Republika e Kosoves

Ferizaj

 

REPUBLIKA E KOSOVËS REPUBLIKA KOSOVA REPUBLIC OF KOSOVO 

KOMUNA E FERIZAJT OPŠTINA UROŠEVAC MUNICIPALITY OF FERIZAJ

http://kk.rks-gov.net/ferizaj

  

DRAFT RREGULLORE E KOMUNËS SË FERIZAJT

PËR PËRKUJDESJEN DHE MBROJTJEN E FËMIJËS

DRAFT RREGULLORE

PËR PËRKUJDESJEN DHE MBROJTJEN E FËMIJËS

 

KAPITULLI I –

DISPOZITA TË PËRGJTHSHME

Neni 1

Qëllimi

 

  1. Me këtë Rregullore përcaktohen rregullat dhe procedurat për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës, në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Kompetencave Vetanake të Komunës së Ferizajt, me qëllim të:

 

Neni 2

Fushëveprimi

 

  1. Kjo Rregullore:
    • Zbatohet për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës në të gjitha fazat, për të gjitha, masat, veprimet dhe vendimet, që kanë të bëjnë me fëmijën, nga të gjitha subjektet për mbrojtjen e fëmijës në Komunën e Ferizait, në përputhje me obligimet e dala nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, këtë Rregullore si dhe legjislacionin përkatës në fuqi, dhe
    • Zbatohet për fëmijën me shtetësi kosovare, pa shtetësi, të pa regjistruar, azilkërkues, refugjat ose me shtetësi të huaj, brenda territorit të Komunës së Ferizait.
  2. Dispozitat e kësaj Rregulloreje nuk mund të merren si kufizim apo pakësim i të drejtave ekzistuese të fëmijës të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, Konventën për të Drejtat e Fëmijës ose me instrumentet ndërkombëtare që rregullojnë këtë fushë, si dhe me legjislacionin tjetër në fuqi.

 

Neni 3

Përkufizimet

 

  1. Shprehjet e përdorura në këtë Rregullore kanë këtë kuptim:
    • Administrata Komunale- të gjithë personat e punësuar nga autoriteti komunal siç përkufizohet në Ligjin nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale (Gazeta Zyrtare, nr. 28, 04 qershor 2008);
    • Fëmijë –nënkupton çdo qenie njerëzore nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç, me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më përpara, në përputhje me legjislacionin të cilit ai i nënshtrohet. Në rastin kur mosha e personit nuk është plotësisht e përcaktuar, por ekzistojnë arsye që lënë të nënkuptohet se personi është fëmijë, ky person konsiderohet fëmijë, derisa mosha e tij të jetë përcaktuar plotësisht;
    • Komunë mike ndaj fëmijës – nënkupton sistemin e qeverisjes së mirë lokale me fëmijën në qendër, e zotuar për zbatimin dhe realizimin e plotë të të drejtave të fëmijës në nivelin më të lartë të arritshëm, që garanton respektimin dhe zbatimin efektiv të të drejtave të fëmijës, dhe që konsideratë mbizotëruese ka interesin më të mirë të fëmijës, mos diskriminimin, mbrojtjen e dinjitetit dhe pjesëmarrjen e fëmijës, duke i dhënë vëmendjen e duhur nivelit të pjekurisë, të kuptuarit e fëmijës dhe rrethanave të rastit;
    • Komunë – Komuna e Ferizait, nësi e vetëqeverisjes lokale, në territorin dhe me kufijtë administrativë të përcaktuar sipas Ligjit nr. 03/L-041 për kufijtë administrativ të komunave (Gazeta Zyrtare, nr. 26, 2 qershor 2008);
    • Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës/Konventa – Konventa mbi të drejtat e fëmijës, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989;
    • Kryetar– Kryetari i Komunës së Ferizajt;
    • Kushtetutë – Kushtetuta e Republikës së Kosovës;
    • Kuvend- Kuvendi i Komunës së Ferizajt;
    • Ligj – Ligji Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës (Gazeta Zyrtare nr. 14, 17 korrik 2019);
    • Ligji për Bashkëpunim Ndërkomunal – Ligji nr. 04/L-010 për Bashkëpunim Ndërkomunal (Gazeta Zyrtare, nr. 7, 10 gusht 2011);
    • Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare – Ligji nr. 02/L-17 për Shërbime Sociale dhe Familjare (Gazeta Zyrtare nr. 12, 01 maj 2007) dhe Ligji nr. 04/L-081 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 02/L-17 për Shërbime Sociale dhe Familjare (Gazeta Zyrtare, nr. 5, 05 prill 2012);
    • Mbrojtja e fëmijës – nënkupton parandalimin dhe përgjigjen ndaj dhunës, keqtrajtimit, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit, rrëmbimit, shfrytëzimit seksual, trafikimit dhe punës së fëmijës në dhe jashtë shtëpisë;
    • Ministri – Ministria përkatëse për Punë dhe Mirëqenie Sociale;
    • Në të gjitha fazat – përfshin të gjitha procedurat në të cilat fëmija është në kontakt me subjektet për mbrojtjen e fëmijës;
    • Organe Komunale – nënkupton kuvendin dhe kryetarin;
    • Përfaqësues ligjor– nënkupton prindin/ërit ose personin, që ushtron autoritetin prindëror apo kujdestarin, i cili, brenda përgjegjësive, që i janë dhënë nga legjislacioni në fuqi nga gjykata, ose nga Organi i Kujdestarisë, mbron interesat e fëmijës nëpërmjet kryerjes apo jo të veprimeve juridike, në emër ose për llogari të fëmijës;
    • Qendra për Punë Sociale/QPS – është institucion publik profesional, kompetent për koordinimin dhe organizimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës në kuadër të komunës;
    • Statut – Statuti i Komunës së Ferizajt Nr.50, i datës 28.06.2013.
    • Subjekt për mbrojtjen e fëmijës – nënkupton çdo persona të punësuar nga autoriteti komunal, administrat komunale, institucion komunal, organ komunal, institucion qendror që vepron në nivel komunal, shërbimet dhe qendrat për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve, të cilat janë nën administrimin e Komunës, apo që veprojnë në nivel komunal, profesionistë për mbrojtjen e fëmijës dhe çdo person apo subjekt tjetër që ka përgjegjësi sociale dhe ligjore për t’u angazhuar në përkujdesjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve;
    • Zyra për Qeverisje të Mirë/ZQM – nënkupton Zyrën/Njësinë përkatëse për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
  2. Termat tjerë të përdorura në këtë rregullore kanë kuptimin e njëjtë me përkufizimet e dhëna  në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës,  Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale,  dhe Statutin.

 

KAPITULLI   II –

 PARIMET E PËRKUJDESJES DHE MBROJTJES SË FËMIJËS

Neni 4

Mbrojtja e jetës dhe të drejtave të fëmijës

 

Mbrojtja e jetës dhe të drejtave të fëmijës është detyrimi kryesor, në masën maksimale të mundshme, për çdo përfaqësues ligjor, person, subjekt për mbrojtjen e fëmijës, institucion apo organ tjetër në territorin e Komunës së Ferizajt.

 

Neni 5

Parimet për mbrojtjen e fëmijës dhe interesi më i mirë i fëmijës

 

  1. Të gjitha veprimet dhe vendimet, në të gjitha fazat, që kanë të bëjnë me fëmijën, të ndërmarra nga përfaqësuesit ligjor dhe subjektet për mbrojtjen e fëmijës të Komunës së Ferizajt, duhet të jenë në përputhje me parimet dhe dispozitat e Ligjit, që përfshin edhe interesin më të mirë të fëmijës.
  2. Për të siguruar interesin më të mirë të fëmijës, duhet të respektohen parimet e përcaktuara në Ligj dhe asnjë interpretim i supozuar i asaj se çka është në interesin më të mirë të fëmijës nuk mund të justifikojë shkeljen e çfarëdo të drejte të njohur nga Kushtetuta, Konventa, Ligji dhe Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare.
  3. Përfaqësuesit ligjor dhe subjektet për mbrojtjen e fëmijës, në të gjitha fazat dhe në të gjitha veprimet dhe vendimet, që kanë të bëjnë me fëmijën, koordinojnë masat dhe veprimet e tyre për të siguruar interesin më të mirë të fëmijës.

Neni 6

Parimi i trajtimit të barabartë të fëmijës

 

Përfaqësuesit ligjor dhe subjektet për mbrojtjen e fëmijës, në të gjitha fazat dhe në të gjitha veprimet dhe vendimet, që kanë të bëjnë me fëmijën, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre dhe gjatë hartimit të politikave dhe legjislacionit, duhet të veprojnë në përputhje me parimin e trajtimit të barabartë të fëmijës dhe të marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim, që fëmija të jetë i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit, sipas kuptimit të cilido nga bazat e përcaktuara në dispozitat përkatëse të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Neni 7

Fryma e edukimit të fëmijës

Të gjithë përfaqësuesit ligjor dhe subjektet për mbrojtjen e fëmijës në Komunën e Ferizajt, duhet të përkujdesen që fëmijët të rriten në mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi, në mënyrë që të edukohen në frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë, barazisë dhe solidaritetit,  dhe fëmijët të përgatiten plotësisht për të bërë një jetë individuale në shoqëri, e cila nxit zhvillimin e potencialit të plotë të fëmijës.

 

Neni 8

Vlerësimi i ndikimit tek fëmijët

 

  1. Organet dhe administrata komunale, me qëllim të identifikimit të natyrës, përmasave dhe nevojës për mbrojtjen e fëmijës, e bëjnë në mënyrë të rregullt vlerësimin e ndikimit të aspekteve të qeverisjes lokale tek fëmijët dhe zhvillojnë procesin për vlerësimin e ndikimit të politikave, legjislacionit, strategjive e planeve të veprimit dhe programeve për fëmijë.
  2. Vlerësimi fillon në faza të hershme, gjatë analizës së situatës së fëmijëve dhe ndikimit të ndërhyrjeve tek fëmija, për të marrë vendime bazuar në interesin më të mirë të fëmijës.
  3. Vlerësimi i ndikimit në fëmijë të aspekteve të qeverisjes lokale, duhet të rezultojë me rekomandime për përmirësime si dhe me veprime dhe politika që duhet të ndërmerren nga organet komunale në mënyrë që të krijohet një komunë mike për fëmijë si dhe
  4. Vlerësimi i ndikimit të aspekteve të qeverisjes lokale tek fëmijët mund të bëhet edhe nga organizata të shoqërisë civile, të cilat mund t’i referojnë të gjeturat tek organet komunale.

 

KAPITULLI  III –

PËRKUJDESJA DHE MBROJTJA E FËMIJËS

 

Neni 9

Përgjegjësia prindërore dhe familjare për përkujdesjen për fëmijën

 

  1. Mbrojtja kryesore e të drejtave të fëmijës nis në familje, nga prindërit ose kujdestarët.
  2. Interesi më i mirë i fëmijës përmbushet kur nevojat e zhvillimit të tij fizik dhe psikologjik, plotësohen brenda kontekstit të familjes së tij biologjike. Të gjithë subjektet duhet të bëjnë çdo përpjekje të promovojnë, mirëqenien e fëmijës në suaza të familjeve të tyre biologjike përmes ofrimit të përkujdesjes, mbrojtjes dhe këshillimit social dhe në raste të jashtëzakonshme, asistencës materiale.
  3. Familja, ka përgjegjësi primare për rritjen, mirëqenien, edukimin dhe mbrojtjen e fëmijës. Përfaqësuesit ligjor dhe anëtarët e tjerë të familjes janë përgjegjës për mbrojtjen e fëmijës nga të gjitha aktet dhe situatat që e vënë fëmijën në rrezik, nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, neglizhimit, abuzimit, keqtrajtimit, dhe shfrytëzimit dhe përgjegjësitë tjera të përcaktuara në Ligj.
  4. Përfaqësuesit ligjor janë të obliguar në radhë të parë të përkujdesen për sigurimin e të drejtave dhe detyrave që kanë për qëllim sigurimin e mirëqenies emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur dhe mbajtur raporte vetanake me fëmijën dhe obligimin për t’i siguruar fëmijës jetën, sigurinë, shëndetin, mirërritjen, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurisë së fëmijës.
  5. Organet dhe administrata komunale dhe profesionistët për mbrojtjen e fëmijës, në të gjitha veprimet dhe vendimet, që kanë të bëjnë me fëmijën duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar integrimin e fëmijës në familje dhe shoqëri dhe të bëjnë çdo përpjekje të promovojnë, mirëqenien e fëmijës në suaza të familjeve të tyre biologjike përmes ofrimit të përkujdesjes, mbrojtjes dhe këshillimit social dhe në raste të jashtëzakonshme, asistencës materiale.
  6. Fëmija mund të largohet nga kujdesi i përfaqësuesit ligjor, vetëm në rastet siç përcaktohet me legjislacion në fuqi.

 

Neni 10

Ndihma prindërve dhe familjeve në përkujdesjen për fëmijën

 

  1. Subjektet përkatëse për mbrojtjen e fëmijës respektojnë përgjegjësinë kryesore të përfaqësuesve ligjor dhe familjes për përkujdesjën për fëmijën.
  2. Subjektet përkatëse për mbrojtjen e fëmijës ofrojnë mbështetjen e nevojshme  për të parandaluar dhe pakësuar risqet e mundshme me të cilat mund të përballen fëmijët dhe për t’i pajisur prindërit me aftësitë përkatëse jo të dhunshme dhe proaktive për të rritur fëmijët, mbështesin përfaqësuesit ligjor në rritjen e fëmijës së tyre dhe duhet të sigurojnë ndihmat e nevojshme të familjes në nevojë, madje qysh në fazat e hershme kur një gjë e tillë del të jetë e nevojshme, si dhe t’i referojë fëmijën dhe familjen në shërbimet e mbrojtjes së fëmijës, sipas masave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
  3. Subjektet përkatëse për mbrojtjen e fëmijës, në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, ndihmojnë dhe ndërhyjnë në familje, në bazë të referimit apo në raste kur familja nuk është në gjendje apo kur ekziston dyshimi i bazuar se familja nuk është në gjendje që të mbrojë fëmijën nga rreziku për jetë, dhuna, neglizhimi, keqtrajtimi, abuzimi dhe shfrytëzimi. Në këtë drejtim, subjektet për mbrojtjen e fëmijës, në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, janë të obliguara t’u dalin në ndihmë familjeve në përkujdesjen për fëmijën dhe duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë:
    • familjeve në nevojë, që u nevojitet ndihma në përkujdesjen për fëmijën për shkak të gjendjes së tyre ose gjendjes së fëmijës,
    • fëmijës pa përkujdesje prindërore,
    • fëmijës së neglizhuar, abuzuar apo keqtrajtuar,
    • fëmijës i cili bie në konflikt me ligjin si dhe
    • fëmijës që i përket grupeve të ndryshme shoqërore apo komuniteteve të caktuara.
  4. Mbrojtja e fëmijës realizohet nëpërmjet marrjes së masave të mbrojtjes, realizimit të ndërhyrjeve për respektimin e të drejtave të fëmijës dhe ofrimit të shërbimeve, sipas nevojave, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijës në mjedisin e tij familjar ose duke e vendosur atë në përkujdesje alternative, kur fëmija është i privuar në mënyrë të përkohshme apo të përhershme nga përkujdesja dhe mbrojtja e prindërve, ose kur për shkak të interesit të tij më të mirë, ai nuk mund të lihet në përkujdesjen e prindërve.
  5. Ndërhyrjet dhe shërbimet duhen bazuar mbi njohuri të shëndosha të nevojave të fëmijëve dhe familjeve, dhe duhet të jenë të përshtatura për fëmijën.

 

Neni 11

Obligimet e komunës ndaj fëmijës

 

  1. Komuna e Ferizajt, përkujdeset që në territorin e saj, nga të gjitha subjektet për mbrojtjen e fëmijës dhe në të gjitha fazat, të zbatohen plotësisht, të gjitha të drejtat e fëmijës.
  2. Organet dhe administrata komunale si dhe subjektet për mbrojtjen e fëmijës, janë përgjegjës për sigurimin e shërbimeve dhe masave parandaluese, mbrojtëse dhe riintegruese për mbrojtjen e fëmijës në territorin e Komunës. Për këtë qëllim, sipas përgjegjësive të përcaktuara në Ligj, duhet të:
    • marrin hapa për të identifikuar natyrën dhe përmasat e nevojës për mbrojtjen e fëmijës brenda territorit të Komunës;
    • zhvillojnë masa për të parandaluar rreziqet që rrezikojnë mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës, nevojën e fëmijës për ndihmë dhe për të zvogëluar problemet ekzistuese;
    • zhvillojnë programe dhe projekte për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e fëmijës, për parandalimin dhe reduktimin e faktorëve që vënë në rrezik jetën dhe integritetin moral, fizik, psikologjik e emocional të fëmijës;
    • organizojnë takime informuese, promovuese, edukuese dhe trajnuese për mbrojtjen e fëmijës, duke koordinuar dhe harmonizuar veprimet përmes shërbimeve të integruara të sektorëve të edukimit, shërbimeve sociale, shëndetësisë dhe organizatave të tjera qeveritare, joqeveritare dhe komunitetit, për vetëdijesimin e komunitetit dhe arritjen e rezultateve konkrete dhe të sigurta për fëmijët të cilët nuk kanë qasje në shërbimet ekzistuese;
    • promovojnë artin, kulturën dhe sportin në institucionet arsimore dhe më gjerë;
    • krijojnë një sistem që të jenë më pranë fëmijëve në nevojë dhe sipas nevoje ofrimin e financimit emergjent për fëmijë;
    • përkrahin ekzekutimin e masave të diversitetit, masave edukative dhe dënimeve për fëmijë që kanë rënë ndesh me ligjin;
    • zhvillojnë praktika të prindësisë së mirë dhe promovimit shëndetësor;
    • krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët për t’u regjistruar në shkollë, për ta vijuar dhe për përfunduar atë;
    • inkurajojnë dhe i mbështesin organizatat e të rinjve dhe fëmijëve dhe u ofrojnë mbështetje organizatave të shoqërisë civile, për të zhvilluar kapacitetet e tyre për të ndikuar në vendimmarrjen e pavarur në fushën e të drejtave të fëmijëve;
    • komunikojnë dhe mund të krijojnë partneritet me institucionet qendrore dhe organizatat dhe institucionet e pavarura, organizatat e shoqërisë civile, grupet e të rinjve dhe mediat për t’i promovuar të drejtat e fëmijëve, në mënyrë që në komunë të sigurohet një mjedis i sigurt për fëmijët.
  3. Subjektet për mbrojtjen e fëmijës, kryejnë shërbime sociale dhe familjare brenda territorit të Komunës, sipas përgjegjësive të përcaktuara në Ligjin për shërbime sociale dhe familjare, standardeve të specifikuara nga Ministria dhe me legjislacionin përkatës në fuqi.

 

Neni 12

Komuna e Ferizajt: Komunë mike ndaj fëmijës

 

  1. Komuna e Ferizajt e përkushtuar në zbatimin e konceptit: Komunë mike për fëmijë, e cila do të mundësojë gjithë përfshirje të fëmijës në përmbushjen e të drejtave të tyre, duke ofruar mbështetje në realizimin dhe jetësimin e qëllimeve për një mirëqenie më të mirë për fëmijët dhe përkujdeset që të gjitha organet dhe administrata komunale, në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tyre përkatëse, të marrin masa dhe veprime për të siguruar që çdo fëmijë në territorin e komunës do të:
    • ndjehet i sigurtë në rrugë, shkollë dhe në mjedisin ku jeton;
    • mbrohet nga shfrytëzimi, dhuna, abuzimi apo çfarëdo rreziku tjetër që mund të vijë si rezultat i moshës apo gjinisë;
    • këtë qasje në burime të ujit të pastër dhe të jetojë në një mjedis të pastër dhe me hapësira të gjelbra;
    • pranojë shërbimet kryesore, si kujdesi shëndetësor, arsimimi dhe kujdesi alternativ;
    • ketë të drejtë të dëgjohet, të shpreh lirisht opinionet e tij dhe të marr pjesë në proceset vendimmarrëse të rëndësishme lidhur me jetën e tij, si dhe të ndikojnë në vendimet lidhur me ta – në familje, shkollë, komunitet dhe shoqëri;
    • këtë në disponim hapësira të mjaftueshme dhe të sigurta për lojëra dhe argëtim;
    • marrë pjesë në ngjarjet kulturore, sportive, rekreative dhe sociale;
    • këtë qasje të barabartë në secilin shërbim të ofruar nga Komuna, pa asnjë Diskriminin në cilido nga bazat e përcaktuara në dispozitat përkatëse të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me fokus të veçantë në kategoritë e fëmijëve në nevojë;
  2. Subjektet për mbrojtjen e fëmijës kanë përgjegjësi sociale dhe ligjore për t’u angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, në përputhje me konceptin e Komunës mike për fëmijë.
  3. Organet dhe administrata komunale në çdo plan vjetor për të drejtat e fëmijës duhet të parashohin masa dhe veprime konkrete për realizimin e konceptit të Komunës mike për fëmijë.

 

Neni 13

Detyrimi i raportimit për dhunën ndaj fëmijës

 

  1. Subjektet për mbrojtjen e fëmijës dhe çdo person që punonë me dhe për fëmijët dhe çdo pjesëtar i profesionit të mësuesisë, infermierisë, mjekësisë, stomatologjisë, psikologjisë ose i policisë apo profesionist tjetër që ka për detyrë përkujdesjen për fëmijët, i cili dyshon ose ka dëshmi se që ndaj fëmijës, qoftë nga ana e prindit ose përkujdesësit të tij apo nga cilido person, është ushtruar çdo formë e dhunës fizike ose mendore, keqtrajtimi, braktisja, abuzimi, neglizhimi dhe shfrytëzimi është i obliguar që të raportojë rastin, me shkrim ose gojarisht në Polici ose në Qendrën për Punë Sociale ose tek mbrojtësi i viktimave, në pajtim me legjislacionin në fuqi që rregullon këtë çështje.
  2. Detyra dhe mënyra e raportimit të dhunës ndaj fëmijës duhet të jenë pjesë e programeve të rregullta të trajnimeve, kur përgatiten profesionistët e ardhshëm që do të punojnë me dhe për fëmijët. Kjo duhet të bëhet edhe përmes fushatave të ndryshme promovuese duke përfshirë edhe udhëzimet përkatëse për mënyrën dhe vendin e raportimit.
  3. Pamundësia e subjekteve dhe personave të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, për të raportuar, sanksionohet sipas ligjit në fuqi.

 

Neni 14

Plani  vjetor për të drejtat e fëmijës

 

  1. Njësia apo Zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës, në kuadër të komunës, udhëheq procesin e hartimit të planit të veprimit si dhe rishikon zbatimin e planit në baza vjetore, bazuar ne vetëvlerësimin komunal.
  2. Gjatë hartimit dhe zbatimit të planit vjetor për të drejtat e fëmijës:
    • Njësia apo Zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës bashkëpunon me institucionet qëndrore apo lokale përkatëse, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët që punojnë për dhe me fëmijët, dhe grupet e tjera relevante;
    • Obligohen të gjitha njësitë përkatëse të komunës të japin kontributin e tyre dhe të marrin pjesë aktive dhe të ofrojnë të dhënat përkatëse;
    • Fëmijët duhet dëgjuar dhe inkurajuar që të kontribuojnë dhe që pikëvështrimet e tyre duhet të merren në konsideratë;
    • Duhet marrë parasysh nevojat dhe specifikat e fëmijëve në Komunë; si dhe
    • duhet bazuar në të dhëna dhe njohuri shkencore për mbrojtjen e fëmijës
  3. Plani i veprimit për të drejtat e fëmijës duhet të përcaktojë:
    • Prioritetet;
    • objektiva realiste;
    • masat përkatëse;
    • njësitë përgjegjëse dhe
    • afatet;
  4. Hartimi dhe zbatimi i Planit vjetor vjetor për të drejtat e fëmijës, duhet mbështetur me burime njerëzore dhe financiare, dhe vlerësimi i tyre duhet bërë në mënyrë sistematike.
  5. Plani vjetor vjetor për të drejtat e fëmijës miratohet në Kuvend.

 

 

 

KAPITULLI  IV –      

MEKANIZMAT  KOMUNAL PËR MBROJTJE TË FËMIJËS

Neni 15

Mekanizmat për mbrojtje të fëmijës

 

  1. Mekanizmat për mbrojtje të fëmijës, përgjegjëse për zbatimin e kësaj rregulloreje, janë:
    • Kryetari i komunës;
    • Drejtoritë dhe njësitë përkatëse komunale sipas fushës që mbulojnë në lidhje me të drejtat e fëmijës;
    • Qendra për Punë Sociale;
    • Ekipi për të Drejtat e Fëmijës;
    • Njësia/Zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës;
    • Institucionet shëndetësore;
    • Institucionet arsimore publike dhe jopublike në nivelet arsimore parashkollore, fillore, të mesëm të ulët, të mesëm të lartë dhe të lartë;
    • Organizatat e shoqërisë civile (organizatave joqeveritare, shoqatat, klubet dhe organizatat formale dhe joformale);
    • Familjet strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore;
    • Shtëpitë për mbrojtjen e fëmijës dhe
    • Subjetet tjera që kanë përgjegjësitë me legjislacionin përkatës në fuqi.

 

Neni 16

Roli i Qendrës për Punë Sociale

 

  1. Qendra për Punë Sociale, ofron përkujdesje sociale dhe/ose këshillim në rrethanat kur një fëmijë është në nevojë për shërbime sociale dhe familjare dhe duhet të marrë çdo hap të nevojshëm për ruajtjen e sigurisë së fëmijës dhe siguron që shërbimet e ofruara janë në përputhje me përgjegjësitë që përmban Ligji për Shërbime Sociale dhe familjare, Ligji dhe legjislacioni përkatës në fuqi.
  2. Qendra për Punë Sociale identifikon rastet e fëmijëve që janë në situatë rreziku apo në nevojë dhe ndërhyn për menaxhimin e rastit, së bashku me subjektet përkatëse deri në zgjidhjen përfundimtare.
  3. Qendra për Punë Sociale sipas përgjegjësive të përcaktuara në Nenin 15 të Ligjit duhet që të:
    • koordinojë dhe organizojë sistemin e integruar të mbrojtjes së fëmijës në kuadër të komunës;
    • zbatojë politikat nacionale dhe lokale për mbrojtjen e fëmijës, duke përfshirë zbatimin e ndërhyrjeve dhe marrjen e masave për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijës nga abuzimi, neglizhimi, keqtrajtimi dhe dhuna;
    • shërbejë si qendër informacioni, ku fëmijët dhe familjet në kuadër të komunës, mund të informohen apo të referohen te shërbimet apo institucionet e tjera mbështetëse, sipas nevojave që ata kanë;
    • përcaktojë së paku një (1) zyrtar përkatës përgjegjës dhe të specializuar për të koordinuar masat dhe ndërhyrjet për mbrojtjen e fëmijës;
    • Ushtron çdo kompetencë tjetër, në përmbushjen e mandatit që ka, sipas legjislacionit në fuqi.
  4. Qendra për Punë Sociale mobilizon të gjitha subjektet për mbrojtjen e fëmijës për  funksionalizuar sistemin e integruar të mbrojtjes së fëmijës.

 

Neni 17

Caktimi i Njësisë/Zyrtarit për mbrojtjen e fëmijës

 

  1. Kryetari, me qëllim të përmirësimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës si dhe të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me Ligj dhe këtë Rregullore, sipas vlerësimit të nevojave specifike të komunës, cakton njësinë/zyrtarin përkatës për mbrojtjen e fëmijës, nga radhët e punonjësve të QPS-së .
  2. Kryetari, siguron që të ndahen burime të mjaftueshme nga buxheti për kryerjen e detyrave të Njësisë apo zyrtarit përkatës për mbrojtjen e fëmijës.
  3. Njësia apo zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës i jep llogari:
    • Kryetarit, për koordinimin dhe raportimin lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe
    • Drejtorit të QPS-së, për mbajtjen në nivel të standardeve të praktikës profesionale dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të përcaktuara me Ligj dhe me këtë Rregullore.
  4. Kryetari, në afat prej më së largu tre (3) muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje, cakton njësinë apo zyrtarin/ët përkatës për mbrojtjen e fëmijës.

Neni 18

Detyrat dhe përgjegjësitë e Njësisë apo Zyrtarit përkatës për mbrojtjen e fëmijës

 

  1. Njësia apo Zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës, në kuadër të komunës, ka përgjegjësitë si në vijim:
    • bashkëpunon, koordinon, monitoron, raporton, mbron, promovon zbatimin e Ligjit;
    • ofron mbështetje në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe planeve lokale për promovimin e të drejtave të fëmijës dhe mbrojtjen e fëmijës;
    • mbështetë dhe promovon praktikat e mira dhe ndihmon në ngritjen e kapaciteteve të komunës për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve;
    • informon dhe udhëzon, në formën verbale apo të shkruar, për të drejtat e fëmijës dhe për mjetet ligjore të disponueshme për mbrojtjen e fëmijës, për të gjithë punonjësit dhe personat të komunës;
    • bashkëpunon dhe kryej detyrat dhe përgjegjësitë e veta në bashkërendim dhe koordinim me ZQM-në si dhe me institucionet tjera kompetente sipas Ligjit;
    • prezanton një raport vjetor tek ZQM-ja sipas formatit të përcaktuar nga ajo për zbatimin e Ligjit në kuadër të komunës, duke përfshirë edhe raportin për zbatimin e Konventës pranë Komitetit për të drejtat e fëmijës në Gjenevë;
    • bashkëpunon dhe mbështetë ZQM-në dhe institucionet përkatëse në hartimin e planeve relevante të veprimit lidhur me zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e fëmijës;
    • bashkëpunon me Komitetin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijës për zhvillimin e politikave që kanë të bëjnë me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, zbaton rekomandimet e Komitetit, ofron të dhënat e kërkuara nga ZQM në emër të Komitetit, si dhe marrin pjesë në takimet e Komitetit, sipas ftesës dhe agjendës përkatëse;
    • mbledh të dhëna statistikore lidhur me rastet e diskriminimit të fëmijës, si dhe të dhëna tjera për fëmijët në territorin e komunës;
    • zhvillon aktivitete ndërgjegjësimi dhe edukimi lidhur me promovimin e Ligjit, si dhe të kryejë hulumtime, sondazhe në çështjet e të drejtave të fëmijës;
    • publikon raporte dhe bën rekomandime për të vepruar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, në mënyrë që institucionet përkatëse t‘i shfrytëzojnë  raportet dhe rekomandimet për të zhvilluar politika, plane të veprimit dhe buxhetin për fëmijë;
    • shkëmben dhe siguron informata për Avokatin e Popullit, për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijës dhe ato që u përkasin rekomandimeve të Avokatit të Popullit;
    • merr pjesë, sipas ftesës, në takimet e Këshillit të Drejtorëve të komunës dhe paraqet raportin, duke përshkruar në detaje punët e kryera për të cilat është përgjegjëse;
    • përgatit vetëvlerësimet periodike, të cilat rezultojnë me veprime dhe politika që duhet të ndërmerren nga Komuna, në mënyrë që të krijohet një Komunë mike ndaj fëmijës;
    • siguron sistem komunikimi që mundëson shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve të komunës dhe institucioneve qendrore;
    • siguron sistem komunikimi që mundëson shprehjen e mendimeve të fëmijëve, me pjesëmarrjen e fëmijëve, të cilat përfshihen në punën e qeverisjes në nivel komunal;
    • bashkëpunon dhe koordinon mekanizmat në territorin e komunës që merren me mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve;
    • Përcakton treguesit dhe të dhënat për fëmijët dhe interesat e tyre, sipas prioriteteve të Komunës;
    • bashkëpunon me tryeza multidisiplinare për ndihmë në menaxhimin e rastit.
    • bashkëpunon me Ekipin për të Drejtat e Fëmijës për zbatimin e planit për aftësimin prindëror dhe për cështjet tjera të ndërlidhura sipas Legjislacionit në fuqi.
  2. Administrata komunale, organet komunale dhe profesionistët për mbrojtjen e fëmijës, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë aktivitetet e tyre me njësinë apo zyrtarin përkatës për mbrojtje të fëmijës, për të koordinuar dhe raportuar zbatimin e Ligjit.

 

 Neni 19

 Ekipi për të drejtat e fëmijës

 

  1. Ekipi për të Drejtat e Fëmijës në nivel të vendimmarrjes politike në kuadër të komunës, ka përgjegjësitë e përcaktuara në Nenin 20 të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, që përcaktojnë:
    • Definimin e prioriteteve të komunës dhe masave të nevojshme që duhet ndërmarrë për përmirësimin e situatës së tanishme në lidhje me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës dhe të koordinojë aktivitetet e nevojshme për zbatimin e tyre;
    • Koordinon dhe monitoron zbatimin e politikave dhe të masave përkatëse për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës;
    • Kujdeset për zbatimin e rekomandimeve dhe vendimeve të nxjerra nga strukturat e parapara për mbrojtjen e fëmijës sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijës;
    • Vlerëson dhe siguron përputhshmërinë e politikave, akteve juridike dhe masave të tjera të ndërmarra nga Komuna me legjislacionin, politikat, Strategjinë për të drejtat e fëmijës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës;
    • Zhvillimi i programeve, për të parandaluar përfshirjen e fëmijës në fenomene të mundshme negative dhe ulur faktorët e rrezikut që mund të rrezikojnë fëmijët;
    • Rekomandon kryetarin e komunës për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme, të nevojshme për të realizuar të drejtat dhe sigurimin e mbrojtjes së fëmijës në pajtim me legjislacionin në fuqi;
  2. Mënyra e themelimit dhe funksionimit të ekipit për të drejtat e fëmijës rregullohet sipas aktit nënligjor të miratuar nga qeveria.
  3. Kryetari nxjerrë vendime përkatëse dhe krijon kushtet e nevojshme ekipit për të drejtat e fëmijës, për kryerjen e funksionit sipas Ligjit dhe aktit nënligjor të nxjerrë nga qeveria dhe sipas nevojës Rregullores që do të miratohet në Kuvend.

 

Neni 20

  Asambleja Komunale e Fëmijëve

 

  1. Asambleja Komunale e Fëmijëve përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejtë opinionet dhe pozitën e të gjithë fëmijëve në komunë dhe ka përgjegjësitë si në vijim:
    • siguron pjesëmarrjen e fëmijës për të pasqyruar në mënyrë të drejtë opinionet dhe qëndrimet e fëmijës, karshi moshës dhe pjekurisë së tyre, në zhvillimin dhe realizimin e veprimeve në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit, punës humanitare dhe aktiviteteve të tjera me interes për fëmijët dhe komunitetin;
    • avokon tek institucionet përkatëse për të drejtat e fëmijës dhe për çështjet e ngritura nga vetë fëmijët në nivel lokal;
    • bashkëpunon me këshillat drejtues të shkollave, këshillat e prindërve, këshillat
      e nxënësve dhe komunitetin lokal;
    • zhvillon dhe bashkëpunon me mekanizmat dhe organizatat tjera;
    • ndihmon në ngritjen e vetëdijes për të drejtat e fëmijës, përgjegjësitë dhe gjithë përfshirja e interesave të fëmijëve/nxënësve;
    • organizon aktivitete të identifikuara nga vetë fëmijët, dhe ato që kanë të
      bëjnë me të drejtat e fëmijës;
    • inkurajon frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë, barazisë dhe solidaritetit, në shoqëri dhe tek fëmijët;
    • promovon vlerat shoqërore dhe nxitë ndjenjën për t’u marrë në të ardhmen me aktivitete institucionale dhe politike;
    • siguron bashkëpunimin e nxënësve dhe mësuesve, edukatorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë;
    • informon nxënësit rreth çështjeve me rëndësi të veçantë për ta;
  2. Asambleja Komunale e Fëmijëve do të funksionojë sipas Rregullores që do të miratohet në Kuvend.

 

Neni 21

Themelimi i tryezave multidisiplinare për ndihmë në menaxhimin e rastit

 

Tryezat multidisiplinare për ndihmë në menaxhimin e rasteve themelohen  në nivel profesionistësh, dhe veprojnë mbi bazën e procedurave të detajuara në pajtim me aktin nënligjor që aprovohet nga Qeveria.

 

 

Neni 22

Roli i personave fizikë dhe juridikë në ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijës

 

  1. Siç është përcaktuar në Nenin 23 të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, personat fizikë dhe juridikë, mund të ofrojnë shërbime për mbrojtjen e fëmijës.
  2. Personat fizikë dhe juridikë, duke përfshirë edhe zyrtarët e punësuar në institucionet që ofrojnë shërbime për mbrojtjen e fëmijës, duhet të licencohen sipas legjislacionit në fuqi dhe duhet t’i përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara.
  3. Administrata dhe organet komunale, në fushëveprimin e tyre, mund të lidhin kontrata vetëm me personat fizikë dhe juridikë të licencuar apo që i përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara, për ofrimin e shërbimeve të veçanta për mbrojtjen e fëmijës.
  4. Kontrtata sipas paragrafit 3 të këtij neni, duhet të jenë në pajtim me planet vjetore të komunës për shërbime të mbrojtjes së fëmijës, përmes procedurave të kontraktimit sipas legjislacionit në fuqi.

 

Neni 23

Familjet strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore

 

  1. Drejtori i Drejtorisë përkatëse për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale obligohet që të sigurojë që në territorin apo për territorin e Komunës të ketë së paku tri (3) familje strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore, të vlerësuara, trajnuara dhe të aprovuara sipas standardeve të përcaktuara nga Ministria.
  2. Ministria dhe Komuna i ofrojnë mbështetje materiale familjes strehuese për përkujdesje për fëmijën gjatë qëndrimit në strehim familjar, në pajtim me legjislacionin dhe standardet përkatëse në fuqi.
  3. Familja strehuese nuk lejohet të ndaj asnjë informatë me personat e paautorizuar, mediat dhe të tjerët lidhur me fëmijën gjatë qëndrimit dhe pas largimit nga qëndrimi në strehim familjar.

 

Neni 24

Shtëpitë për mbrojtjen e fëmijës

 

Shtëpitë për mbrojtjen e fëmijës themelohen nga Ministria pranë Qendrave për Punë Sociale ku funksionojnë gjykatat dhe prokuroritë themelore sipas standardeve të përcaktuara nga ministria dhe aktit nënligjor të miratuar nga qeveria.

 

Neni 25

Pjesëmarrja aktive e fëmijëve

 

  1. Organet dhe administrata komunale, institucionet edukative-arsimore, kulturore dhe sportive, mbështesin dhe inkurajojnë krijimin dhe funksionimin e organizatave të fëmijëve dhe të rinjve, klubeve të artit, kulturës dhe sportit dhe sigurojnë forma të ndryshme të pjesëmarrjes aktive të fëmijëve në jetën shoqërore.
  2. Kryetari nxjerrë vendimet përkatëse dhe i krijon kushtet e nevojshme për format e ndryshme të organizimit të fëmijëve, që janë në interesin më të mirë të fëmijës.

 

 

 

KAPITULLI  V –

BASHKËPUNIMI PËR MBROJTJEN E FËMIJËS

Neni 26

Bashkëpunimi për mbrojtjen e fëmijës

 

  1. Mekanizmat për mbrojtje të fëmijës, bashkëpunojnë dhe koordinojnë punën ndërmjet tyre për identifikimin e çështjeve të zbatimit të masave dhe gjetjes së mënyrave me efektive për mbrojtjen e fëmijës si dhe për zbatimin e kësaj rregulloreje, Ligjit, Ligjit për shërbime sociale dhe familjare, legjislacionit në fuqi dhe të politikave shtetërore për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
  2. Mekanizmat për mbrojtje të fëmijës bashkëpunojnë me ministritë përkatëse dhe me palët e interesuara për hartimin e politikave dhe legjislacionit për ruajtjen e nivelit dhe përparimin e mbrojtjes së fëmijës si dhe zbatojnë politikat në fushën e mbrojtjes së fëmijës të përcaktuar nga ministritë përkatëse dhe legjislacionin përkatës në fuqi.
  3. Mekanizmat për mbrojtje të fëmijës, bashkëpunojnë me Qeverinë, institucionet e drejtësisë, policinë, prokurorinë, gjykatat, shërbimin sprovues dhe shërbimin korrektues, Avokatin e Popullit, Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe insitucionet tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Neni 27

Bashkëpunimi ndër-komunal

 

  1. Për ushtrimin më efikas dhe më efektiv të mbrojtjes së fëmijës, komuna ka të drejtë të hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi me dy apo më shumë komuna të Republikës së Kosovës në pajtim me format, kushtet dhe procedurat e përcaktuara me Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal.
  2. Nismat për vendosjen e bashkëpunimit ndër-komunal nga paragrafi 1 i këtij neni, të ndërmarra nga palët me të drejtë nisme, Kryetari, 1/3 e anëtarëve të Kuvendit, së paku 5 % e qytetarëve të komunës me të drejtë vote apo nga Qeveria, merren me prioritet nga administrate dhe organet komunale.
  3. Dispozitat e Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal vlejnë edhe për të gjitha format e bashkëpunimit ndër-komunal për mbrojtjen e fëmijës. Këto marrëveshje nënshkruhen nga kryetarët dhe miratohen nga kuvendet komunale që janë pjesëmarrëse në bashkëpunimin ndër-komunal. Marrëveshja e bashkëpunimit ndër-komunal bëhet e plotfuqishme pas vlerësimit të ligjshmërisë së saj nga Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale dhe publikimit të marrëveshjes në Gazetën Zyrtare.

 

 

Neni 28

Bashkëpunimi me organizatat joqeveritare për mbrojtjen e fëmijës

 

  1. Organet dhe administrata komunale:
    • bashkëpunojnë me organizatat joqeveritare për realizimin e politikave për të drejtat e fëmijës, si dhe për ofrimin e shërbimeve të nevojshme për mbrojtjen e tyre, në pajtim me këtë rregullore dhe aktit nënligjor të përcaktuar nga Qeveria;
    • sigurojnë, inkurajojnë dhe mbështesin pjesëmarrjen e organizatave joqeveritare në çështjet e mbrojtjes e fëmijës dhe në aktivitetet planifikuese dhe zbatuese si dhe u ofrojnë këshilla dhe udhëzime organizatave që kërkojnë të ndërmarrin aktivitete të tilla.
    • Mbajnë komunikime të rregullta me organizatat e shoqërisë civile në mënyrë që të sigurohet një situatë e qartë e fëmijëve në komunë nga një perspektivë tjetër.
  2. Organizatat joqeveritare të licencuara nga Ministria, sigurojnë shërbimet përkatëse të nevojshme për mbrojtjen e fëmijës, qoftë me nismën e tyre ose me kontratë.
  3. Administrata dhe Organet komunale mund të hyjnë në kontrata me organizatat joqeveritare për ofrimin e shërbimeve të veçanta sociale dhe familjare brenda territorit të tyre. Kontratat e tilla duhet të jenë në pajtim me planet vjetore të komunës për shërbime sociale dhe familjare në territorin e saj.

 

KAPITULLI  VI –  

PROMOVIMI I TË DREJTAVE TË FËMIJËS

Neni 29

Promovimi i të drejtave të fëmijës

 

  1. QPS, Njësia apo Zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës dhe administrata komunale, ndërmrrin masa konkrete, në mënyrë që të promovohen, mbrohen dhe respektohen të drejtat e fëmijëve, përmes, lansimit të fushatës së promovimit lidhur me të drejtat e fëmijës dhe hartimit të programeve të trajnimit dhe organizimin e trajnimeve për të drejtat e fëmijëve për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve që merren me të drejtat e fëmijëve dhe për persona të cilët punojnë me fëmijë ose për fëmijë në nivel komunal;
  2. Kujdes i veçantë duhet kushtuar promovimit të:
    • mbrojtjes së fëmijëve nga të gjitha format e dhunës;
    • mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna e shfaqur qoftë nga personeli arsimor, bashkëmoshatarët;
    • ndalimit të gjuhës së urrejtjes, dhunës, jo tolerancës, diskriminimit dhe formave tjera që nxisin konflikte ndër njerëzore;
    • ndalimit të praktikave dhe zakoneve diskriminuese ndaj fëmijës;
    • inkurajimit të mësim-nxënien gjatë gjithë jetës, të zhvillimit të respektit të fëmijës për identitetin kulturor, për gjuhën dhe vlerat kombëtare, respektin për kulturat e ndryshme si dhe respektin për ruajtjen e mjedisit;
    • kujdesit shëndetësor parandalues që siguron zhvillim optimal të fëmijës;
    • mbrojtjes së fëmijëve nga përdorimi i substancave narkotike, alkoolit, produkteve të duhanit, produkteve toksike, substancave psikotrope dhe substancave të tjera që janë të deklaruara të dëmshme nga autoritetet përkatëse;
    • mbrojtjes së fëmijëve nga hyrja në klubet e natës, lokalet e lojërave të fatit, qasja në lojërat e fatit online si dhe në qendrat argëtuese për të rritur dhe të ngjashme.
    • mbrojtjes së fëmijëve nga publikimet, filmat, video lojërat, muzika, transmetimet ose llojet e tjera mjetet e komunikimit masiv, të cilat janë të dëmshme për shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin e tyre;
    • mbrojtjes së fëmijëve nga ndikimet e mundshme negative që ekspozimi ndaj medieve mund të ketë mbi fëmijën;
    • eliminimit të diskriminimit dhe paragjykimeve ndaj fëmijës me aftësi të kufizuara.
    • Mbrojtjes së fëmijës nga rrëmbimi, trafikimi, shitja dhe çdo formë e shfrytëzimit dhe e abuzimit seksual, duke përfshirë veprimtarinë e paligjshme seksuale, shfrytëzimin e fëmijës në prostitucion ose në praktika të tjera seksuale të paligjshme, ekspozimi, shfaqja ose përfshirja në materiale pornografike ose abuzimi seksual me fëmijë, sipas përcaktimeve të Kodit Penal dhe akteve të tjera në fuqi;
    • Mbrojtjes së fëmijës nga shfrytëzimi ekonomik dhe Puna e ndaluar për fëmijë, dhe
    • Masave kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës.

 

Neni 30

Seanca/t vjetore për të drejtat e fëmijëve

 

  1. Kuvendi organizon të paktën një (1) seancë vjetore, për t’i diskutuar çështjet e të drejtave të fëmijëve.
  2. Në seancën/at vjetore për të drejtat e fëmijëve secili drejtor i drejtorisë komunale raporton për çështjet, veprimet dhe masat që janë në përgjegjësinë e tij dhe që kanë të bëjnë më të drejtat e fëmijëve, si dhe paraqet aktivitetet që janë ndëmrarrë për realizimin e Planit vjetor për të drejtat e fëmijës.
  3. Në Seanca/t vjetore për të drejtat e fëmijëve marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, Ekipit për të Drejtat e Fëmijës, Asamblesë së Fëmijëve dhe kanë të drejtë të parashtrojnë pyetje.
  4. Seanca/t vjetore për të drejtat e fëmijëve organizohen në koordinim me Njësinë/zyrtarin përkatës për mbrojtjen e fëmijës.

 

Neni 31

Ditët mike për fëmijë

 

  1. Nën patronatin e Kryetarit të Komunës organizohen dhe mbahen “Ditët mike për fëmijë”.
  2. Gjatë këtyre ditëve organizohen aktivitete të ndryshme me pjesëmarrjen e subjekteve të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.
  3. Kryetari i Komunës me vendim i cakton datat e “Ditëve mike për fëmijë” në Komunë dhe përcakton përgjegjësitë e mekanizmave përkatëse për detyrat e tyre në këto ditë dhe aktivitetet konkrete që duhet ndërmarrë.

 

 

KAPITULLI  VII –           

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

Neni 32

Përgjegjësia individuale

 

Çdo person fizik dhe juridik mban përgjegjësi në bazë të dispozitave të kësaj rregulloreje dhe të legjislacionit përkatës për mbrojtjen e fëmijës kur, me veprimet ose mosveprimet e tij, ka bërë shkeljen.

 

Neni 33

Buxhetimi për fëmijë

 

  1. Për t’i përmbushur të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në këtë rregullore dhe me legjislacionin përkatës që ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijës, organet dhe administrata përkatëse komunale, gjatë fazës së hartimit të buxhetit komunal planifikojnë buxhet për aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijës si dhe sigurojnë burime njerëzore, financiare dhe logjistike të nevojshme.
  2. Komuna e planifikon buxhetin komunal, i cili është transparent dhe bazohet ne konsultime me palët, duke i përfshirë edhe fëmijët. Ky buxhet i reflekton nevojat për ndarjen e burimeve për fëmijë ne te gjitha aspektet e qeverisjes komunale.
  3. Administrata dhe organet komunale zhvillojnë një proces për analizimin e nevojave te buxhetimit për fëmijët e komunës, bazuar në procesin e vlerësimit dhe raportimit. Ky proces përfshinë:
    • analizën e buxhetit të përgjithshëm komunal për të vlerësuar pjesën e shpenzuar për fëmijë dhe sa kanë përfituar fëmijët nga investimet publike të Komunës;
    • ndarjen e përqindjes së nevojshme, bazuar në Planin e veprimit për mbrojtjen e fëmijëve, nga granti i përgjithshëm, te ndarë nga Qeveria për Komunë;
    • analizon adekuate të buxhetit te përgjithshëm komunal dhe elementet brenda tij, ne mënyrë qe te zbulohet pjesa qe është shpenzuar për fëmijë dhe te shfrytëzohen produktet e zhvilluara për të investuar në fëmijë;
    • analizën e ndarjes buxhetore për fëmijë ndër vite dhe tregon trendet e ndarjeve buxhetore për fëmijë.
  4. Kryetari bashkëpunon me Ministrinë dhe me donator të ndryshëm për prioritetet për mbrojtjen e fëmijës, dhe marrjen e fondeve për mbrojtjen e fëmijëve.

 

Neni 34

Ngritja e kapaciteteve për mbrojtjen e fëmijës

 

  1. Për të siguruar ofrimin e një shërbimi cilësor dhe efektiv për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, të gjithë punonjësit e komunës, vecanarishtë punonjësitë që kanë përgjegjësi direkte në mbrojtjen e fëmijës, janë të obliguar të ndjekin trajnime dhe aktivitete që synojnë të zhvillojnë kapacitetet e tyre në fushën e mbrojtjes së fëmijës si dhe të venë në shfrytëzim, në punën e tyre të përditshme, njohurinë dhe dijen e përftuar.
  2. Organet komunale duhet të luajnë rol të vazhdueshëm dhe proaktiv që të jenë në hap me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijës dhe në këtë drejtim organizojnë apo inkurajon zyrtarët komunal për pjesëmarrje në trajnime për aspekte të të drejtave të fëmijës dhe buxhetimit për fëmijë.
  3. Punonjësit që kanë përgjegjësi në mbrojtjen e fëmijës, trajnohen në nivel teorik dhe praktik, duke përdorur metodologjinë “mësimi nëpërmjet punës”.

 

Neni 35

Informimi në interes të fëmijës

 

  1. Zyra përkatëse për informim në Komunën e Ferizajt, në bashkëveprim me QPS-në dhe Njësinë apo Zyrtarin përkatës për mbrojtjen e fëmijës, përmes fushatave, ligjeratave publike si dhe materialeve të ndryshme promovuese për ngritjen e vetëdijes për të rriturit e fëmijët, krijojnë një sistem të informimit për tërësinë e shërbimeve që ofrohen për fëmijë dhe informata të tjera të cilat janë në interes të fëmijës.
  2. Organizatat e shoqërisë civile inkurajohen dhe përkrahen që të monitorojnë, promovojnë dhe informojnë për të drejtat e fëmijës.

 

Neni 36

Raporti për zbatimin e rregullores

 

  1. Njësia/Zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës monitoron zbatimin e kësaj rregulloreje dhe nxjerre raporte vjetore.
  2. Obligohen të gjitha njësitë përkatëse të komunës për ofrimin e të dhënave të kërkuara nga Njësia/Zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës.

 

Neni 37

Zbatimi

 

  1. Përgjegjësia në radhë të parë për zbatimin e kësaj rregulloreje është për organet dhe administrata komunale e Komunës së Ferizajt.
  2. Zbatimi i kësaj rregulloreje sigurohet nga Kryetari, me mbështetjen e Zëvendës kryetarit.
  3. Kryetari mund të nxjerrë vendime për zbatimin e kësaj Rregulloreje.
  4. Administrata dhe Organet komunale janë të obliguara qe pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për krijimin e mekanizmave për zbatimin e kësaj rregulloreje dhe kryerjen e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive përkatëse.
  5. Subjektet për mbrojtjen e fëmijës janë të obliguara qe pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për kryerjen e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive përkatëse.

 

Neni 38

Interpretimi i Rregullores

 

  1. Kjo rregullore duhet interpretuar dhe zbatuar brenda kuadrit të Kushtetutës, Konventës dhe Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
  2. Në të gjitha rastet kur ka kundërthënie të kësaj Rregulloreje me Ligjet dhe dispozitat e Statutit të Komunës do të zbatohen dispozitat e ligjeve dhe statutit.

 

Neni 39

Publikimi

 

  1. Kjo Rregullore publikohet në gjuhët zyrtare dhe gjuhët në përdorim zyrtare.
  2. Kjo Rregullore dhe ndryshimet e mëpasshme të saj publikohen ueb faqen e komunës dhe në “Gazetën Zyrtare”.

 

 Neni 40

Përgatija e Planit vjetor për të drejtat e fëmijës

 

  1. Organet e përcaktuara në këtë rregullore janë të obliguara që të përgatisin Planin vjetor për të drejtat e fëmijës,  duke marrë parasysh nevojat dhe specifikat e fëmijëve në Komunën e Ferizajt si dhe duke marrë parasysh mundësitë buxhetore dhe kohën në dispozicion, duke toleruar shmangien nga standardet e përcaktuara në këtë Rregullore.
  2. Përgatitja e Planit të parë vjetor për të drejtat e fëmijës, duhet të shërbejë për analiza përkatëse në mënyrë që në vitet pasuese të respektohen kërkesat e përcaktuara në këtë Rregullore.

 

Neni 41

Hyrja në fuqi

 

  1. Kjo Rregullore pas miratimit nga Kuvendi i Komunës, nënshkrimit nga Kryesuesusja e Kuvendit të Komunës dhe vlerësimit të ligjshmërisë nga Ministria përgjegjëse për Vetëqeverisje Lokale, publikohet në ueb faqen e komunës.
  2. Në ditën në të cilën kjo rregullore publikohet në ueb faqe të komunës do të përcaktohet si dita e shpalljes.

 

 Kryesuese e Kuvendit të Komunës

Kristina Gashi Bytyci