Republika e Kosoves

Ferizaj

Agim Aliu pret vogëlushin Endri Rexhepi, i uron botimin e librit të tij me përralla

2018/12/31 - 8:01

Në pritjet e fundit për këtë vit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu rezervoi një pritje të veçantë për vogëlushin ferizajas, Endri Rexhepi i cili muaj më parë kishte shkruar një letër të parit të qytetit tonë, ku kishte kërkuar përmirësime në infrastrukturën e lagjes ku jeton. Kjo miqësi, e veçantë, shpërfaqë karakterin e dashur, të sinqertë e plot optimizëm të kryetarit Aliu, karshi gjithë qytetarëve, e me theks të veçantë fëmijëve.

Sot, Endri pati edhe një motiv tjetër për ta vizituar kryetarin Aliu. Ai i solli këtij të fundit, përveç një letre tejet të sinqertë që vetëm një fëmijë mund ta shkruaj, solli edhe librin e tij me përralla të botuar së fundmi. Në dedikimin e kësaj letre thuhet, vogëlushi ferizajas shkruan “I dashur Kryetar i Komunës, kam nderin të uroj një Vit të Ri, të gëzuar për ju dhe familjen tuaj! Viti i ri është një fillim i ri, një kapitull i ri. Atëherë, i dashur Kryetar, lapsi është në dorën tënde për ndryshimet tona”. Kurse libri i tij i tij, një libër sa i sinqertë po kaq i këndshëm për moshatarët e tij, shpalos përrallat dhe ëndërrimet e vogëlushit ferizajas me botën e tij fëmijërore.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu, para se t’i ndaj një dhuratë të veçantë për Festën e Vitit të Ri, tha se Endri dhe bashkëmoshatarët e tij janë shpresa në sytë tanë dhe se nga ta pret ndryshimin. Ai tutje tha se është obligimi ynë që me punën tonë të përditshme në qeverisjen e Ferizajt, t’i garantojmë një jetë më të mirë gjithë qytetarëve, veçanërisht fëmijëve që do të administrojnë në të ardhmen me këtë trashëgimi që do t’ia lëmë.