Republika e Kosoves

Ferizaj

38 milion euro buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2023

2022/08/05 - 9:24

Dëgjimet publike për projekt-buxhetit për vitin 2023-2025, sonte janë mbajtur në dy takime të ndara me banorët e fshatrave Llojza, Lloshkobare, Kosinë, Koshare, Dremjak dhe Slivovë, si dhe në fshatin Talinovc i Muhaxherëve me banorët e fshatrave Softaj, Sazli, Pojatë, Rahovicë dhe Papaz.

 

Edhe banorët e këtyre lokaliteteve kanë kërkuar nga komuna që në buxhetin e vitit 2023 të hyn projekte me prioritet e të cilat ishin, kryesisht për ujësjellës, kanalizim, asfaltim rrugicash, ndriçim publik, por edhe fusha sportive me bari sintetik.

 

Me këtë rast nënkryetari i Komunës, Lulzim Aliu, banorëve u ka thënë se  të gjitha këto kërkesa do të shqyrtohen një nga një ana e ekzekutivit komunal, e pastaj të shikohet mundësitë se cilat projekte do të hyn në buxhet.

 

Drejtorja e Drejtorisë së Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, ka thënë se buxheti për Komunën e Ferizajt për vitin 2023 është 38 milion euro, diku 12 milion euro shkojnë për investime kapitale, 7.5 për mallra dhe shërbime si dhe 1.2 për subvencione.

Dëgjimet buxhetore nesër duke filluar nga ora 17:00 do të mbahen në fshatin Surqinë në shkollën fillore të  mesme të ulët ,,Liman Rekaj”,  ku do të marrin pjesë banorët e fshatrave: Cërnillë, Prelez i Muhaxherëve, Mirash, Tërrn, Luboc dhe Bablak, kurse në ora 19:00 takimi do të mbahet në Muhoc në shkollën fillore të  mesme të ulët ,,Ganimete Tërbeshi” me banorët e fshatrave: Prelez i Jerlive, Saraishtë dhe Talinoc i Jerlive.