Republika e Kosoves

Ferizaj

Gjithçka gati për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

2018/02/12 - 2:07

Komuna e Ferizajt, konkretisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka bërë të gjitha përgatitjet për shënimin sa më dinjitoz të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Aktivitetet për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë do të mbahen nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Sipas drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati-Shabanit, këto përgatitje janë bërë në bashkëpunim me shoqata të ndryshme kulturore dhe artistike, por edhe me klubet sportive.

“Kemi pasur shumë aktivitete, por është reduktuar agjenda sepse kemi dashur që të gjitha aktivitetet që zhvillohen në kuadër të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të jenë kualitative. Shumica e aktiviteteve do të jenë të drejtpërdrejta dhe janë të kualitetit shumë të lartë. Kemi pasur takime edhe me shoqatat e dala nga lufta dhe me Policinë e Kosovës”, ka thënë drejtoresha Murati-Shabani.

Ajo ka thënë se aktivitetet për shënimin e Ditës së Pavarësisë, do të fillojnë nga data 14 shkurt ku do të fillohet me një turnir në ping-pong nga shkollat e mesme të ulëta të larta, që do të fillojë në orën 10:00 në Palestrën e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj.

“Do të kemi një turnir në shah, një simpozium për trashëgiminë kulturore, promovimin e librit “Mallkimi i shekujve” të autorit Gazmend Bytyqi, një koncert festiv me karaoke dhe një shfaqje teatrale me datën 14 shkurt, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim do të ketë edhe aktivitete të ndryshme”, tha drejtoresha Murati-Shabani.

U tha se ditëve në vazhdim do të ketë edhe aktivitete të tjera sportive dhe kulturore, ndërkaq me datën 17 shkurt-Ditën e Pavarësisë së Kosovës janë përgatitur aktivitet të shumëllojshme në këtë përvjetor jubilar të Pavarësisë.

“Me 17 shkurt në orën 10:00 do të bëhen homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së, ndërsa në orën 11:00 në Teatrin “Adriana”, ku do të jetë pjesa foljore, por edhe një pjesë të programit kulturo-artistik të përgatitur nga Orkestra e Qytetit, ndërsa në orën 19:00 do të mbahet një gala koncert festiv në teatrin e qytetit”, ka përfunduar drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Xhemile Murati-Shabani.