Republika e Kosoves

Ferizaj

28 vjet nga fillimi i aksionit për Pajtimin e Gjaqeve në Ferizaj

2018/02/26 - 2:56

Janë bërë 28 vjet kur me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë, u tha në një tubim të organizuar në amfiteatrin e Universitetit të Ferizajt.

Në ceremoninë e këtij përvjetori, ish – veprimtari i Këshillit për pajtimin e gjaqeve në komunën e Ferizajt, Ismajl Hasani, tha se në atë kohë,  njerëzit në krye me  Anton Çetën, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për t’u bërë miq e vëllezër.

” Ndjenjat  janë të përziera ngase shohim akterë të atëhershëm që kanë shkuar derë më derë duke bërë që njerëzit përfundimisht t’ia shtrijnë dorën njëri – tjetrit. Unë sot pyes veten ku u gjet kjo forcë edhe e të rinjve dhe të rejave që iu bashkuan aksionit për faljen e gjaqeve”, theksoi Hasani.

Edhe nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati tha se gjatë ecjes panë se  fundshekulli i kaluar ishte plot sfida. Siç theksoi në historinë e  popullit shqiptar vend shumë të rëndësishëm zë edhe aksioni i faljes së gjaqeve.

“Ky aksion ishte i mundimshëm, por rezultatet e tij ishin që kombi dhe populli ynë të stabilizohet, të kuptojë çka është vëllavrasja, çka është hakmarrja e çka falja. Parimi që gabimi është njerëzor, por falja është hyjnore-  shërben edhe në këtë rast, ku njerëzit sakrifikuan shumë”, nënvizoi Ferati.

 

E, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, tha se viti 1990 shënon një lëvizje të madhe në historinë e shqiptarëve.

“Ishte koha kur aktivistët më të mëdhenj, njerëzit më të devotshëm mbështetur nga gjithë populli, filluan një unifikim për mbylljen e një plage që po lëngonte kudo ku kishte shqiptarë.  Viti 1990 shënon një lëvizje të madhe në historinë tonë” , u shpreh Bajraktari.

 

Në ceremoninë e përvjetorit të 28-të të themelimit të këshillit të pajtimit të gjaqeve në Ferizaj, të pranishëm ishin edhe ish – veprimtarë të këtij këshilli, familjarë që  falën gjaqet ndër vite etj.