Republika e Kosovës
Republika e Kosoves

Dragash

URIMI I KRYETARIT TË KOMUNËS BEXHET XHELADINI ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT SHKOLLOR 2022/ 2023

2022/10/03 - 1:02

Të dashur nxënës e prindër!
Të nderuar mësues
Më lejoni që në cilësinë e Kryetarit të Komunës dhe në emër të atyre që i përfaqësoj t’ju uroj fillim të mbar të vitit shkollor 2022/2023, me vullnetin dhe dëshirën, më të mirë që të punojmë të gjithë bashkë, për të pasur një vit shkollor sa më të mbarë e të suksesshëm.
Dita e parë e shkollës është një moment emocional dhe shumë i veçantë për nxënësit, mësuesit, prindërit e posaçërisht parashkollorët dhe nxënësit e klasës së parë të cilët ia mësyjnë bankave shkollore për herë të parë.
Nxënës të dashur!
Mësoni, ky është misioni juaj i i parë. Pastaj, duajeni shkollën, kujdesuni për të, si për shtëpinë tuaj, bëhuni nxënës shembullor, pajisuni me dituri, respektoni mësuesit, respektoni ata sikurse prindërit tuaj.
Të nderuar mësues!
Ushtroni misionin tuaj të shenjët dhe bëni nxënësit tuaj të dijshëm, të edukuar dhe të aftë për tu përballuar me të gjitha sfidat e jetës. Duajeni nxënësit tuaj dhe respektoni ata sikurse të jenë fëmijët tuaj.
Kurrë të mos harroni se jeni shtresa më e rëndësishme dhe ma e respektuar e shoqërisë, nga ju dhe puna juaj varet e ardhmja e fëmijëve dhe e shtetit tonë.
Bëni më të mirën e mundshme në kushtet që i keni.
Të dashur prindër!
Bashkëpunimi i ngushtë mësues, nxënës dhe prindër, është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm për arritjen e objektivave, andaj bëhuni edhe ju pjesë e pa ndashme e shkollës dhe e suksesit.
I nderuar Drejtor i Arsimit z. Selim Kryeziu! Urime fillimi i vitit shkollor dhe njëherit të përgëzoj dhe të falënderoj për punën e bërë, masat që i keni ndërmarr dhe investimet që i keni bërë në lëmin e arsimit, për fillim sa ma me sukses të këtij viti shkollor.
Të nderuar mësues, prindër, nxënës, staf udhëheqës arsimor, në punën tuaj të shenjtë do të keni mbështetjen time maksimale.
Me respekt Kryetari i Komunës
Bexhet Xheladini.