Republika e Kosoves

Ferizaj

15 biznese prodhuese përfitojnë pajisje e makineri nga projekti “Fondi i Punësimit”

2019/11/01 - 3:20

15 përfaqësues të bizneseve prodhuese sot kishin ardhur në hapësirat e jashtme të Palestrës Sportive “Bill Clinton” për të tërhequr pajisjet dhe makineritë e përfituara nga skema e financimit të projektit “Fondi i Punësimit”.

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, bartëse e këtij projekti të konceptuar qysh herët nga Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, me një plan të qartë investiv, kishte përgatitur gjithë procedurat me ç’rast iu dhuruan dhjetëra pajisje moderne që synojnë t’i ndihmojnë bizneset prodhuese të rrisin kapacitetin e tyre prodhues, rrjedhimisht rritjen e tyre në treg e krijimin e vendeve të reja të punës.

Për të ndjekur shpërndarjen e këtyre pajisjeve dhe makinerive, doli Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Zekir Bytyqi.

Ky i fundit tha se bëhet fjalë për projektin tashmë të njohur si “Fondi i Punësimit”. Me këtë, sipas tij, do të përfitojnë mjete pune dhe pajisje tjera fillimisht 15 biznese nga Ferizaj, në funksion të stimulimit të punësimit. Është një projekt që zanafillen e ka në përkrahje të bizneseve prodhuese porse mendohet se me fuqizimin e tyre do rritet edhe punësimi tha ndër të tjera drejtori Bytyqi.

Kjo skemë mbështetjeje që Komunës së Ferizajt i ka kushtuar 150,000 euro synon që të rrit kapacitetet prodhuese tek ndërmarrësit e vegjël ferizajas dhe të rrit shansin për krijimin e vendeve të reja të punës.