollësishme me kërkesa specifike të cilat do t’i bëhen shtetit izraelit për ndihmë dhe investime në komunën tonë,
– U obligua Drejtoria Komunale e Arsimit që të bëjë me kohë të gjitha përgatitjet për konkurset për vendet e lira në arsim, konkurset për regjistrimin e nxënësve në shkollë, testin e arritshmërisë, testin e maturës dhe testet e tjera që organizohen për klasë të ndryshme,
– U formua Komisioni për vlerësimin e stoqeve dhe nevojave për furnizim me lëndë djegëse (dru dhe pelet) për institucionet arsimore dhe shëndetësore të Komunës së Dragashit,
– U formua Komisioni për hulumtimin e mundësive për hapjen e drejtimeve të reja në ShFMU “Ruzhdi Berisha”, të cilat do jenë në përputhje me kërkesat e tregut të punës,
– U formuan komisionet për shitjen e aseteve jashtë përdorimit dhe automjeteve të cilat janë pronë e komunës,
– U formua Komisioni për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes, përmirësimin e performancës komunale dhe përgatitjet për konkurim për Grantin e Performancës.

Kryetari Xheladini i informoi zyrtarët e ekzekutivit lokal për nënshkrimin e kontratës për Ujësjellësin kryesor si dhe planifikimin që vitin e ardhshëm të shpallet tenderi për Fabrikën e ujit, marrëveshjen me MZhR-në për asfaltimin e rrugës së stadiumit të qytetit dhe marrëveshjen me FFK-në për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e këtij stadiumi. Sa i përket shëndetësisë, Kryetari Xheladini njoftoi se përveç angazhimit të neuropsikiatrit dhe oftamologut, shumë shpejt në QKMF do të angazhohen edhe internisti kardiolog dhe gjinekologu.

Në fund të takimit Kryetari i komunës kërkoi disiplinë, angazhim dhe azhuritet në punë, si për kabinetin qeveritar, ashtu dhe për stafin në arsim, shëndetësi dhe komunë.