Republika e Kosoves

Ferizaj

6 nga të lënduarit e shpërthimit, në gjendje më të rëndë do të trajtohen jashtë vendit, 4 prej tyre në Turqi kurse 2 të lënduarit tjerë në Austri

2021/01/07 - 5:55

Të dashur qytetarë!
Nga shpërthimi në Ferizaj ku mbetën të lënduar dhjetëra qytetarë, prej tyre 6 në gjendje më të rëndë, sot, 4 prej tyre u nisën për trajtim shëndetësor në Turqi, kurse 2 të tjerët do të nisen së shpejti për trajtim shëndetësor në Austri.
4 të lënduarit që u nisën sot për Turqi, po marrin tashmë trajtimin shëndetësor të specializuar në institucionet shëndetësore turke.
Për dy të lënduarit në gjendje më të rëndë, që qarkulloi informacioni se janë hequr nga lista për trajtim jashtë vendit, nga kontakti i vazhdueshëm që kemi me Ministrinë e Shëndetësisë, askush nuk e ka hequr asnjërin nga lista, vetëm se kapacitetet e pranimit në institucionet shëndetësore turke ishin për 4 nga të lënduarit dhe njëkohshëm edhe rekomandimi profesional i mjekëve ishte i tillë.
Tani, me marrëveshjen që heq shpenzimet e trajtimit shëndetësor nga qeveritë e dy vendeve, 2 të lënduarit tjerë do të nisen së shpejti për trajtim shëndetësor në Austri.
Me këtë rast falënderoj për bashkëpunimin e koordinimin e plotë ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Ambasadën e Turqisë, Qeverinë austriake që bënë të mundur trajtimin jashtë vendit të qytetarëve tanë. Falënderimi i takon edhe qytetarëve e bizneseve për solidaritetin dhe gatishmërinë që të ndihmojnë shërimin e të lënduarve.
Qoftë i shpejtë shërimi i të gjithë të lënduarve!